Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, bëri të ditur në një takim informal me gazetarët se janë administruar 193 materiale në lidhje me krimet zgjedhore gjatë zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
“Janë administruar gjithsej 193 materiale, prej të cilave 56 kallëzime janë bërë nga subjektet politike, 1 nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në burgje, 35 nga Policia e Shtetit dhe 10 çështje janë nisur kryesisht nga vetë SPAK,” tha Dumani.
Ai njoftoi se janë regjistruar 43 procedime penale, nga të cilat 39 mbeten ende nën hetim.
“Janë lëshuar gjithashtu 17 urdhër kontrolli për banesa, zyra dhe persona, të cilat kanë dhënë rezultate të kënaqshme, duke sjellë në dorëzim prova të rëndësishme.”
Nga vendimet për mosfillim hetimi, vetëm 3 janë ankimuar në gjykatë, por të gjitha janë rrëzuar, duke konfirmuar vendimet e SPAK.
Në lidhje me tipologjinë e kallëzimeve, Dumani theksoi se “pjesa më e madhe e tyre kanë qenë mbi të ashtuquajturin ‘asfalt elektoral’, punësime të paligjshme në administratë dhe raste të shitblerjes së votës.”
Ai shtoi se shumica e kallëzimeve për shitblerje votash nuk janë shoqëruar me prova konkrete.
Deklaratat e kryeprokurorit mbi krimet zgjedhore janë kundërshtuar si skandal nga Partisë Demokratike.
Kreu i saj, Sali Berisha e akuzoi Altin Dumanin se është kthyer në “avokat të krimit elektoral” dhe se është “përgjegjësi i dytë pas Edi Ramës” për atë që ai e cilësoi si “farsa zgjedhore e 11 majit”.
“Të garantoj se asnjë kallëzim të vetëm penal, opozita nuk ka bërë pa prova zyrtare të pakundërshtueshme,” deklaroi Berisha, duke shtuar se pretendimi i Dumanit se kallëzimet nuk kanë qenë të mbështetura në prova përbën “skandal”.
Në të njëjtin bashkëbisedim me gazetarët, kreu i SPAK komentoi edhe debatet politike për kufizimin e kompetencave të SPAK, duke theksuar se këto janë vendime që i përkasin politikës.
“Nëse politika vendos të mos bëjë ndryshime, apo të reduktojë pavarësinë e SPAK, kjo është përgjegjësi e saj. Ne kemi ndërtuar besimin e qytetarëve në këto 5 vite e 8 muaj punë,” tha Dumani.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.