Kroacia bllokon 8 tonë domate shqiptare për mbetje pesticidi

Administrator i kompanisë “Era-Fruit” dhe dy inspektorë të AKU Berat përfundojnë në pranga. Analizat zbuluan përmbajtje gjashtëfish mbi normën e lejuar të Chlorfenapyr.

8
Sasia e Domateve të bllokuara
Credits: shteg.org - Sasia e Domateve të bllokuara

Autoritetet kroate kanë bllokuar një ngarkesë prej 8 tonësh domate të eksportuara nga kompania shqiptare “Era-Fruit”, pasi analizat zbuluan përmbajtje të lartë të pesticidit Chlorfenapyr.

Autoritetet thanë se analizat treguan se domatet kishin 0.06 mg/kg Chlorfenapyr, gjashtëfish mbi kufirin e lejuar prej 0.01 mg/kg dhe se ngarkesa u asgjësua nga pala kroate dhe informacioni u shpërnda nëpërmjet sistemit evropian të alarmit të shpejtë për ushqimin (RASFF).

Chlorfenapyr është një pesticid i fuqishëm me veprim insekticid dhe akaricid, i përdorur për të kontrolluar insekte dëmtuese të ndryshëm në kulturat bujqësore.

Megjithatë, Bashkimi Europian ka vendosur kufij të rreptë për mbetjet e tij në produkte ushqimore, pasi ekspozimi ndaj sasive të larta të Chlorfenapyr mund të shkaktojë probleme serioze për shëndetin.

Hetimet në Shqipëri zbuluan se Mariglen Qorri, administrator i firmës eksportuese, kishte përdorur fatura fiktive blerjeje nga fermerë të tjerë për të fshehur origjinën e produktit. Ndaj tij u lëshua një urdhër arresti pasi dyshohet se Qorri ka manipuluar dokumentet për të shmangur përgjegjësinë ligjore.

Po ashtu, në pranga ranë dy inspektorë të AKU Berat, Griselda Doksani dhe Ronaldo Lika, të cilët akuzohen se kanë plotësuar dokumentacion fiktiv dhe nuk kanë marrë mostra të domateve gjatë kontrolleve.

Pas ndalimit të administratorit, u vunë në pranga edhe dy inspektorë të AKU Berat, pasi gjatë kontrollit që kanë kryer në këtë subjekt, kanë plotësuar praktikën në mënyrë fiktive.

Sipas hetimeve, inspektorët, Griselda Doksani dhe Ronaldo Lika, pasi kanë kryer kontrolle në subjektin “Era-Fruit”, nën administrimin e Mariglen Qorrit, rezulton të kenë plotësuar në mënyrë fiktive të dhënat e subjektit në shqyrtim, duke mos bërë marrjen e mostrave të domateve që ndodheshin në magazinë, për të vijuar më tej bllokimin e tyre.

Dy inspektorët nuk kanë verifikuar edhe faturat fiktive të prodhuesit, por kanë marrë si të rregullta faturat fiktive të blerjeve nga administruesi i kompanisë, veprime që çuan në tjetërsimin e fakteve që lidhen me produktet e konstatuara me nivele të larta preparati.

“Nga kontrolli i ushtruar në magazinën e shtetasit Mariglen Qorri, u sekuestruan perime të ndryshme dhe u morën mostra për analiza, pasi dyshohet se mund të jenë me përbërje të lartë preparatesh” – citohet në njoftimin zyrtar të policisë.

Ekspertët theksojnë se Chlorfenapyr është pesticid i fuqishëm, toksik për njeriun dhe mjedisin, dhe mbi doza të larta mund të shkaktojnë probleme shëndetësore si marramendje, të vjella, dëmtime të mëlçisë dhe veshkave.

“Çdo mbetje pesticidi është e dëmshme për organizmin e njeriut. Prandaj kanë një kohë të caktuar për degradimin e tyre, dhe nuk duhet vjelë prodhimi nëse është trajtuar për një periudhë 2 javore ose 4 javore, në varësi të preparatit” – thotë eksperti i sigurisë ushqimore Kristaq Sini.

Ai shton se shpesh frutat mblidhen menjëherë pas trajtimit me kimikate, duke bërë që përqendrimi i mbetjeve të mbetet i lartë në produkt. “Nuk e jep efektin menjëherë siç e japin helmimet nga mikroorganizmat, por dëmton në mënyrë të vazhdueshme organizmin,” – vijon eksperti.

Gjithashtu, ai ngriti shqetësimin për ndikimin e ndotjes së mjedisit, sidomos në zonat afër lumenjve dhe ish-industrive metalurgjike.

“Nëse janë kultivuar në tokat në afërsi të pellgut të Shkumbinit, mund të kenë mbetje nga industria metalurgjike që nëpërmjet ujërave nëntokësorë përhapen dhe përthithen nga bimët,” – paralajmëron Sini.

Ky nuk është rasti i parë, në nëntor 2024, Kroacia bllokoi 10 ton mandarina shqiptare me mbetje të lëndëve të ndaluara, ndërsa më herët, në mars 2025, Shqipëria u përball me raste serioze kontaminimi nga importet e mishit të pulës me salmonelë.

Ekspertët e sigurisë ushqimore paralajmërojnë se përdorimi i pesticideve pa respektuar periudhat e dekompozimit, si dhe mungesa e kontrolleve rigoroze, përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve dhe cenojnë imazhin e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.