Kapllanaj akuzon BKH-në për shkelje të ligjit pas incidentit në Fier-Patos

Një incident i ndodhur në Fier-Patos përshkallëzohet në përplasje fizike mes palëve, ndërkohë që Prokuroria e Posaçme hesht mbi hetimin e mundshëm për veprimet e BKH-së.

390
Agron Kapllanaj
Credits: LSA

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u përfshinë në një konflikt fizik me familjarë të ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, në rrugën Fier–Patos, pas një incidenti të ndodhur në ambientet e një biznesi në pronësi të familjes Kapllanaj. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së martës, kur agjentët po filmonin zonën me dron, pa u prezantuar dhe pa dhënë sqarime për praninë e tyre në pronën private. Situata u përshkallëzua kur familjarët e Kapllanajt tentuan të ndalonin makinën e agjentëve dhe më pas ndodhi përplasja fizike, ku ndërhyri edhe Policia e Shtetit.

Në reagimin zyrtar, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe SPAK thanë se veprimet ishin ligjore dhe nën mbikëqyrjen e prokurorëve të posaçëm, ndërsa individët që sulmuan agjentët janë shoqëruar. Ndërkohë, Agron Kapllanaj mohon çdo përfshirje në incident dhe pretendon se agjentët kanë vepruar në shkelje të ligjit dhe kanë tejkaluar kompetencat, duke mos respektuar asnjë procedurë ligjore gjatë pranisë së tyre në pronën private. Ai ka depozituar një kallëzim penal për ngjarjen.

Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë ende një përgjigje për pyetjet e adresuara nga “shteg.org” mbi nisjen e ndonjë hetimi administrativ për incidentin apo vlerësimin e ligjshmërisë së veprimeve të agjentëve të BKH-së.

Pretendime për tejkalim kompetencash

Agron Kapllanaj ka pretenduar se agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore, duke vepruar në territorin privat të biznesit të tij pa autoritet dhe duke shkelur procedurat ligjore gjatë ushtrimit të detyrës.

“Në bindjen time, organet ligjzbatuese që kanë qenë në territorin privat të biznesit janë në tejkalim të kompetencave dhe sjellja e tyre nuk përmbush detyrimet ligjore, pra janë në shkelje të ligjit dhe qartësisht në shpërdorim detyre” – thotë ish-kryetari i Mallakastrës për “shteg.org”.

Sipas kallëzimit të bërë nga vetë ish-kryebashkiaku, konflikti lindi kur një makinë e BKH-së ndaloi në parkingun e subjektit privat dhe agjentët ngritën një dron për të filmuar zonën, pa u prezantuar dhe pa dhënë informacion për veprimtarinë e tyre. Roja i njoftoi menjëherë drejtuesit e kompanisë, i cili mbërriti në vendngjarje dhe u përpoq të kuptonte arsyen e pranisë së tyre, por situata eskaloi pasi agjentët refuzuan të identifikoheshin dhe komunikimi u përshkallëzua në tension.

Sipas pretendimeve të Kapllanajt, drejtori i subjektit privat fotografoi targën e makinës së BKH-së për të identifikuar personat, gjë që u kundërshtua nga agjentët, të cilët kërkuan fshirjen e fotos. Ai thotë se u përballën me sjellje joetike dhe të papërshtatshme nga njëri prej zyrtarëve të BKH-së, çka e shtyu të bënte një kallëzim penal në polici, duke shprehur frikën për përfshirje të mundshme të ndonjë grupi kriminal.

Më vonë, nipërit e Kapllanajt ndaluan makinën e agjentëve në rrugën Fier-Patos dhe priten në vend policinë. Pikërisht në atë moment ndodhi përplasja fizike mes palëve, gjatë së cilës, sipas familjes Kapllanaj, agjentët nxorën armët dhe u prezantuan vetëm pas konfliktit.

Nga ana e saj, Byroja Kombëtare e Hetimit deklaroi se agjentët dhe oficerët e Policisë së Shtetit po ushtronin detyra hetimore të deleguara nga SPAK dhe se veprimet e tyre kanë qenë në përputhje me ligjin, nën mbikëqyrjen e prokurorëve të posaçëm.

“Janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë, Fier”, thuhet në deklaratën zyrtare.

SPAK nga ana tjetër nuk ka dhënë ende një reagim për pyetjet që “shteg.org” i ka adresuar në lidhje me pretendimet për tejkalim kompetencash nga ana e agjentëve të BKH-së dhe nëse ka nisur ndonjë hetim administrativ lidhur me incidentin.

Kjo mungesë reagimi ngre pikëpyetje mbi transparencën institucionale dhe mekanizmat e brendshëm të kontrollit në raste kur sjellja e zyrtarëve vihet në dyshim.

Ndërkohë, Agron Kapllanaj, në një deklaratë për “shteg.org”, u shpreh se i qëndron deklaratave të dhëna më herët në media dhe se nuk do të japë komente të mëtejshme për shkak të përmasave që ka marrë ngjarja në media.

“Tani është radha që të flasin organet e drejtësisë dhe personalisht kam besimin maksimal që e vërteta dhe e drejta do të prevalojë mbi çdo tentativë për ta manipuluar”, thekson ai.

Kapllanaj e konsideron sjelljen e agjentëve si shkelje të qartë të ligjit dhe si shpërdorim detyre, duke theksuar se prania e tyre në territorin privat ka qenë e pajustifikuar dhe jashtë çdo procedure normale.

Desada Sadiku
+ posts

Gazetare me përvojë në raportimin e kronikës së zezë dhe çështjeve politike në Shqipëri.
Gjithashtu, ajo ka qenë pjesë e “Investigative Journalism Lab” pranë “Albanian Center for Quality Journalism” (ACQJ).
Në SHBA ka marrë leksione të gazetarisë investigative në Kolegjin e Bostonit.

Desada ka përfunduar studimet në “Media Leadership and Management” dhe “Political Journalism” dhe ka qenë e angazhuar në projekte dhe internship-e që fokusohen në gazetarinë cilësore dhe hetimore.