Komisioni Hetimor Parlamentar për koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale mjekësore shkon drejt dështimit. Tre personazhet kryesore, që sipas opozitës janë përgjegjës për kontratën që i ka kushtuar buxhetit të shtetit 100 milionë euro, nuk u morën në pyetje. Mazhoranca bllokoi kërkesën e opozitës për të thirrur si dëshmitarë kryeministrin Edi Rama dhe biznesmenen Vilma Nushi, ndërsa ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, ndonëse u paraqit në komision, nuk mundi të jepte dëshminë.
Të dyja seancat hetimore parlamentare dështuan për shkak të përplasjes së vazhdueshme të mazhorancës dhe opozitës. Shkaku kryesor është dështimi i marrjes në pyetje për ish-ministrin Ilir Beqaj i cili në ditën e parë kërkoi t’i vihet në dispozicion një powerpoint, ku sipas tij do të tregonte arritjet e këtij koncesioni, të cilin ai vijon ta quajë të suksesshëm, por kjo kërkesë është refuzuar nga kryetarja e komisionit, Albana Vokshi.
Edhe ditën e dytë Beqja nuk u lejua të dëshmonte pasi përfaqësuesit e mazhorancës dhe opozitës nuk u dakordësuan mbi “modalitetin e dëshmisë”. Vetë Beqja kishte planifikuar një “analizë të gjatë” me arritjet e këtij koncesioni sipas tij, por kjo nga ana e opozitës u cilësua si propagandë dhe dëshmitari duhej t’i përmbahej vetëm pyetjeve konkrete.
Ndërsa Beqja bënte ecejake nga burgu në Kuvend, duke qëndruar 17 orë në pritje pa dhënë asnjë dëshmi, Konferenca e Kryetarëve rrëzoi dje kërkesën e PD-së për zgjatjen e mandatit të Komisionit Hetimor parlamentar për sterilizimin dhe check-up në shëndetësi.
Në kërkesën e PD-së për zgjatjen e hetimit parlamentar thuhet se “Komisioni nuk ka përmbushur të gjitha pikat e planit hetimor lidhur me marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe nuk është shkruar raporti i Komisionit, i cili në rastin më të mirë kërkon 10 deri në 14 ditë kohë përpara paraqitjes të tij në Komision dhe më pas në Kuvend. Nëse Komisioni nuk zgjat veprimtarinë e tij, nuk ka afat kohor për të shkruar raportin”. Kjo kërkesë u rrëzua me votat e mazhorancës.
Tashmë ky komision pritet që të dalë me dy raporte, një të opozitës dhe një të mazhorancës dhe të gjitha gjetjet do të dërgohen në Prokurorinë Speciale (SPAK) e cila ka në hetim të dyja koncesionet në shëndetësi.
Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ka ngritur akuzë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për shpërdorim detyre në lidhje me koncesionin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, një kontratë me vlerë rreth 100 milionë euro, të nënshkruar në vitin 2015. Hetimet e SPAK sugjerojnë se Beqaj ka favorizuar biznesmenin Ilir Rrapaj, fitues i koncesionit, dhe ka shpërdorur pozitat e tij duke mos respektuar ligjin dhe procedurat e parashikuara.
Në një deklaratë të bërë të ditur nga SPAK, thuhet se procedurat e ndjekura për dhënien e koncesionit nuk kanë qenë të përshtatshme dhe pavarësisht se kishte informacione për një qendër sterilizimi që mund të operonte me kosto më të ulët, Beqaj nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të anuluar kontratën. Ky veprim ka sjellë rritje të kostove dhe ka krijuar dyshime për abuzime me fondet publike.
Nga ana tjetër, Beqaj ka mohuar akuzat dhe ka mbrojtur veprimet e tij përmes mediave sociale, duke argumentuar se koncesioni ishte i nevojshëm për modernizimin e shërbimeve shëndetësore dhe se ai ka vepruar në përputhje me ligjin.
Një nga pikëpyetjet kryesore në hetimet e SPAK ka të bëjë me lidhjet personale dhe profesionale të Beqajt me biznesmenin Ilir Rrapaj, i cili ka fituar koncesionin. Akuzat sugjerojnë se marrëdhëniet e afërta midis të dyve mund të kenë ndikuar në procesin e dhënies së kontratës.
Ndërkohë, Beqaj është përfshirë në incidente të tjera që kanë nxitur më tej tensionet politike. Ai është akuzuar për kërcënime ndaj deputetëve të opozitës gjatë një debati mbi koncesionin, duke theksuar atmosferën e polarizuar që e shoqëron këtë çështje të nxehtë.
Mbledhja e ditës së djeshme u mbyll pa asnjë dëshmi nga ana e ish-ministrit, edhe pse ai ndenji për rreth 7 orë e gjysmë në ambientet e sallës ku zhvillonte punimet komisioni, ose në ambientet e tjera të Kryesisë së Kuvendit. Ai është aktualisht në paraburgim, pasi u arrestua më 4 korrik 2024 për një çështje tjetër që lidhet me abuzmin e fondeve të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik.