Gjykata e Posaçme shpalli fajtor për krim zgjedhor Kryetarin e Bashkisë Rrogozhinë, Edison Memolla. Ai akuzohet për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, vepër penale e kryer gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale të vitit 2022.
Në njoftimin e GJKKO-së, thuhet se Memolla e ka kryer këtë vepër penale në bashkëpunim dhe sipas ligjit shqiptar kjo vepër dënohet me 1 vit burg, ndërkohë që atij tashmë i ndalohet të ushtrojë fuksionin publik për 5 vite.
Kjo çështje u dërgua për gjykim nga SPAK në nëntor të vitit 2023, ku Memolla, së bashku me tre persona të tjerë, të akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe falsifikim dokumentesh.
Sipas SPAK, ai ka ushtruar ndikim mbi elektrikiçistin Blerim Xhamani, duke i kërkuar që të mos i ndërpriste energjinë një abonenti debitor në këmbim të votës për të në zgjedhjet e pjesshme lokale të marsit 2022. Po ashtu, Memolla ka bërë kompromise me Xhamanin për punësime në Bashkinë Rrogozhinë, në këmbim të mbështetjes elektorale.
Xhamani u akuzua për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe falsifikim dokumentesh, pasi së bashku me Isuf Toskun, kanë manipuluar procesverbalin e ndërprerjes së energjisë, duke paraqitur të dhëna të rreme. Ndërkohë, Ndriçim Tafxhafa është akuzuar për premtime të rreme ndaj një shtetaseje, për shlyerjen e borxheve ndaj OSHEE dhe për strehim, me kërkesën që ajo të votonte për një kandidat të caktuar në zgjedhjet lokale.
“Dënimi të fillojë nga dita e ekzekutimit të vendimit penal dhe të vuhet në një burg të sigurisë së zakonshëm” – deklaron Gjykata e Posaçme, ndërkohë qe Memolla u shpreh për gazetarët se do të realizojë një deklaratë për mediat në momentin e zbardhjes së vendimit.
Hetimet ndaj kryebashkiakut nisën pas publikimit të një audio-përgjimi në media, ku Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, dëgjohej teksa I kërkonte elektricistit Blerim Xhamani të mos I ndërpriste energjinë elektrike një abonenti debitor.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, kjo ndërhyrje kishte për qëllim sigurimin e votës së qytetarit në favor të tij gjatë zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit 2022, çka bëri që SPAK të kërkonte më 27 dhjetor të vitit të kaluar, 2024, dënim me masë minimale për Memollën.
Pavarësisht publikimit të këtij materiali në media, Edison Memolla u shpall si kandidati i përgjedhur me votë për të drejtuar Rrogozhinën.
Rasti i këtij Kryebashkiaku nuk është i vetmi ku persona me funksion publik janë përfshirë në krime zgjedhore.

Për vitin 2022, janë regjistruar gjithsej dy kallëzime penale lidhur me veprat e korrupsionit gjatë zgjedhjeve. Nga këto kallëzime, janë hapur dy procedime penale. Gjithashtu, janë dërguar në Gjykatë tre procedime penale, dy prej të cilave janë kërkuar të pushohen, ndërsa tre të tjera kërkojnë të kalojnë për gjykim. Ndërkohë, deri në Maj të vitit 2023 janë regjistruar 46 kallëzime penale për korruspionin në zgjedhje.
Gjatë një takimi informal me gazetarët, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani u shpreh se brenda këtij viti, 2025, do të publikohet strategjia për krimet zgjedhore.
“Ajo do të bëhet publike pasi të miratohet dhe të jetë zyrtare. Strategjia thuajse ka përfunduar, pritet miratimi po ashtu është menduar edhe një plan veprimi dhe një urdhër, por për momentin nuk mund ta bëj publik urdhrin”, tha Dumani.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.