Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi përdorën të gjithë pushtetin e tyre që dy kompani amerikane, pronarë i të cilave rezulton një i afërm i familjes, të përfitonte dy projekte në tregun e fibrave optike dhe një marrëveshje të interkonjekionit të transferimit të thirrjeve telefonike.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme tregojnë se Meta-Kryemadhi bashkëpunuan me shqiptaro-amerikan, të quajtur Adrian Shatku dhe vendosën në funksion të tij administratën shtetërore në funksion të interesave të kompanive të tij.
Për të vërtetuar përfshirjen e çiftit në afera kurruptive, SPAK bazohet në zbardhjen e të gjitha bisedave të mara nga telefoni i Monika Kryemadhit. Sa i përket marrëveshjes së interkonjeksionit për transferimin e thirrjeve, hetimet evidentojnë se personazh kyç, Piro Xhixho, ish kreu i AKEP.
Por krahas përdorimit të administratës shtetërore, hetimet e prokurorisë janë fokusuar edhe në kontratat e lobimit të nënshkruara në emër të partisë së drejtuar nga Ilir Meta. Flitet për miliona dollarë, në marrëveshje që duhet ti siguronin kryetarit Meta, jo vetën përfaqësime diplomatike por dhe përformacë të mirë politike.
Prokurorët kanë ngritur dyshime mbi këto transaksione, ashtu si dhe për llogaritë personale të familjes dhe personave të tyre të lidhur.
Nga hetimet e SPAK evidentohet se një nga skemat e përdoruara nga çifti Meta-Kryemadhi për të cilën prokurorët kanë ngritur akuzën e pastrimin e parave, ishte marrja e kredive për justifikim shpenzimesh, ndërsa kreditë shlyheshin cash nga Fatime Kryemadhi.
Në një rast, në pak muaj nëna shleu kredi me vlerë 138 mijë euro, ndërsa një kredi prej 335 mijë eurosh e marrë nga Fatime Kryemadhi është përdorur për të justifikuar blerjen e një apartamenti Dublex në bllok, në vitet 2009-2010.
Ish-çifti Meta-Kryemadhi, akuzohen për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë publik, mosdeklarim ose fshehje të pasurisë, si dhe pastrim parash. Ish kreu i AKEP, Pirro Xhixha zyrtar i lartë shtetëror 2009-2017, përfaqësues i LSI-së, akuzohet për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë publik”. Ndërsa shtetasja Ema Çoku, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “pastrim parash” e kryer në bashkëpunim.
Miliona nga fibrat optike

Me të ardhur në pushtet, si pjesë e koalicionit qeverisjes me socialistët, Monika Kryemadhi duket se kishte lidhjet e duhura për ti garantuar kryetarit të partisë së saj, Ilir Metës, vizita në nivelin e lartë diplomatik, takime në ambasadën amerikane, performancë të mirë politike, apo dhe këshillim se si duhet të fliste apo komunikonte, me kryetar shtetesh, siç ishte rasti i kryeministrit të Izraelit.
Një amerikano-shqiptarë i quajtur Adrian Shatku duket se ishte njeriu magjik për Partinë e Ilir Metës. Hetimet tregojnë se direkt pas zgjedhjeve të 2013, Kryemadhi ka pasur komunikime të shpeshta me z.Shatku, që më vonë u zbulua që ishte dhe njeriu i afërm i familjes së saj.
Shatku duket se ka qenë i pa kursyer për Monikën. I dhuron karta “American Epxress”, i paguan udhëtimet në Uashington, apo dhe shpenzimet për klinikat, në të cilat Kryemadhi thotë se ka shkuar për arsye shëndetësore.
Por sigurisht, çdo gjë ka një çmim. Në këmbim ajo që kërkonte biznesmeni amerikano-shqiptar ishin dy kontrata koncesionare në telekomunikacion, për shtrimin i kabllove optikë dhe intekonjeksioni për thirrjet ndërkombëtare telefonike.
Për të siguruar këto dy kontrata, prokuroria dyshon, duke iu referuar komunikime dhe dokumenteve shkresore, se Monika Kryemadhi vuri në lëvizje ministri dhe drejtori të rëndësishme që drejtoheshin nga përfaqësues të LSI-së, në mënyrë që miku i saj të merrte dy koncesione.
Fillimisht, biznesmeni Shatku kërkon përmes Ministrit të Transporteve dhe Industrisë, Edmond Haxhinasto, të hyjë në tregun e fibrave optike. Por ky treg ishte në kushte monopoli, falë një marrëveshje të nënshkruar në vitin 2006 nga qeveria Berisha.
Rezulton që përpjekja e Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës për të kaluar një VKM që zhbën monopolin e fibrave optike është refuzuar për t’u firmosur nga Edi Rama. Si mburojë apo pengesë është përdorur mos-dakortësia e ministres Milena Harito.
“Ajo që thotë Milena është bizarre, ato… përveç prishjes së monopolit duhen ndjekur për dëme financiare-” i shkruan biznesmeni Kryemadhit.
Komunikimet e mëtejshme vërtetojnë qëllimin e prishjes së kontratës me “ATU shpk” dhe të drejtën e shtrimit të fibrave optike ta merrte kompania “Unifi Holdings INC, dega Shqipëri”.
Duke hasur “pengesën Harito”, Monika Kryemadhi ka nxitur ministrin Edmond Haxhinasto për të kaluar një rregullore që rrëzonte monopolin e kompanisë.
Dokumentet e prokurorëve tregojnë se Kryemadhi përfshihet ndjeshëm dhe më shumë intensitet që në një kohë sa më të shpejtë të rrëzohet monopoli i shtrimit të fibrave optike ndërsa kushëriri i saj duket se po humbte durimin.
“Ka ndonjë të re me kabllon? Investitorët po humbasin besimin. Duhet vepruar tani”. – thuhet në një e-mail të datës datë 17 shtator, 2014 që Monina Kryemadhi mori nga kushëriri i saj në amerikan, Ardian Shatku.
Një ditë më vonë, Kryemadhi informon biznesmenin se gjithçka do të mbyllej brenda javës.
“Besoj këtë javë. Mi bëj një kërkesë zyrtare Mondit (shënim Edmond Haxhinastos), që të japi të drejtë për të vendosur fibrat në akset e rrugës. Me letër, jo elektronike, ta printojmë”- porosit Kryemadhi.
Pas këtyre e-mailve e gjithë Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë vihet në lëvizje.
Në tetor të 2014 me urdhër të ministrit i hiqet kompanisë ekskluziviteti që kishte dhe “Unifi Holdings INC” futet në tregun e fibrave optike.
Pas kësaj, Shatku kërkon një tjetër marrëveshje, atë të thirrjeve telefonike ndërkombëtare.
Tregu zotërohej nga kompania ‘Info telecom’ dhe sipas dëshmive dhe provave të gjetura rezulton që Kryemadhi ka përdorur njohjen e saj për të përfunduar një kontratë mes Vodafone dhe kompanisë së zotuar nga Ardian Shatku.
Theodhori Çami, një prej përfaqësuesve të kompanisë ka deklaruar për prokurorët se ka nënshkruar tre kontrata për konsulencë me kompaninë “Unifi Holdings INC”, me vlerë totale 82.821 euro. Gjithashtu ai ka ndërhyrë tek drejtuesit e Vodafone për të siguruar një kontratë me Unifi Holdings INC që administrohej nga Shatku.
Kontrata është nënshkruar me 1 korrik 2014 ndërsa tre muaj më vonë, sipas transkriptimit të bisedave, duket se lindin dhe mosmarrëveshjet e para për ndarjen e fitimeve.
Kjo ka detyruar Shatkun që ti saktësojë Kryemadhit ndarjen e përqindjes së përfitimeve të kontratës. Sipas mesazhit, Kryemadhi ka 32.85%, Theodhori Çami 50.78% dhe “Unifi Holdings INC” 16.42%.
“Nga përllogaritja rezulton që Monika Kryemadhi ka marrë vetëm për shtatorin 2014, shumën prej 34 mije euro” – thuhet në dosje.
Ndërsa në një sms të dytë, Kryemadhi informohet për trafikun e komunikimit dhe fitimet për muajin korrik.
“Korrik 473.720 minuta total, kosto 2.584.692 lek (6,1 lek/min), shitje 12.790.000 (27.4 lek/min), fitimi me përafersi 10.000.000 lekë. Gushti 724.864 min, kosto 4.421.000 lekë, shitje 19,861,000 fitimi 15.000.000”.
Për periudhën Korrik-Shtator 2014, prokurorët dyshojnë se Kryemadhi ka përfituar 100 mijë euro në tre muaj.

Ndikimi i çiftit Meta-Kryemadhi mbi institucionet që drejtoheshin nga përfaqësues të LSI-së është edhe për biznesmenë të tjerë.
