Gjykata Kushtetuese rrëzoi ditën e enjte kërkesën e opozitës për shfuqizimin e ligjit “Për Zonat e Mbrojtura”, i miratuar në shkurt të vitit të kaluar me vota të mazhorancës. Vendimi erdhi pasi shumica e gjyqtarëve nuk gjetën argumente kushtetuese të mjaftueshme dhe nuk arritën shumicën prej pesë votash të nevojshme për shfuqizim.
Ky vendim ka ngjallur shqetësim tek ambientalistët dhe ekspertët mjedisorë, të cilët e shohin atë si një rrezik serioz për trashëgiminë natyrore të Shqipërisë.
“Është një shkelje e hapur e parimeve të ruajtjes së natyrës dhe marrëveshjeve ndërkombëtare ku Shqipëria është palë, përfshirë Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit,” tha Olsi Nika, drejtori ekzekutiv i “EcoAlbania”.
Ai vlerëson se vendimi i Kushtetueses është finalizimi i një procesi që prej 7-8 vitesh synon hapjen e zonave të mbrojtura për zhvillime infrastrukturore intensive.
“Ky ligj i vitit 2024 mbetet në fuqi dhe, sipas meje dhe ekspertëve të tjerë, shënon fundin e mbrojtjes së trashëgimisë natyrore,” theksoi Nika. Ai paralajmëroi se ky vendim hap rrugën për ndërtimin e resorteve dhe projekteve të tjera që po shihen gjithnjë e më shumë, duke kërcënuar zonat e mbrojtura.
“Ky vendim do t’u hapë rrugë më patjetër ndërtimit të resorteve apo projekteve që shohim çdo ditë të publikuara në faqet e zyrtarëve, kryeministrit. Nuk do të mbetet më asnjë zonë e mbrojtur pa u ndërtuar” – tha drejtori i organizatës “EcoAlbania”.

Përsa i përket ndarjes së gjyqtarëve në katër pro e në katër kundër për pretendimet e dhëna në kërkesën për shfuqizimin e ligjit “Për Zonat e Mbrojtura”, nga ekspertët shihet si një shmangie përgjegjësie nga ana e gjykatës.
“Shihet përgjithësisht jo vetëm nga ne, por edhe nga grupet e tjera të shoqërisë civile, dhe të palëve të tjera të interesura si një qëndrim as mish as peshk, që deri diku e vendos gjykatën në pozicion e larjes së duarve. Thjesht është një ligj ose vendimmarje që favorizon qeverinë”, tha për “shteg.org”, Taulant Bino, drejtori i Shoqatës Ornitologjike e Shqipërisë.
“Vendosje qesharake në rresht, për të mos mbajtur përgjegjësi, gjykata duke mos patur forumin me nëntë, vendos forumin 4 me 4. Nuk kalon në vendimmarrje dhe rri në fuqi ligji ekzistues”, shprehet më tej Bino.
Ekspertët gjithashtu denoncuan mënyrën e realizimit të këshillimit publik lidhur me ligjin, që sipas tyre nuk u zhvillua si duhet dhe nuk u mor seriozisht nga autoritetet. Në një shoqëri demokratike, thanë ata, zëri i publikut duhet dëgjuar dhe respektuar.
Megjithëse vendimi i fundit është dhënë, ambientalistët dhe ekspertët janë të vendosur të vazhdojnë monitorimin dhe sensibilizimin për zonat e mbrojtura, duke paralajmëruar rreziqet e ligjit të ndryshuar. “Është një zhgënjim i madh, por ne do të vazhdojmë të ngremë zërin dhe të informojmë publikun për pasojat,” tha Nika.
Ndërkohë, përkundër pohimeve të Gjykatës Kushtetuese se janë marrë parasysh konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit si Konventa e Bernit, ekspertë të huaj janë më skeptikë. Gabriel Schwaderer, drejtori i “EuroNatur”, një organizatë që punon prej vitesh për mbrojtjen e natyrës, kërkoi nga qeveria shqiptare shfuqizimin e ligjit dhe zbatimin e rekomandimeve të Konventave të Bernës dhe Bonit.
“EuroNatur i bën thirrje Qeverisë Shqiptare të shfuqizojë Ligjin nr. 21/2024 dhe të zbatojë rekomandimet e marrëveshjeve ndërkombëtare ku Shqipëria është palë, siç janë Konventa e Bernës dhe Konventa e Bonit.” tha Schwaderer.
Ai shtoi se injorimi i këtyre marrëveshjeve ndërkombëtare nuk ndihmon në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
“Rekomandimi kryesor i këtyre konventave është ndalimi i ndërtimit të aeroportit të Vlorës deri në realizimin e një vlerësimi të thelluar të ndikimit në mjedis, përfshirë edhe një vlerësim të përshtatshëm. Ky rekomandim i një traktati ndërkombëtar është injoruar nga autoritetet shqiptare prej gati dy vitesh. Zbatimi i duhur i një vlerësimi të ndikimit mjedisor, përfshirë edhe vlerësimin e përshtatshëm, kërkohet gjithashtu nga acquis mjedisor i Bashkimit Evropian. Në kontekstin e negociatave për anëtarësimin në BE, injorimi i rekomandimeve të Konventës së Bernës dhe Bonit nuk është ndihmues”, – përfundoi Schwaderer.
Gazetare me përvojë në raportimin e kronikës së zezë dhe çështjeve politike në Shqipëri.
Gjithashtu, ajo ka qenë pjesë e “Investigative Journalism Lab” pranë “Albanian Center for Quality Journalism” (ACQJ).
Në SHBA ka marrë leksione të gazetarisë investigative në Kolegjin e Bostonit.
Desada ka përfunduar studimet në “Media Leadership and Management” dhe “Political Journalism” dhe ka qenë e angazhuar në projekte dhe internship-e që fokusohen në gazetarinë cilësore dhe hetimore.