Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vite e 4 muaj burg Gazmir Preçin, ish-shefin e Antidrogës në qytetin e Durrësit.
Gjykata ka vendosur si masë plotësuese ndaj ish-shefit të Antidrogës në Durrës, Gazmir Preçi, ndalimin për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 vitesh.
Preçi u arrestua mbrëmjen e 15 gushtit 2024, nën akuzën e përfshirjes në një skemë gjobëvënieje ndaj pronarit të një klubi nate pranë “Urës së Dajlanit”.
Sipas hetimeve të SPAK, rezulton se ish-zyrtari i policisë i kishte kërkuar 20 mijë euro pronarit të lokalit me “muzikë live”, në këmbim të mosushtrimit të kontrolleve nga ana e tij dhe strukturave të tjera. Në të kundërt, ai e kishte kërcënuar me mbylljen e biznesit. Fillimisht, ai kishte arritur të përfitonte 10 mijë euro nga shuma e kërkuar.
SPAK dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ishin në dijeni të momentit të dorëzimit të parave, të cilat ishin të regjistruara me numër serie. Marrja e ryshfetit nga ana e Preçit është dokumentuar me pamje filmike dhe regjistrime audio.
Kjo nuk është vepra e vetme penale që rëndon mbi figurën e Preçit. Në vitin 2021, gjatë kohës që mbante postin e shefit të krimeve në Mallakastër, ai ka qenë nën hetim për lejimin e kultivimit të kanabisit në zonën pranë urës së lumit Vjosë, në Poçem. Për këtë rast, ndaj tij u caktua masa e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.
Aktualisht, Preçit i kanë mbetur më pak se një vit e gjysmë nga dënimi i dhënë me burgim.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.