“Vihet re që Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta kanë përdorur postin dhe njohjet e tyre për të ndikuar tek Pirro Xhixho edhe në shërbim të kompanisë ‘Plus Communication’ dhe Samir Manes. Gjithashtu vihet re që AKEP ka ndërhyrë shpesh për të ndihmuar kompaninë Vodafone Al për interes të Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës” – argumenton SPAK.
Prokuroria argumenton se – “si rezultat i kësaj influence të paligjshme çifti Meta-Kryemadhi kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit”.
Pas hetimeve, Ardian Shatku ka reaguar publikisht duke pranuar se ka marrëdhënie familjare me Monika Kryemadhin, por ai mohon ndikimin e saj në vendimet e biznesit të tij dhe në kontratat e lidhura në Shqipëri.
Unifi Holdings INC
Viti | Pagesa Lekë | Konvertimi Euro | Pjesa takuese MK | Pjesa takuese në muaj |
---|---|---|---|---|
2014 | 30.632.553,00 | 218.804 | 71.877 | 5.990 |
2015 | 191.275.715,21 | 1.366.255 | 448.815 | 37.401 |
2016 | 251.205.398,50 | 1.794.324 | 589.436 | 49.120 |
2017 | 230.895.096,00 | 1.649.251 | 541.779 | 45.148 |
TOTALI | 704.008.762,71 | 5.028.634,02 | 1.651.906,28 | 137.658,86 |
Unifi Commuinication S.a.r.l
Viti | Pagesa Lekë | Konvertimi Euro | Pjesa takuese MK | Pjesa takuese në muaj |
---|---|---|---|---|
2015 | 31.710.602 | 226.504 | 74.407 | 6.201 |
2016 | 49.474.686 | 353.391 | 116.089 | 9.674 |
2017 | 13.502.183 | 96.444 | 31.682 | 2.640 |
TOTALI | 94.687.471 | 676.339 | 222.177 | 18.515 |
Unifi Holdings INC+Unifi Commuinication S.a.r.l
Viti | Pagesa Lekë | Konvertimi Euro | Pjesa takuese MK | Pjesa takuese në muaj |
---|---|---|---|---|
2014 | 30.632.553,00 | 218.804 | 71.877 | 5.990 |
2015 | 222.986.317,21 | 1.592.759,41 | 523.221,47 | 43.601,79 |
2016 | 300.680.084,50 | 2.147.714,89 | 705.524,34 | 58.793,70 |
2017 | 244.397.279,00 | 1.745.694,85 | 573.460,76 | 47.788,40 |
TOTALI | 798.696.233,71 | 5.704.973,10 | 1.874.083,66 | 156.173,64 |
Gjithashtu, në një përgjigje për “shteg.org” Shatku shprehet se nuk është kontaktuar asnjëherë nga SPAK.
“Ne nuk jemi kontaktuar asnjëherë nga SPAK lidhur me asnjë çështje. Si një kompani amerikane dhe një qytetar amerikan, detyra ime është ndaj vendit tim, dhe jam plotësisht i angazhuar për drejtësinë, barazinë dhe ruajtjen e standardeve më të larta ligjore kudo që operojmë,” – thotë Shatku.
Para për miqtë në Amerikë

Më 23 janar të vitit 2018, Ilir Meta në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit arrin të siguroj një takim me Matthew Palmer, aso kohe mbante detyrën e Drejtorit të Zyrës për Çështjes e Evropës Jug-Qendrore në Departamentin e Shtetit.
Tema e bisedës, siç edhe raportohet në dosje, ishte përparësia e Shqipërisë në rajon.
Por ky nuk ishte takim i vetëm që kryetari i Partisë së Lëvizjes për Integrim bëri me diplomatë dhe kongres-men amerikanë.
Në dosje evidentohet se takimett u kanë paraprirë nënshkrimi i dy kontratave lobimi me kompani të rekomanduara nga miku i familjes së Kryemadhit.
SPAK thotë se Ardian Shatku, ndër të tjerë i ka prezantuar Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës një personazh me emrin John Moreira, që është drejtori ekzekutiv i J. P. M Solutions.
Me pas, janë lidhur dy marrëveshje lobimi me kompaninë “Global Security Inovative Strategies” me një vlerë që i kapërcen 370 mijë euro dhe një e tretë me “McKeon Group INC”.
