Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim çështjen që lidhet me abuzimet në tenderat e Universitetit Bujqësor të Tiranës, ku janë ngritur akuza ndaj 29 të pandehurve, përfshirë zyrtarë të lartë akademikë dhe përfaqësues të kompanive private.
Nga aktet e hetimit rezulton se 27 prej të pandehurve janë staf akademik dhe administrativ i universitetit, të akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike”, ndërsa dy të tjerët, përfaqësues të kompanisë “Krijon” sh.p.k, përballen me akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”.
Sipas hetimeve, zëvendësrektorët Romina Koto dhe Ilir Kapaj, së bashku me përgjegjësin e departamentit Bejo Bizhga dhe administratorin Edmond Tërthorja, kanë hartuar projekte me të dhëna fiktive për të përfituar fonde nga Agjencia Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin (AKKSHI).
Pas sigurimit të financimeve, grupi ka vijuar me manipulimin e procedurave të prokurimit, duke favorizuar në mënyrë të qëllimshme disa operatorë ekonomikë të paracaktuar.
“Janë hetuar nëntë procedura prokurimi me një vlerë totale prej 90 milionë lekësh. Nga vëzhgimet, përgjimet telefonike dhe dokumentacioni, rezulton se kemi të bëjmë me një skemë të mirëstrukturuar”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.
Nga përgjimet telefonike, vëzhgimet e Policisë së Shtetit dhe administrimi i dokumentacionit të tenderëve, është zbuluar se grupi i zyrtarëve ka krijuar një rrjet të strukturuar për të siguruar që kontratat e UBT-së t’u kalonin vetëm disa kompanive të caktuara.
Prokuroria thotë se pas sigurimit të fondeve, janë kryer veprime të kundërligjshme në procedurat e prokurimit, ku 21 anëtarë të njësisë së prokurimit dhe komisioneve të vlerësimit kanë favorizuar kompanitë: “Krijon” sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k dhe “Malvina Visoka PF”, duke u garantuar atyre fitore të paracaktuara në tendera.
Në të gjitha procedurat e prokurimit të mësipërm, operatorët ekonomikë fitues, “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF”, kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara, në emër të shoqërive tregtare të tjera, që janë përdorur nga autoriteti kontraktor dhe kanë ndikuar në fryrjen e fondit limit, pa kryer asnjë studim tregu.
Hetimet janë fokusuar në nëntë procedura prokurimi të zhvilluara gjatë vitit 2022, me një vlerë totale prej 90 milionë lekësh, ku sipas SPAK është krijuar një rrjet i strukturuar që synonte t’i kalonte fondet vetëm tek operatorë të lidhur ngushtë me zyrtarët e universitetit.
“Në të gjitha procedurat e prokurimit të mësipërm, operatorët ekonomikë fitues, “Krijon”sh.p.k, “Zero Group”sh.p.k, dhe “Malvina Visoka PF”, kanë siguruar oferta ekonomike të falsifikuara, në emër të shoqërive tregtare të tjera, që janë përdorur nga autoriteti kontraktor dhe kanë ndikuar në fryrjen e fondit limit, pa kryer asnjë studim tregu – thuhet në njoftimin e SPAK.
Sipas SPAK, veprimet e kundërligjshme kanë qenë të qëllimshme dhe të përsëritura në kohë. Struktura e përfshirë ka vepruar në bashkëpunim të ngushtë me kompani private, duke garantuar që fondet publike të shkonin gjithmonë te subjektet e njëjta.
“Janë evidentuar raste të kryerjes së procedurës së prokurimit me operator eknomik të paracaktuar fitues, për pajisje me mallra të tjera, të vëna në dispozicion të autoritetit kontraktor disa muaj para shpalljes së procedurave të prokurimit, (procedura prokurimi të zhvilluara pas administrimit më parë të këtyre paisjeve, për të cilat më pas, janë kryer procedurat fiktive të prokurimit dhe marrje e tyre në dorëzim)” -vijon njoftimi i SPAK.
Më 25 shkurt të këtij viti Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK firmosi, masat e sigurisë për 24 shtetas duke përfshirë dy zëvendës rektorët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, dy pedagogë dhe staf administrativ.
Ndaj Ilir Kapaj, zëvendës rektor për mësimin dhe Romina Koto zëvendës rektore për marrëdhëniet me institucionet dhe publikun dhe shtatë persona të tjerë, është caktuar masa e detyrimit për paraqitje.
Pesë të dyshuar u dërguan nën masën e arrestit me burg, ndërsa 10 të tjerë, përfshirë dhe dy pedagogët Dritan Laçi dhe Ilir Kusi, po mbahen nën masën e arrestit në shtëpi.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.