Konfiskohen pasuritë e ish-ministrit Lefter Koka

Pasuria me vlerën e 340 milionë lekëve, në pronësi të ish-ministrit të Mjedisit Lefter Koka dhe bashkëpunëtorëve të tij u konfiskuan nga Policia e Shtetit. Në këto pasuri përfshihen 5 shoqëri tregtare, 8 apartamente, truall dhe një ndërtesë.

756
ish-ministri Mjedisit Lefter Koka në sallën e gjyqit
Credit: NewsBomb

12 pasuri të paluajtshme dhe 5 shoqëri tregtare në emrin e zyrtarëve të përfshirë në aferën e inceneratorëve janë konfiskuar nga Policia e Shtetit pas vendimit të Gjykatës së Posaçme.

Këto pasuri, vlera në total e të cilave shkon 340 milionë lekë, ishin në pronësi të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe të bashkëpunëtorëve të tij: Agim Seferi, Arbër Denizi, Mateo Rustani dhe Miklovan Xhafa.

Vendimi i konfisktimit të pasurive, të cilat do të administrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, u mor në kuadër të procedimit penal të vitit 2020 ku ish-zyrtarët akuzoheshin për shpërdorim detyre, “korrupsion aktiv dhe korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendor” dhe fshehje të pasurisë.

Policia e Shtetit, zbatoi më 12 dhjetor vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për sekuestrimin e pasurive të 5 ish-zyrtarëve, ku përfshiheshin 8 apartamente, 5 shoqëri tregtare, sipërfaqe trualli dhe një ndërtesë.

Mes pasurive të konfiskuara janë dhe 88.19% e aksioneve të ish-ministrit Koka në shoqërinë tregtare “Kantina e Pijeve Gjergj Kastriot Skënderbeu”. Vlera e aksioneve në zotërimin e ish-ministrit shkonin mbi 244 milionë lekë.

Lefter Koka u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) më 14 dhjetor të vitit 2021 dhe më 8 nëntor të këtij viti, 2024, GJKKO-ja rriti masën ndëshkimore ndaj tij duke e dënuar me 6.8 vite burg.

Sipas hetimeve të kryera nga SPAK, Koka krijoi në vitin 2016 një rrjet kompanish të lidhura me njëra-tjetrën dhe të rregjistruara në emër të bashkëpunëtorëve të tij në Durrës. Rrjeti i kompanive që përbëhej nga “Pivot 04”, “Sili”, “Bellar Inert”, “J.P.Y”, “Deto”, “R. B. General Servis”, “Ital Beton” dhe “SH.SH” ka marrë paratë nga dy kompanitë e inceneratorit me anë të faturave fiktive, të cilat ishin lëshuar për punimet që nuk ekzistonin, ndërkohë që paratë gjeneroheshin nga buxheti i shtetit.

Paratë e marra për punimet e pakryera kalonin në rrjetin e kompanive të kontrolluara dhe më pas në llogaritë bankare të kompanive të gruas dhe vëllait të tij.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.