Kërkohet dënimi me burg i 8 të pandehurve për aferën e inceneratorit të Tiranës

Prokuroria ka kërkuar dënimin me 4 vite burg të ish-ministrit Koka, i cili nëse gjendjet fajtor edhe për aferën e inceneratorit të Tiranës, në bashkim të vendimeve, rrezikon 15 vite heqje lirie.

558
8 të pandehurit për aferën e inceneratorit të Tiranës
Credits: shteg.org

Prokuroria e Posaçme ka dhënë sot, më 7 shkurt 2025, pretencën për 8 të pandehurit e Inceneratorit të Tiranës, mes tyre ish-Ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Gjatë seancës në GJKKO, SPAK ka kërkuar dënimin me 4 vite burg të ish-ministrit Koka, i cili gjykohet me gjykim të shkurtuar së bashku me 7 të akuzuarit e tjerë.

Ish-Ministri Lefter Koka dhe ish-zyrtarë të tjerë përballen me akuza për korrupsion dhe shpërdorim detyre duke favorizuar në mënyrë të paligjshme kompaninë koncesionare, një investim për të cilin janë paguar mbi 70 milion euro dhe që do të bënte djegien e mbetjeve të Tiranës, por që nuk u ndërtua kurrë.

Po për të njëjtat akuza dhe të njëjtën aferë, atë të inceneratorëve, Lefter Koka është gjendur fjatorë nga gjykata.

Për përfshirjen e tij në procedurat e ndërtimit të inceneratorit të Fierit, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka është dënuar me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar iu zbrit në 6.8 vite qëndrim pas hekurave.

Për inceneratorin e Elbasanit, ish-ministri Koka u dënua me 10 vite burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar do të kryejë 6.8 burg edhe për këtë çështje.

Ndaj ish-Ministri i Mjedisit dhe zyrtarët e tjerë rëndojnë akuzat e shpërdorimit të detyrës e kryer në bashkëpunim për dhënien e koncesionit dhe po ashtu ka dyshime se ish-funksionarët publik kanë bashkëpunuar me Klodian Zoton për të bërë gati të gjitha dokumentat për të fituar koncesionin për rehabilitimin e landfill-it dhe ndërtimin e inceneratorit të Tiranës.

“Ministria e Mjedisit ka pasur komunikim të hershëm me kompaninë e Klodian Zotos. Ata kanë bërë propozim të pakërkuar në lidhje me këtë koncesion. Po ashtu i është dhënë edhe një bonus prej 8% kompanisë, gjithashtu komisioni nuk ka pasur të qartë statusin e pronës në të cilët do të ndërtohej objekti.

Studimi i fizibilitetit është përgatitur nga shoqëria që fitoi koncesionin dhe është pranuar nga anëtarët e komisionit për dhënin e koncesionit.

Komisioni nuk ka përfshirë çështjen e dherave dhe nuk ka bërë përllogaritjen sa do të përfitonte kompania, nga palët e treta, duke i shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit. Çështja e dherave nuk është llogaritur tek kostoja 29 euro për tonë mbetje.’’ – deklaroi prokurori.

Sipas Prokurorisë, kontrata për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës, e lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy BV SPV”, është firmosur në shkelje të rëndë të procedurave ligjore, duke favorizuar në mënyrë të paligjshme kompaninë koncesionare.

Hetimet kanë zbuluar se projekti, me një vlerë prej 128.2 milionë euro pa TVSH, është manipuluar që në hapat e parë të tij, duke i krijuar përparësi një subjekti të paracaktuar për të fituar tenderin. Ky favorizim është mundësuar nga një zinxhir vendimmarrësish brenda Ministrisë së Mjedisit, të cilët kanë ndihmuar kompaninë “Integrated Energy BV” që të sigurojë kontratën koncesionare përpara se të hapej zyrtarisht gara.

Për ish-ministrin Lefter Koka prokuroria ka kërkuar dënimi me 4 vjet burgim, me zbritje të 1/3 së dënimit në bazë të gjykimit të shkurtuar, duke u reduktuar në 2 vite e 8 muaj.

Të njëjtat masa janë kërkuar edhe për të pandehurit Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha dhe Namik Simixhiu, të cilët akuzohen për të njëjtën vepër penale.

Për të pandehurat Valbona Ballgjini dhe Sidita Kopliku, prokuroria ka kërkuar 2 vite burgim, por me aplikimin e pezullimit të ekzekutimit të dënimit për një periudhë prove prej 4 vitesh, me kushtin që të mbajnë kontakte me shërbimin e provës dhe të mos kryejnë vepra të tjera penale.

Ndërkaq, për të pandehurin Jetmir Llapaj, prokuroria ka kërkuar dënimin me 2 vite burgim, me reduktim të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar të gjitha masave të kërkuara ju ulet 1/3 e dënimit. Po ashtu, për të gjithë të pandehurit SPAK kërkoi si dënim plotësues heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.