Në një fshat të qetë të Divjakës, ku aromat e sherebelës dhe livandës mbushin ajrin, Besnik Koçi ka ndërtuar jetën që kishte ëndërruar pas kthimit nga emigrimi. Pas 16 vitesh në mërgim, ai zgjodhi t’i kthehej tokës së prindërve dhe trashëgimisë familjare – kultivimit të bimëve medicinale.
Sot, kompania e tij BioBes, e certifikuar sipas standardeve organike evropiane dhe amerikane, është një histori suksesi në një treg të vështirë. Por, me një vendim të njëanshëm të qeverisë amerikane, edhe rrënjët më të thella mund të fillojnë të lëkunden.
Që nga 5 prilli, një tarifë 10% mbi eksportet shqiptare drejt SHBA-së ka hyrë në fuqi – një goditje e heshtur për një industri që mban në këmbë rreth 20 mijë familje në Shqipëri, shumica në zonat më të varfra dhe rurale të vendit.
Besniku e ndjen këtë tarifë si një barrë të re mbi supet e një sektori që lufton prej vitesh për mbijetesë.
“Ne jemi punë dore. Puna me bimët është manuale, me duar, me pasion dhe me durim. Kur vendosin tarifa, është si të na ndëshkojnë për këtë zgjedhje tonën,” shprehet ai.
Vetëm kompania e tij ka kontrata me 450 familje fermerësh, dhe punëson 60 punëtorë të përhershëm.
“Kemi kontrata me 450 familje fermerësh, domethënë që çdo familje ka 3-4 veta mesatarisht të punësuar sepse janë familje rurale dhe janë familje të mëdha. Në kompani kemi 60 punëtorë ku pjesa më e madhe janë brenda kompanisë kurse pjesa tjetër janë ata të prodhimit bimor në fushë”, – tregon Besniku.
Vendimi i administratës amerikane për të taksuar importet shqiptare përfshin pikërisht ato produkte që përbëjnë 70% të eksporteve shqiptare në SHBA – bimët medicinale dhe ato eterovajore. Në vitin 2024, sipas INSTAT, eksportet e këtij sektori kapën 16.5 milionë euro, një rritje nga viti paraardhës. Por kjo rritje është tashmë në rrezik.
Për tregun e bimëve medicinale në Shqipëri kjo tarifë nuk është sfida e parë. Rënien e kursit të këmbimit valutor rriti kostot e prodhimit.
Në kushtet e një tregu të pafavorshëm për vendin tonë, njëri sy është edhe nga shteti.
“Shteti nuk ka politika të drejtpërdrejta në prodhimin bujqësor dhe në një moment kjo do çalojë ndjeshëm, – shprehet zoti Besniku.
Eksportuesit e bimëve medicinal shohin si alternativë mbijetese rimbursimin e menjëhershëm 10% TVSH për fermerët, një kurs të stabilizuar për euron dhe dollarin dhe po ashtu heqjen e tatimit mbi pagat deri në 80 mijë lekë për punonjësit sezonal por edhe pagimin e kontributeve shoqërore.
Ekspertët: “Një efekt domino në ekonomi”

Sipas Enriko Cekos, ekspert i ekonomisë, tarifa do të ndikojë drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e produkteve shqiptare në tregun amerikan. Produktet bëhen më të shtrenjta, kërkesa bie, stoku ngec, çmimet bien, dhe më pas – shkurtime në staf, reduktim investimesh dhe ngadalësim prodhimi. Efekti është një zinxhir negativ, që fillon në një zyrë të bardhë në Uashington dhe përfundon në fshatin më të thellë të Shqipërisë.
“Mallrat e eksportuara do të bëhen më të shtrenjta për blerësit amerikan gjë që mund të cojë në ulje të kërkesës për produktet tona”, – thotë Enriko Ceko.
Nga ana tjetër, Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë, e sheh këtë situatë si një mundësi strategjike. Në një intervistë për “News 24”, Buxhuku sugjeron që Shqipëria dhe Kosova, me tarifat më të ulëta doganore në rajon, mund të kthehen në porta hyrëse për prodhuesit evropianë që kërkojnë akses më të lirë në tregun amerikan. “Ky është momenti që të tërhiqen investitorë evropianë,” – thekson ai.
Por për pronarin e kompanisë BioBes, e problemi më i madh i fermerëve të ngjashëm si ai nuk është vetëm tarifa doganore amerikane, por mungesa e politikave të qëndrueshme bujqësore nga qeveria shqiptare. Në një treg të ndikuar nga sezonaliteti dhe kohëzgjatja e zhvillimit të bimëve, siç është rasti i sherebelës që kërkon deri në 3 vite për të dhënë prodhim cilësor, mungesa e mbështetjes shtetërore e lë fermerin të ekspozuar.
“Nuk kemi një plan 5-vjeçar, as 10-vjeçar për eksportet. Çdo kompani vepron sipas intuitës,” thotë ai, duke përmendur edhe kërkesat e eksportuesve për TVSH të rimbursuar menjëherë, stabilitet valutor dhe heqje të tatimit mbi pagat e punonjësve sezonalë.
Ndërkohë që 70% e eksporteve shqiptare drejt SHBA-së përbëhet nga bimët medicinale dhe ato etero-vajore, të tilla si sherebela, çaj, livanda, hithra, boronica e shumë të tjera. Vitin e kaluar eksportet e bimëve mjekësore sipas INSTAT arritën rreth 16.5 milionë euro nga 14 milionë euro në vitin 2023.
Kjo industri ka të punësuar rreth 20 mijë qytetarë në periudha të ndryshme të vitit e cila është më shumë e përqendruar në zonat rurale të Malsisë së Madhe dhe në disa fshatra në jug të vendit tonë.
Përtej sherebelës dhe boronicës, vendosja e një tarifë 10% mbi eksportet shqiptare drejt SHBA nuk është vetëm një dekret presidencial por është një histori për familjet rurale, për gratë që mbledhin çajin në mëngjes dhe burrat që e thajnë në oborr. Tarifa 10% nuk është vetëm numër mbi letër – është një pengesë për fëmijët që shpresojnë të mos emigrojnë si prindërit e tyre. Është një thikë pas shpine për ata që, si Besniku, zgjodhën të kthehen dhe të ndërtojnë diçka të qëndrueshme.
Praktikante-gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.