Global Security Inovative Strategies
10/02/2016 | Consulting Services | $30.000 |
11/03/2016 | Consulting Services | $30.000 |
01/04/2016 | Consulting Services | $30.000 |
30/06/2016 | Reimbursement | $33.761 |
04/08/2016 | Consulting Services | $30.000 |
21/10/2015 | Consulting Services | $30.000 |
21/10/2016 | Consulting Services | $30.000 |
21/10/2016 | Reimbursement | $12.451 |
21/10/2016 | Reimbursement | $11.592 |
29/11/2016 | Consulting Services | $30.000 |
03/02/2017 | Consulting Services | $30.000 |
03/03/2017 | Consulting Services | $30.000 |
03/03/2017 | Reimbursement | $12.741 |
25/04/2016 | Consulting Services | $30.000 |
TOTALI | $370.545 |
Prokurorët dyshojnë se një pjesë e kësaj vlerë është shlyer nga Partia Lëvizjes për Integrim ndërsa një pjesë dyshohet është paguar nga Shatku.
Petrit Vasili i pyetur për kompaninë e lobimit “Global Security Inovative Strategies”, u tha prokurorëve qëllimi i kontratës lidhje me Reformën në Drejtësi.
Kontrata e tretë me kompaninë “McKeon Group INC” e cila ka funksionuar vetëm dy muaj, dhe se sipas prokurorëve Ilir Meta ka paguar për këto kontratë 100 mijë USD.
Kompania | Vlera (USD) |
---|---|
Global Security Inovative Strategies | $589.020 |
McKeon group INC | $200.000 |
JPM Strategic | $244.105 |
“Rrjedhimisht Ilir Meta ka paguar 100 mijë USD, para të cilat nuk janë deklaruar,” – thotë SPAK.
Por ky nuk është rasti i vetëm mbi të cilën prokuroria ka ngritur dyshime mbi pasurinë e deklaruar të çiftit Meta-Kryemadhi dhe transaksioneve, kontratave apo dhe kredive të marrë nga ato dhe njerëzit e tyre të lidhur.
Prokurorët kanë zbuluar se personi pas së cilës herë mbusheshin dhe zbrazeshin llogaritë bankare duke blerë e shitur prona është Fatime Kryemadhi.
Tashmë në pension ajo cilësohet nga SPAK si personi që çifti Meta e kishte të besuar, duke i shërbyer në transaksione të ndryshme, kredi bankare, kontrata borxhi dhe rikthime vlerash të mëdha. Sipas prokurorëve këto manovra janë bërë për “të pastruar paratë” apo edhe “justifikuar shpenzimet”.
Pensionistja që xhiron miliona

“Me shpenzimet e mia e kam pallatin. Për fëmijët i kam unë, pse për kë i kam lekët? Ja shkoni shihni, të gjitha i kam me bankë – do të deklaronte para gazetarëve Fatime Kryemadhi, sapo doli nga një seancë pyetjesh me prokurorët më 11 prill 2024.
Për hetuesit është e pabesueshme që puna e një jete për zonjën Fatime Kryemadhi xhirimin e një shifre të lartë parash në llogaritë e saj bankare. Ata dyshojnë se zonja nuk ka burime të ligjshme për transaksionet që ka kryer.
Zanafilla e transaksioneve merr jetë për blerjen e një apartamenti Dublex, i deklaruar nga çifti Meta-Kryemadhi si i blerë për 400 mijë euro me burim shitjen e një banese në Golem dhe një kredi bankare.
“Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe prej 200m² ndodhur në rrugën “Vaso Pasho” nuk është financuar nga 200.000 euro-t të cilat shtetasi Ilir Meta / Monika Kryemadhi, kanë deklaruar se i kanë pasur gjendje cash nga shitja e vilës në Qerret-Kavajë dhe 200.000 euro kredi bankare, por burim i financimit janë 100,000 Euro nga kredia në vlerën 335.000 euro e marrë në datën 29 Mars 2010 prej shtetases Fatime Kryemadhi, 100.000 euro nga para të depozituara cash nga Fatime Kryemadhi në datën 17 Maj 2010, dhe 200.000 euro kredi bankare. Ndërkohë që vetë Fatime Kryemadhi dhe 1 vit më parë, rezulton se ka pasur pamundësi financiare” – thuhet në dosjen e prokurorisë.
SPAK thotë se për të fshehur burimin e vërtetë të parave që janë përdorur për të blerë apartamentin, i cili në të vërtetë ka kushtuar më shumë se 400 mijë euro, janë përdorur kreditë bankare, që më pas janë shlyer nëpërmjet kreditimeve të llogarive me para kesh dhe burim të padeklaruar.
