Dritan Rexhepi, kreu i kartelit ndërkombëtar të drogës, njohur si “Kompania Bello” u ekstradua nga Turqia drejt Shqipërisë pas më shumë se një viti nga arrestimi i tij. Rexhepi u arrestua në Stamboll më 10 nëntor të vitit 2023 ndërkohë që kërkohej nga Shqipëria dhe Italia për kryerjen e disa veprave penale, që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike, falsifikim dhe vrasje me paramendim.
Ai është përballuar disa herë me drejtësinë shqiptare dhe atë të huaj, ndonëse gjithnjë ja ka arritur të arratiset. Në Shqipëri akuzohet për vrasjen e dy policëve në Fushë Krujë në vitin 1998, si dhe për vrasjen e Jak Prengës.
Ai u arrestua në vitin 2014 në Ekuador gjatë tranportimit të 278 kg kokainë, por arriti të fitonte lirinë e parakohshme pas pretendimeve se përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Raportet mjekësore që i “siguruan” lirinë Rexhepit u cilësuan si të falsifikuara nga ish-kandidati për president në Ekuador, Fernado Villavicencio.
Ekstradimi
Rreth ores 14:00 Dritan Rexhepi, i njohur ndryshe edhe si Gramos Rexhepi mbërriti në aeroportin e Rinasit nga ku i shoqëruar prej 4 furgonave të Policisë iu drejtua burgut të 313-s.
45-vjeçari u ekstradua sot, më 8 janar, nga Turqia pas më shumë se një viti arrestim nga autoritetet turke.
Sipas njoftimit të bërë nga ministri i Brendshëm të Turqisë më 2023-shin, Ali Yerlikaya, Rexhepi u arrestua në Stamboll më 10 nëntor të vitit 2023 gjatë një operacioni policor ndërkohë që kishte mundur të hynte në shtetin turk nëpërmjet përdorimit të një pasaporteje kolumbiane fallco me emrin Benjamin Omar Perez Garcia.
Rexhepi është cilësuar nga Policia e Shtetit Shqiptar si “person me rrezikshmëri të lartë shoqërore” për shkak të kryerjes së disa veprave penale, duke nisur nga rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit, zhdukja e kufomës, armëmbajtja pa leje deri tek grup i strukturuar kriminal.
Dritan alias Gramos Rexhepi është përballur disa herë me Drejtësinë vendase dhe atë të huaj për shkak të veprimtarisë së tij kriminale.
Në vitin 2010 ai është gjykuar nga Gjykata e Apelit të Firences me 16 vjet burgim pasi kishte kryer veprën penale të pjesëmarrjes në një grup të strukturuar kriminal. Sipas Policisë së Shtetit, si pasojë e arratisjes nga Italia, Rexhepit i ka mbetur për të shlyer edhe 13 vjet, 8 muaj dhe 6 ditë burgim.
Në vitin 2013 ai u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 25 vite burg për shkak të konsumimit të veprave penale që lidheshin me vrasjen me paramendim, plagosjen e rëndë me dashje të personin, kryer në bashkëpunim, si dhe prodhim e armëmbajtje paleje. Ky dënim nga Gjykata e Krimeve të Rënda lidhej me vrasjen e e dy shtetasve në një lokal të Krujës më 6 tetor të vitit 1999, ndërkohë që më herët, në vitin 1998 Rexhepi ishte akuzuar për vrasjen e dy policëve, Arben Keqi dhe Durim Kasmi në Fushë-Krujë.
Më 2015-n, ai u dënua nga Gjykata e Fierit me 4 vjet burgim për veprat penale të falsifikimit të mjeteve të identifikimit dhe të vulave, stampave ose formularëve. Ndërkohë, 5 vite më pas, më 2020-n Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, ”Fshehja dhe asgjësimi i kufomës”, “Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
“Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin G. D., ka urdhëruar rrëmbimin e shtetasit J. P (Jak Prenga) pasi dyshonte se në vitin 2019, vëllai i shtetasit J. P., kishte vjedhur në Angli, një kontenier me lëndë narkotike në pronësi të 45-vjeçarit dhe bashkëpunëtorit të tij”,- deklaron Policia e Shtetit.
I shumëkërkuar nga disa shtete
Dritan Rexhepi është një nga emrat më të kërkuar prej Interpolit dhe aktualisht kërkohet nga disa shtete të ndryshme, si: Shqipëria, Italia, Spanja, Belgjika dhe Holanda. Në vendet ku ka kryer veprimtaritë e tij kriminale, ndaj tij janë vendosur epitete të ndryshme, duke nisur nga “Mbreti I arratisjeve” e deri te “cari i kokainës” në Ekuador.
Në vitin 2011 ai u arratis nga burgu i Pavia, Itali pasi kishte arritur të priste me sharrë hekurat. Ndonëse ai u arrestua po në të njëjtin vit nga policia Spanjolle, sërish arriti të arratisej pasi u ekstradua drejt burgut të Belgjikës.
Gjatë operacionit “Los Blancos” të shtrirë në 10 shtete ku kryhej veprimtaria kriminale e trafikimit të lëndëve narkotike, në vitin 2020 ai u cilësua si “koka” e “Kompanisë Bello” që importonte lëndë narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Evropës.
Ai u arrestua në vitin 2014 në Ekuador gjatë kohës kur ishte duke transporuar një ngarkesë prej 278 kg kokainë. Megjithatë, ai e apeloi vendimin duke pretenduar se emri i tij i vërtetë ishte Lulëzim Murataj dhe autoritetet kishin ngatërruar person.
Sipas “Primicias”, media në Ekuador, Rexhepi mundi të fuqizojë pushtetin e tij gjatë kohës kur vuante dënimin në burgun e Guayaquilit dhe Cotopaxi-t në Amerikën Latine, Ekuador.
“Prokurorët italianë thonë se gjatë viteve të burgimit, Rexhepi rriti “ekzponencialisht aktivitetet e tij kriminale”, si drejtues i ‘Kompania Bello’, një kartel që përfshin 14 klane kriminale shqiptare që kontrollojnë trafikun e kokainës në Europë”, – shkruan Primicias ndërkohë që shton se autoritetet në Ekuador i dhanë lirinë e parakohshme Rexhepit pas pretendimeve se vuante nga lupusi (një sëmundje kronike autoimune, ku sistemi imunitar i trupit sulmon gabimisht indet dhe organet e veta) dhe gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar në mungesë së kujdesit mjekësor.
Marrja e lirisë së parakoshme prej Rexhepit, nuk kaloi pa marrë vëmendjen në median e Ekuadorit, teksa në prill të vitit 2023, ish-kandidati për president Fernado Villavicencio, i vrarë në gusht të 2023-shit, deklaroi se Rexhepi kishte fituar lirinë falë raporteve të falsifikuara mjekësore.
“Pas kësaj, nuk pati më informacion për shqiptarin deri më 10 nëntor, kur kryeministri turk, Ali Yerlikaya, njoftoi kapjen e tij në Stamboll”, – përfundon media e Ekuadorit.
Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.