Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi të premten, më 10 janar 2025, se në përfundim të hetimeve nuk kishte gjetur asnjë provë që implikonte Olsi Ramën në organizatën kriminale që ndërtoi laboratorit të kokainës në Xibrakë, 10 km larg qytetit të Elbasanit.
Hetimet ndaj vëllait të kryeministrit të Shqipërisë nga Prokuroria e Posaçme nisur pas denoncimit të bërë nga deputeti demokrat, Gazment Bardhi, i cili akuzoi atë për lidhje me organizatën kriminale që në vitin 2015 arriti të ndërtonte në laborator të prodhimit të kokainës, në në Xibrakë, 10 km larg qytetit të Elbasanit.
SPAK sqaron se pas kryerjes së një sërë veprimesh hetimore, përfshi dhe bashkëpunimin me autoritetet e Kosovës, nuk ka gjetur prova apo fakte që të lidhin Olsi Ramën me grupin e drogës që u zbulua në janar të vitit 2015, gjatë një operacioni të policisë të asistuar nga agjentë të policisë gjermane, ku u sekuestrua sasia rekord e kokainës prej 100 kg.
Në dosjen e njohur “Xibraka” u gjetën fajtor nga Gjykata 9 të pandehurit, përfshi edhe dy shtetas kolumbiane, por 9 vite nga kjo ngjarje Gazment Bardhi pretendonte se në këtë rrjet ishte i përfshirë edhe vëllai i kryeministrit, Olsi Rama.
Bardhi tha se i referohej dokumenteve të ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”.
Sipas Bardhit, prokuroria në atë kohë hapi një dosje sekrete paralele për të hetuar një 45 vjeçar të paidentifikuar me emër, që ka përdorur të njëjtën makinë si Olsi Rama dhe trafikantët e drogës. Ai theksoi se Olsi Rama ishte në atë kohë 45 vjeç duke sjellë në vëmendje se vëllai i kryeministrit dhe drejtuesit e narkotrafikut përdorën të njëjtën makinë 18 herë.
Por në përfundim të hetimeve SPAK sqaroi se nuk janë identifikuar autorë të tjerë të mundshëm për veprat penale në fjalë dhe dosja e pezulluar më parë dhe e rihapur pas informacioneve të dërguara nga Bardhi, pësoi të njëjtin fat duke iu rikthyer Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.