Sipas hetimeve, “cash pa burim të ligjshëm nga Fatime Kryemadhit, me deklarimin e burimeve të paqena sikurse është rasti i shtetasit G.S., me qëllim shlyerjen e kredive, është arritur që të futen në sistemin bankar një shumë e pajustifikuar parash prej 846,000 euro”.
Prokurorët rendisin 14 arkëtime cash me shuma që nisin nga 2 mijë euro deri në 246 mijë euro të kryera në dy vite nga Fatime Kryemadhi. Për shumën e fundit që deklarohet burim blerja e një toke nga një kompani private, SPAK ka dalë në përfundimin se zonja Kryemadhi ka gënjyer.
Nëpërmjet depozitimeve cash, Fatime Kryemadhi rezulton të ketë shlyer edhe një kredi të marrur nga Monika Kryemadhi, si dhe nëpërmjet kartës së vet bankare, që hetuesit thonë se nuk është deklaruar, ajo ka bërë pagesat për shkollën e mbesës në Britaninë e Madhe.
Lloji i shpenzimeve | Vlera (euro) |
---|---|
Pagesa me kartë. Blerje dyqan San Marino | 12.000 |
Udhëtimi në Washington DC (5 persona) | 25.000 |
Tarifa shkollimit Universitet UK (semester) | 13.000 |
Tutori (Univ) | 1.300 |
Lobimi në SHBA (GSIS) | 369.785 |
Lobimi McKeon | 200.000 |
Lobimi 3 | 244.000 |
Klinikat mjekesore estetike | 100.127 |
Blerja shtëpie | 998.000 |
Blerje nga karta Ema Çokut | 16.000 |
Blerjen nga BSK (Ema Çoku) | 17.000 |
Pagesë hoteli BSK për lobistet | 10.000 |
Shkolla e fëmijëve (Bora, Era, Besart) | 1.800.000 |
Blerje shopping nga karta Fatime Kryemadhi | 100.000 |
Vilë e shitur CASH tek Samir Mane | 800.000 |
TOTALI | 4.706.212 |
Shpjegimet e dhëna nga Fatime Kryemadhi nuk kanë qënë të besueshme për prokurorët. Zonja Kryemadhi i ka justifikuar burimin e transaksioneve të saj me shitje pronash, një herë tjetër marrje hua apo edhe në një rast 100 milionë lekë nga paratë e qokave për vdekjen e bashkëshortit. Prokuroria e Posaçme thotë se jo vetëm kaq por ajo dorëzoi kontrata huamarrjeje me Ema Çokun pasi u pyet në SPAK, ndërsa asnjë gjurmë lëvrimi parash nuk gjenden në banka.
E gjitha kjo skemë, ku sipas dosjes janë futur në sistemin bankar një shumë cash prej 846 mijë eurosh, ka ndodhur në një kohë kur Ilir Meta akuzohej për korrupsion në lidhje me aferën e CEZ-DIA me Kastriot Ismailajn.
“Me qëllim për të mos përdorur për blerjen e apartamenteve shuma parash me origjinë korruptive, apo të pajustifikuara ndërkohë që në këtë periudhë kohore Ilir Meta akuzohet edhe për një fakt korrupsioni në lidhje me shtetasin Kastriot Ismailaj, është përdorur si truk marrja fillimisht e dy kredive bankare… . Pra shumat e parave të ligjshme të përfituara nga kreditë, janë kthyer në bankë me para të paligjshme të përfituara nga veprimtari korruptive. Në këtë mënyrë, ajo ka mbuluar natyrën e vërtetë të shumave monetare të siguruara në mënyrë të paligjshme”.
Deri në publikimin e këtij shkrimi asnjë prej personave të përmendur në këtë shkrim nuk kanë komentuar pyetjet e dërguara nga “shteg.org”.
Ndërsa avokati i z.Meta ka kundërshtuar akuzat duke i konsideruar gjetjet e prokurorisë hamendësime pa fakte.
“Vendim që bazohet në hamendësime, në ndërthurje me hamendësim të rrethanave të caktuara. Te pjesa e mosdeklarimit të pasurisë situata është krejt tjetër, po e investigojmë dhe nuk bëjmë dot të ditur më shumë”, u shpreh Genc Gjokutaj.
Sebi Alla është gazetar me një ekperiencë të gjatë në median e shqiptare.
Alla ka punuar që nga viti 2000 në median e shkruar, ku ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi si dhe ka kryer një sërë hulumtimesh.
Gjithashtu ai ka punuar si redaktor dhe kryeredaktor në disa media të shkruara në Shqipëri.
Alla ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës.