Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq ish-kryebashkiakun e Shkodrës, Bardh Spahinë, i cili akuzohet për “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.
Hetimet një vjeçare të prokurorisë kanë kanë zbuluar se Spahia në cilësinë e kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të Ujësjellës Kanalizimeve, Shkodër, ka marrë vendime të kundërligjshme për shkarkimin nga detyra Mark Mollën, i cili mbante funksionin e administratorit të Ujësjellës Kanalizimeve dhe ka emëruar në post shtetasin me iniciale A. B.
Mark Molla mësohet se ka ankimuar vendimin e ish-kryebashkiakut dhe Gjykata e Shkodrës ka vendosur ta pezullojë, deri në marrjen e një vendimi të formës së prerë.
Por, sipas SPAK, Bardh Spahia pavarësisht se ka qenë në dijeni të vendimit të Gjykatës së Shkodrës që rikthente në detyrë Mark Mollën deri në përfundim të procesit gjyqësor, e ka anashkaluar këtë urdhër.
Sipas akuzave të ngritura, Spahia ka shkaktuar një shkelje të drejtpërdrejtë të titujve ekzekutiv të gjykatës dhe ka cënuar ligjshmërinë dhe shtetin e së drejtës.
“Mosrespektimi i vendimit gjyqësor që përbën titull ekzekutiv cënon në thelb shtetin e së drejtës dhe shkakton pasiguri juridike. Organet/nëpunësit publikë, të cilëve, një vendim gjyqësor iu drejtohet me urdhërime, duhet vetëm ta zbatojnë dhe jo të bëjnë interpretime apo diskutime ligjore nëse është i mbështetur ose jo në ligj” – thuhet në njoftimin zyrtar.
Bardh Spahia e ka konsideruar këtë çështje si një akuzë absurde dhe ka deklaruar se ka zbatuar ligjin në mënyrë të plotë gjatë gjithë kohës.
“Kjo është një akuzë absurde pasi duhet të ishte një çështje që më së shumti të bëhej objekti i një gjykimi administrativ dhe jo penal. Bëhet më absurde sidomos në fakti që një çështje e tillë shërben për të ngritur një akuzë në një kohë që jemi në prag të zgjedhjeve, megjithatë unë kam zbatuar ligjin dhe do të jetë hetimi gjyqësor që do të vërtetoj këtë” – deklaroi Spahia, sipas të cilit shkarkimi i Mollës është kryer në përputhje të kompetencave të tij.
“Vendimi im i shkarkimit të z. Molla është bërë në funksion të të gjitha kompetencave si kryetar bashkie. Aso kohe shkarkimi ka ardhur për shkak të mungesës së theksuar të qytetit, sidomos të zonave turistike, me ujë. Kemi pasur biseda të gjata për zgjidhjen e këtij problemi dhe drejtori nuk mori asnjë masë. As kohe kemi pasur dhe shumë ankesa nga qytetarët për mungesën e këtij shërbimi” – tha Spahia.
Sipas ekspertëve ligjorë, nëse akuzat ndaj Spahisë vërtetohen, ai mund të përballet me pasoja ligjore, përfshirë dënime me gjobë apo heqje lirie deri në dy vjet.
Bardh Spahia, 49 vjeç, ka studiuar për mjekësi dhe është një nga pinjollët e familjeve demokrate në qytetin e Shkodrës. I ati, Ali Spahia, ka qenë një nga themeluesit e Partisë Demokratike, ndërsa ai vetë është zgjedhur për herë të parë deputet në vitin 2017, ndërsa në vitin 2021 garoi në pozicion humbës, u rendit i pari mes kandidatëve demokratë me 7219 vota pëlqyese por nuk ia doli që të thyente listën preferenciale.
Në zgjedhjet e pjesshme vendore që u zhvilluan me 06 mars 2022 Spahia arriti të fitojë votat e shkodranëve dhe u bë Kryetar Bashkie, post të cilin ai arriti ta mbaj vetëm për një vit pasi në zgjedhjet që u zhvilluan me 14 maj 2023, postin e Kryetarit e fitoi Benet Beci, kandidaturë e Partisë Socialiste.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.