Konfiskohet pasuria e Alda Klosit, ish-zyrtarja e lartë e qeverisë Rama

Gjykata e Tiranës ka konfiskuar pasuritë e Alda Klosit ku përfshihet një apartament, garazh dhe një shumë prej rreth 850 mijë euro.

480
Rozeta Dobi dhe i biri Havier Dobi
Credits: LSA

Gjykata e Tiranës ka vendosur të konfiskojë pasuritë e ish-zyrtares së lartë, Alda Klosi, dhe ish-bashkëshortit të saj, pas hetimeve të nisura ndaj saj për fshehje të pasurive dhe mosdeklarim të burimeve të ligjshme të të ardhurave.

Pasuritë e konfiskuara përfshirë një apartament, garazh dhe një shumë të konsiderueshme parash, prej rreth 850 mijë euro.

Sipas hetimeve të nisura në vitin 2022, pasuritë që ka deklaruar Alda Klosi dhe ish-bashkëshorti i saj janë të pajustifikuara me të ardhurat e tyre të ligjshme. Këto pasuri, duke përfshirë apartamentin dhe garazhin, janë fshehur dhe nuk janë deklaruar në sistemin e ILDKPKI (Instituti i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfiskimit të Pasurive të Paligjshme).

“Rezultoi se e pandehura nuk ka deklaruar në këtë institucion pasurinë që nuk e justifikon atë me burime të ligjshme të të ardhurave. Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar rezulton se pasuritë e paluajtshme të llojit apartament dhe garazh, që zotërohen nga ajo dhe nga personi i lidhur, janë pasuri të pajustifikuara nga të ardhurat e ligjshme” – njoftoi prokuroria e Tiranës.

Hetimet e zhvilluara nga Prokuroria kanë nxjerrë në pah se pasuritë që janë deklaruar nga Alda Klosi dhe bashkëshorti i saj nuk mund të justifikohen me të ardhurat e ligjshme që ata kanë pasur. Sipas informacionit të siguruar nga hetuesit, këto pasuri janë përfituar përmes veprimeve të dyshimta, të cilat kanë çuar në sekuestrimin e shumave të mëdha monetare dhe pasurive të paluajtshme.

Alda Klosi, ish-shefe e kabinetit të ish-ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj, u arrestua në shkurt të vitit 2023 pas një hetimi që lidhej me një kallëzim të saj për vjedhjen e një shume të konsiderueshme parash në banesën e saj. 

Klosi raportoi se i ishin vjedhur 120,000 euro, 30,000 dollarë dhe disa bizhuteri në banesën e saj. 

Në janar të vitit 2023, pas hetimeve të mëtejshme, policia arrestoi Rozeta Dobi dhe Havier Dobi, nënë e bir, nën akuzën e vjedhjes. Gjatë kontrollit të shtëpisë së tyre u gjet një shumë prej 404,800 eurosh, 8,500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat ishin fshehur në tubin e aspirimit të banesës së tyre.

Pas arrestimit të Rozeta Dobit dhe Havier Dobit, pastruesja e Klosit, e cila u bë “e penduar”, pohoi se shumica e parave të gjetura në tubin e aspirimit i përkisnin Alda Klosit, duke përforcuar dyshimet për implikimin e saj në veprime të paligjshme.

Arrestimi i Klosit erdhi pas hetimeve të kryera për një vjedhje të ndodhur në dhjetor 2022, Gjykata e Tiranës e dënoi atë me 2 vjet e 6 muaj burgim për akuzën e “fshehjes së pasurisë”, ndërsa Rozeta Dobi dhe Havier Dobi u dënuan përkatësisht me 7 dhe 5 vjet burg për akuzën e vjedhjes me pasoja të rënda në bashkëpunim.

Më 3 tetor 2024, Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin për dënimin e Alda Klosit me 2.6 vite burg. Ajo përfitoi nga gjykimi i shkurtuar, duke i mundësuar që dënimi përfundimtar të ishte 1.8 vite burg. 

Po ashtu, dy persona të tjerë të përfshirë në këtë çështje, si pastruesja e Alda Klosit, Rozeta Dobi, dhe djali i saj Havier Dobi, morën dënime përkatëse. Rozeta Dobi u dënua me 4.8 vite burg për pjesëmarrjen e saj në veprimet e pastrimit të parave, ndërsa Havier Dobi mori një dënim prej 3 vitesh burg.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.