Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar GJKKO dënoi me gjashtë vite e tetë muaj burgim ish-Ministrin e Mjedisit Lefter Koka, i akuzuar për aferën e inceneratorit të Elbasanit. Në shkallën e parë të gjykimit, Koka ishte dënuar 5.6 vite, ndërsa gjatë procesit të gjykimit në Apel, trupa gjyqësore e ka gjetur fajtor atë për akuzat penale në implikimin e tij në ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit.
Koka u gjet fajtor për kryerjen e tre veprave penale gjatë ushtrimit të detyrës së tij si ministër. Akuzohet për “Shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim”; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Për këtë arsye trupa gjyqësore ka rritur masën ndëshkimore ndaj ish Ministrit të drejtësisë duke i shtuar vuajtjet e dënimin me burg edhe për një vit.
Gjithashtu për Kokën u mor edhe një tjetër masë ndëshkimore që lidhej me pasurinë e tij. Gjykata ka vendosur sekuestrimin e disa apartamenteve si dhe 18.9 % të aksioneve në kantinën e pijeve alkoolike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Durrës.
Sipas togave të zeza këto pasuri, të regjistruara në emër të ish Ministrit dhe të afërmeve të tij janë krijuar nga para që nuk janë të justifikuara me të ardhurat e tij të ligjshme.
Ndërsa për ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako, Apeli i GJKKO-së vendosi dënimin me dy vite e tetë muaj për akuzën “Shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim”.
Ndërkohë Shkalla e Parë e GJKKO-së e kishte shpallur Bllakon të pafajshëm.
Ish Ministri i Mjedisti, Lefter Koka dhe sekretari i përgjithshëm i kësaj Ministrie, Alqi Bllako janë dënuar edhe për inceneratorin e Fierit, ndërsa vijon hetimi për atë të Tiranës.
Në vitin 2020, Partia Demokratike në opozitë kreu një kallëzim penal që çoi në hapjen e hetimit për incineratorin e Elbasanit ndërsa në vitin 2021, Lëvizja Socialiste për Integrim, forca politike në emër të së cilës Koka pati shërbyer si Ministër i Mjedisit, e akuzoi atë publikisht për korrupsion duke zbuluar një skemë të transferimit të parave nga kompanitë e incineratorëve për te kompani apo persona të lidhur me të.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.