Pas shpalljes fajtor për inceneratorin e Fierit dhe të Elbasanit, sot më 16 prill 2025, GJKKO vendosi të dënojë me 3 vjet burg, ish-ministrin e Mjedisit, pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar do të vuajë dënimin për 2 vjet, kohë kjo që përkon e shlyer me kohën e paraburgimit. Për këtë gjykata vendosi të shuajë masën e sigurisë për dosjen e inceneratorin e Tiranës.
Ndërkohë Koka është i burgosur dhe po vuan dënimin përkatës për inceneratorin e Elbasanit dhe po rigjykohet për inceneratorin e Fierit si dhe i është hequr e drejta e funksioneve publike për 5 vite.
U shpallën fajtorë edhe 6 të pandehurit e tjerë të përfshirë në këtë çështje për të njëjtën vepër penale “shpërdorim detyre” të kryer në bashkëpunim kurse për Jetmir Llapajn gjykata shprehu pafajësinë e tij në këtë çështje. Për 3 të pandehurit e tjerë të çështjes masat u shuan pasi dënimi konsiderohet i vuajtur.
GJKKO shpalli fajtor dhe dënoi Bledar Karolin me 3 vite burg, i përkthyer në 2 vite burgim për shkak të gjykimit të shkurtuar, teksa i shuhet masa e sigurisë nëse nuk ka masë sigurie për çështje tjetër.
Për ish-drejtorin e Bashkisë Tiranë, Taulant Tusha u vendos 3 vjet burg i përkthyer në 2 vjet burg për shkak të gjykimit të shkurtuar kohë kjo që përkon e shlyer me kohën e paraburgimit. Për këtë gjykata vendosi të shuajë masën e sigurisë, por Tusha do vijojë të jetë në burg pasi po akuzohet për dosjen 5D. Masë plotësuese ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.
Namik Simixhiu u dënua me 3 vite burg por për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi ulet në 2 vite dhe me shuarje të masës së arrestit dhe heqje e të drejtës për 5 vite, në funksione publike.
Gjykata shprehu për Erjon Murataj, dënimin me 3 vite burg nëpërmjet gjykimit të shkurtuar, dënimi ulet në 2 vite heqje lirie. Masë plotësuese 5 vite ndalim nga funksionet publike.
Për 2 nga të akuzuarat femra dënimi u kthye në shërbim prove dhe punë në komunitetin publik pa kundrejt pagese.
Gjykata e Posaçme vendosi për Valbona Ballgjinin 3 vjet burg e përkthyer në 2 vjet burg për shkak të gjykimit të shkurtuar. Mirëpo për Ballgjinin, përfundimisht u vendos pezullim i ekzekutimit, i kthyer më shërbim prove sa 2-fishi i pjesës së mbetur të dënimit. Heqje e “arrestit në shtëpi”, dhe ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.
Për të pandehurën Sidita Kopliku u vendos 1 vit e 6 muaj burgim e përkthyer në 1 vit burg. Për shkak të pezullimit të dënimit, u konvertua në 80 orë punë në interes publik brenda 6 muajsh.
Në një gjykim të veçuar, për këtë çështje u shpall fajtor më parë edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, Alqi Bllako. Ai u dënua me 4 vjet burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, do t’i duhet të vuajë 2 vjet e 8 muaj burgim. Gjithashtu dhe për Bllakon u dha dënim plotësues, që të mos ushtrojë asnjë funksion publik për një periudhë 5-vjeçare.
Gjatë hetimeve Prokuroria e Posaçme ka konstatuar një sërë parregullsish gjatë procedurës së ndjekur për dhënien e koncesionit dhe po ashtu ka dyshime se ish-funksionarët publik kanë bashkëpunuar me Klodian Zoton për të bërë gati të gjitha dokumentat për të fituar koncesionin për rehabilitimin e landfill-it dhe ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.
Sipas Prokurorisë, kontrata për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, e lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy BV SPV”, është firmosur në shkelje të rëndë të procedurave ligjore, duke favorizuar në mënyrë të paligjshme kompaninë koncesionare.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.