Ish-kryetari i Bashkisë së Shkodrës merret i pandehur

Spahia: Akuzat e Prokurorisë së Posaçme absurde. Çështja duhet të ishte objekti i një gjykimi administrativ dhe jo penal. Kam zbatuar ligjin.

698
Bardh Spahia Spak
Credit: LSA

Ish-kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) me pretendimin se nuk ka zbatuar një vendim gjykate. SPAK e akuzon Spahinë për veprën penale të “Pengimit të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës”, sipas nenit 320 të Kodit Penal.

Hetimet ndaj Spahisë janë nisur nga Prokuroria e Posaçme pas një kallëzimi të bërë nga shtetasi Mark Molla, i cili pretendon se është shkarkuar padrejtësisht nga pozicioni i drejtorit të ujësjellësit.

Sipas Mollës, ish-kryebashkiaku Spahia ka vepruar në kundërshtim me ligjin duke vendosur pushimin e tij nga detyra si drejtor, në verën e  vitit 2022.

“Vendimi im i shkarkimit të z. Molla është bërë në funksion të të gjitha kompetencave si kryetar bashkie. Aso kohe shkarkimi ka ardhur për shkak të mungesës së theksuar të qytetit, sidomos të zonave turistike, me ujë. Kemi pasur biseda të gjata për zgjidhjen e këtij problemi dhe drejtori nuk mori asnjë masë. As kohe kemi pasur dhe shumë ankesa nga qytetarët për mungesën e këtij shërbimi” – tha për “shteg.org” Bardh Spahia.

Por mesa duket konflikti mes ish-drejtorit të ujësjellësit dhe drejtuesit të lartë lokal nuk ka mbetur në kufinjtë e një urdhëri administrativ.

Molla, arrin të marrë nga gjykatat lokale një sigurim padie për mos pushimin e tij nga detyra, vendim ky që Spahia pretendon se e ka zbatuar.

Pikërisht ky akt administrativ ka shërbyer për Prokurorinë e Posaçme që të ngre akuza ndaj drejtuesit lokal të partisë demokratike në Shkodër.

Spahia pretendon krejt të kundërtën, duke e konsideruar çështjen më shumë, objekti të një gjykimi administrativ se sa penal.

“Me tu njohur me vendimin e sigurimit të padisë, unë kam zbatuar vendimin e gjykatës. Ish-drejtori i ndërmarrjes së ujësjellësit të Shkodrës nuk u pushua nga puna në respekt të vendimit, por në një moment të dytë ka dalë një urdhër i dytë, por për shkak të shkeljeve të konstatuara në ndërmarrjen e ujësjellësit dhe ai është pushuar nga puna” – thotë Spahia duke sqaruar se edhe ky urdhër i dytë ishte në kompetencat e tij si drejtues i bashkisë së Shkodrës apo edhe i bordit të drejtimit të ndërmarrjes së ujësjellës kanalizimeve.

Por, për Prokurorinë e Posaçme e cila ka regjistruar procedimin penal, ndaj ish-kryetarit bashkisë së Shkodrës ka prova dhe fakte për ta marrë atë të pandehur.

Në mesditën e së martës, 21 Janar 2025, Spahia është paraqitur në ambientet e SPAK, ku i është komunikuar zyrtarisht akuza. Ndërkohë, më parë ai është marrë në pyetje më 24 dhjetor 2024, ku qëndroi për më shumë se një orë e 20 minuta. Më herët, në 2 tetor të vitit të kaluar, ai ishte paraqitur gjithashtu për të dhënë shpjegime mbi këtë çështje.

Prokuroria dyshon se Spahia ka abuzuar me kompetencat e tij si kryebashkiak, duke mos zbatuar vendimin e formës së prerë që urdhëronte rikthimin në detyrë të ish-drejtorit të ujësjellësit.

Bardh Spahia e ka konsideruar këtë çështje si një akuzë absurde dhe ka deklaruar se ka zbatuar ligjin në mënyrë të plotë gjatë gjithë kohës.

“Kjo është një akuzë absurde pasi duhet të ishte një çështje që më së shumti të bëhej objekti i një gjykimi administrativ dhe jo penal.  Bëhet më absurde sidomos në fakti që një çështje e tillë shërben për të ngritur një akuzë në një kohë që jemi në prag të zgjedhjeve, megjithatë unë kam zbatuar ligjin dhe do të jetë hetimi gjyqësor që do të vërtetoj këtë” – deklaroi Spahia.

Ndërsa SPAK vijon hetimet, Spahia vazhdon të jetë aktiv në jetën politike, duke e konsideruar këtë akuzë si një sulm politik ndaj tij.

Sipas ekspertëve ligjorë, nëse akuzat ndaj Spahisë vërtetohen, ai mund të përballet me pasoja të rënda ligjore, përfshirë dënime me gjobë apo heqje lirie deri në dy vjet.

Bardh Spahia, 49 vjeç, ka studiuar për mjekësi dhe është një nga pinjollët e familjeve demokrate në qytetin e Shkodrës. I ati, Ali Spahia, ka qenë një nga themeluesit e Partisë Demokratike, ndërsa ai vetë është zgjedhur për herë të parë deputet në vitin 2017, ndërsa në vitin 2021 garoi në pozicion humbës, u rendit i pari mes kandidatëve demokratë me 7219 vota pëlqyese por nuk ia doli që të thyente listën preferenciale.

Në zgjedhjet e pjesshme vendore që u zhvilluan me 06 mars 2022 fitoi Spahia arriti të fitojë votat e shkodranëve dhe u bë Kryetar Bashkie, post të cilin ai arriti ta mbaj vetëm për një vit pasi në zgjedhjet që u zhvilluan me 14 maj 2023, postin e Kryetarit e fitoi Benet Beci, kandidaturë e Partisë Socialiste.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.