Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka reaguar ndaj sulmeve të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndaj prokurorit të çështjes së tij, duke deklaruar mbështetje të plotë për Dadon dhe gjithë prokurorët e SPAK.
Në deklaratën e tij, KLP shpreh shqetësimin për një fushatë të vazhdueshme sulmesh, etiketime denigruese dhe përpjekje për të ushtruar presion ndaj prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.
“Shprehim shqetësimin për fushatën e vazhdueshme të sulmeve, etiketimeve denigruese dhe përpjekjeve për presion ndaj prokurorëve të SPAK-ut në përgjithësi dhe në veçanti ndaj prokurorit të Prokurorisë së Posaçme Olsi Dado” – thuhet në deklaratë.
KLP i sheh sulmet e fundit ndaj prokurorisë si cënim të parimeve të demokracisë në vend.
“Çdo përpjekje për të ndikuar përmes presioneve publike apo debatit politik minon parimet e demokracisë”, thuhet në reagim.
Sipas KLP-së, këto sulme nuk vijnë vetëm nga media të caktuara, por edhe nga persona nën hetim ose të akuzuar, përfshirë zyrtarë të lartë, të cilët, përmes deklaratave publike, përpiqen të dëmtojnë besimin e qytetarëve në drejtësi.
“Deklarata të artikuluara jo vetëm nga disa segmente të caktuara mediatike, por edhe nga persona të përfshirë në hetime ose të akuzuar prej tyre, përfshirë zyrtarë të lartë, dëmtojnë integritetin dhe besimin në drejtësinë shqiptare. Sulmet verbale cenojnë procesin e drejtë hetimor dhe gjyqësor, si garanci themelore të shtetit të së drejtës” – vijon deklarata.
KLP thekson se çdo akuzë apo pretendim ndaj një prokurori duhet të trajtohet në rrugë institucionale dhe ligjore, duke shmangur çdo formë presioni publik apo politik.
“Çdo akuzë apo ankesë ndaj një prokurori, të trajtohet në përputhje me ligjin dhe brenda kuadrit institucional. Në respekt të një sistemi të pavarur gjyqësor, bëjmë thirrje për të treguar durim dhe maturi” – vijon deklarata e KLP e cila apelon për maturi dhe respekt ndaj pavarësisë së drejtësisë, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për të ndikuar në hetimet e SPAK përmes sulmeve mediatike dhe retorikës politike minon parimet themelore të demokracisë.
Në përfundim, KLP riafirmon mbështetjen e saj për prokurorin Olsi Dado dhe gjithë prokurorët e Shqipërisë, duke nënvizuar se funksionimi i drejtësisë duhet të bazohet vetëm në prova, fakte dhe një proces ligjor të drejtë, larg ndikimeve dhe presioneve politike.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.