Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca e radhës për dosjen “Plumbi i Artë”, ku i penduari i drejtësisë, Erion Alibej, dha dëshmi të detajuara mbi vrasjen e Bujar Çelës më 17 tetor 2020. Ai rrëfeu se motivi i ekzekutimit lidhej me lidhjen familjare të viktimës me Talo Çelën, një nga figurat kryesore të krimit në Elbasan, dhe konfliktet që nisën mes grupeve kriminale për kontrollin e trafikut të drogës.
Alibej shpjegoi se konflikti u ndez pas masakrës së Bradasheshit në 2018, që i mori jetën të vëllait dhe familjarëve të tjerë, dhe se vrasjet u kryen për shkak të një ngarkese prej 530 kilogramësh kokainë që po trafikohesh për në Turqi.
Ai tregoi lidhjet e tij me narko-trafikantin Dritan Gjika dhe përshkroi se vrasjet ishin pjesë e një lufte të egër për dominim dhe përfitime ekonomike mes bandave rivale.
Në dëshminë e tij, i penduari Alibej përshkroi edhe detajet e organizimit të atentatit ndaj Bujar Çelës, duke treguar rolin kryesor të Nuredin Dumanit dhe dhënien e armës së përdorur në vrasje. Ai zbuloi gjithashtu përfshirjen e informatorëve dhe elementëve të korruptuar në policinë lokale, duke nxjerrë në pah një rrjet kriminal të lidhur me strukturat shtetërore.
Pazaret e drogës
Rrëfimi i Erion Alibejt nisi me rrethanat që çuan në një sërë ngjarjesh kriminale ku paraja dhe pushteti përmes trafikut të drogës shkaktojnë tragjedi familjare dhe konflikte të pashlyera.
I penduari i drejtësisë, sqaroi në detaje rrënjët e konfliktit që shpërtheu në masakrën e Bradasheshit në vitin 2018. Ai tregoi se vetë dhe vëllai i tij, Endrit Alibej, kishin nisur një marrëveshje biznesi në trafikun e drogës, duke bashkëpunuar me narko-trafikantin e njohur Dritan Gjika dhe një mik të familjes, shtetasin turk.
Sipas tij, kjo lidhje kishte nisur një ngarkesë prej 530 kilogramësh kokainë që vinte nga Ekuadori dhe kishte destinacion Turqinë.
“Unë dhe Endriti kishim nisur një marrëveshje biznesi. Me trafikim droge normalisht, por s’kemi qenë kurrë përzier me vrasje. Kemi pasur njeriun më të rëndësishëm, u lidhëm me Dritan Gjikën. Endriti dhe shtetasi turk që u vra, mik i familjes tonë, kishim nis një ngarkesë prej 530 kg kokainë për në Turqi. Kishim investuar gjithçka aty,” – rrëfeu Alibej në gjykatë.
Alibej tregoi se i vëllai, xhaxhai Arben Dylgjeri dhe miku turk i familjes, u vranë sepse zotëronin një ngarkesë me 530 kg kokainë nga Ekuadori.
“Kishte dy javë që ishte nisur ngarkesa. Vranë dy njerëzit kryesorë të kësaj ngarkesë, Endritin dhe turkun, që kishin rol kryesor të nxjerrjes së drogës nga porti. Endriti fliste me njerëzit pa të keq. Ata jo vetëm që vranë njerëzit kryesorë të mi, por më goditën ekonomikisht” -rrëfeu Alibej.
Anija mbërriti në portin e Mersinit, ndërsa vrasjet u kryen në një kohë shumë të shkurtër dhe sipas Alibejt, një prej personave me interes për nxjerrjen jashtë loje të vëllait të tij ishte Suel Çela, rival në këtë betejë kriminale.
“Suel Çela ka pasur interes me nxjerrë Endritin jashtë loje” – tha Alibej i cili pas ngjarjes tragjike, ishte detyruar të largohej në Angli.
“Mora rrugën e Anglisë, në të gjithë Londrën bëra shumë shitje, dhe të gjithë më përmendnin. Punova fort. Por gjithçka fitova e shpenzova për mbrojtje, kisha pesë familje për të mbrojtur.” vijoi Alibaj duke theksuar se në këtë histori kishte dhe borxhe të mëdha financiare nga njerëz që ishin në hetim, duke aluduar se përtej vrasjeve dhe konflikteve, pasonte një rrjet i gjerë interesash dhe llogarish të pazgjidhura” – vijoi rrëfimin i penduari i drejtësisë.
Sipas Alibejt, kjo ngjarje nuk ishte një rastësi, por rezultat i një konflikti të gjatë mes grupeve kriminale që kërkonin dominimin në tregun e drogës në Elbasan.
Në këtë klimë të tensionuar dhe të rrezikshme, asnjë prej palëve nuk mund të hiqte dorë nga hakmarrja dhe lufta për mbijetesë. Alibej përshkruan se si kjo luftë për narkotikët u shndërrua në një seri vrasjesh të ndërlidhura, ku çdo ekzekutim ishte një përgjigje për atë të mëparshmin, duke krijuar kështu një zinxhir vrasjesh në Elbasan.
Hakmarrja

Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës, më 17 tetor 2020 gjendej në fshatin Bradashesh në kafenenë pranë rreth rrotullimit.
Sapo kishte nisur të konsumonte kafenë kur një breshëri plumbash e rrëzojnë në tokë. Autorët e qëlluan edhe dy herë nga afër për t’u siguruar që e kishin eliminuar përfundimisht.
Hetimet zbuluan se autor ishte pikërisht Nuredin Dumani ndërsa Alibej pranoi se ka planifikuar vrasjen si hakmarrje ndaj të vëllait.
Gjatë dëshmisë dhënë para gjykatës ai rrëfeu detaje mbi organizimin e atentatit ndaj Bujar Çelës, duke përmendur bashkëpunimin me Nuredin Dumanin si organizator kryesor dhe dhënien e armës që u përdor në atentat.
“Bujar Çela u vra për shkak të lidhjes së tij familjare me Talo Çelën,” tregoi Alibej gjatë seancës, duke nënvizuar se “Talo është një nga figurat kyçe të botës së krimit.”
Alibej rrëfeu se për planifikimin e atentatit ndaj Emiljano Ramazanit dhe tentativën për të implikuar Talo Çelën duke futur armën e krimit në shtëpinë e tij.
“Pas vrasjes së Emiljano Ramazanit mendova të fus armën e krimit në banesën e Talo Çelës, për të hedhur fajin mbi të,” tha ai. “Kisha bashkëpunuar me Xhuliano Hoxhën për këtë, por plani dështoi.”
Plani dështoi ndaj u vendos të eliminohej fizikisht Bujar Çela.
“Plani nuk u realizua, ndaj u vendos të eliminohej fizikisht Bujar Çela”, – deklaroi Alibej.
Alibej thotë se fillimisht për këtë atentat u angazhuan, “kusho” Skerdi Tase dhe “nipçja” Henrik Hoxha, por për arsye të paqarta ata u tërhoqën.
Më pas, organizimi i atentatit kaloi në duart e të njohurve si “çunat e Fushë-Krujës”, konkretisht Besian Xhixha dhe Enver Diva, të cilët u vendosën për disa ditë në një kapanon pranë Cërrikut, afër vendit ku pritej të kalonte Bujar Çela.
Sipas tij, organizimi i planeve të vrasjes nuk ishi të të rastësishme, por pjesë e një planifikimi të gjatë mes grupeve rivale në Elbasan.
“Për vrasjen e Bujar Çelës, i dhashë pistoletë Nuredinit, modeli Bull 55” – Deklaroi Alibeaj duke shpjeguar se Nuredin Nuredini ishte organizatori kryesor i vrasjes.
Ditën e atentatit, autorët qëndruan pranë lokalit në fshatin Brosh, duke pritur momentin për të hapur zjarr. Pas krimit, makina u dogj për të fshirë gjurmët.
Sipas rrëfimit, Alibej kishte një radio që përgjonte rrugët dhe i dha sinjal autorëve për të lëvizur pa rrezik ndërsa deklaron se i dërgoi Nuredin Dumanit një shumë prej 65-70 mijë eurosh.
Dita pas vrasjes së Bujar Çelës solli edhe arrestimin e Alibejt. Ai rrëfen momentin kur pa autokolonën e policisë: “Të nesërmen pashë një autokolonë policie poshtë shtëpisë. Nuk bëra rezistencë. Që nga ajo ditë jam arrestuar.” – deklaroi Alibeaj.
Rrjeti i bashkëpunëtorëve
Përtej ekzekutimeve, dëshmia e Alibejt hedh dritë mbi rrjetin e informatorëve dhe përfshirjen e punonjësve të policisë në këto ngjarje. Ai thotë se informatori Xhuliano Hoxha luante një rol kyç në mbledhjen e të dhënave dhe monitorimin e viktimave:
“Xhuliano më siguronte të dhëna për lëvizjet e Bujar Çelës dhe komunikonte me të përmes telefonëve të inkriptuar. Ai është paguar vazhdimisht për këtë punë.”
Alibej pretendon se Hoxha ishte i përfshirë edhe në informimin e çështjeve të tjera, përfshirë informacione mbi grupin e Çopjave, dhe se ishte paguar në mënyrë të vazhdueshme.
Por nga kafazi, Xhuliano Hoxha ka mohuar përfshirjen në atentat, duke deklaruar se në kohën kur është vrarë Bujar Çela ka qenë në burg.
“Nëse jam i përfshirë, më jepni 300 vjet burg”, tha ai para gjykatës, duke akuzuar Alibejn për shpifje. Ai deklaroi se me Alibejn njihen që nga fëmijëria dhe se janë shokë të vjetër, ndryshe nga sa është pretenduar më parë nga vetë Alibej.
Megjithatë, Hoxha nga burgu mohoi çdo përfshirje dhe e akuzoi Alibejt për shpifje, duke thënë:
“Në kohën e vrasjes isha në burg. Nëse jam fajtor, më jepni 300 vjet burg.”
Ai përshkroi gjithashtu planet për të implikuar rivalët, përfshirjen e informatorëve dhe lidhjet me punonjës të policisë, duke ngritur akuza për korrupsion dhe bashkëpunim me krimin.
Në fund të seancës, që zgjati me orë të tëra, mbrojtja e të akuzuarve ngriti dyshime të forta për vlefshmërinë e deklarimeve të Alibejt. Avokati Sokol Hazizaj kërkoi që gjykata të mos e pranojë dëshminë si provë, duke argumentuar se “dëshmia e Alibejt është e tërthortë dhe e pabesueshme në thelb”.
Ndërkohë, avokati tjetër, Genti Rumano, deklaroi se mbrojtja po trajtohej si “figurante” në proces, pasi nuk u ishte vënë në dispozicion deklarata e mëparshme e Alibejt dhënë në prokurori. Si pasojë e këtyre pretendimeve, seanca u ndërpre dhe do të vijojë të enjten në orën 10:00.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.