Landfilldi i Sharrës, aty ku pirgu i plehrave tregon përplasjet mes Bashkisë dhe Qeverisë

Dokumentet tregojnë se institucionet janë përfshirë në një korrespondence të gjatë prej një viti pa mundur ende të gjejnë një zgjidhje të situatës së përpunimit të plehrave në vend.

përplasjet mes Bashkisë dhe Qeverisë
Credit: shteg.org

Pirgje plehrash, aromë e pakëndshme, insekte apo të pa punë që gërmojnë nëpër kazanë në kërkim të kanoçeve është ajo çka syri të sheh thuajse në çdo kosh të plehrave në kryeqytet.

Dokumentet e siguruara nga “shteg.org” tregojnë se Landfilli Sharrës është tej mundësive për të përpunuar sasinë e plehrave për shkak të kapaciteteve.

Një vit më parë, shoqëria “Integrated Energy BV SPV” që menaxhon Landfilldin e Sharrës i ka kërkuar autoriteteve leje ndërtimi për zgjerimin e hapësirave përpunuese.

Punimet për rritjen e kapacitetit të Landfilldit të Sharrës kanë marrë miratimin e Bashkisë së Tiranës por Agjencia e Zhvillimit të Territorit  ende nuk ka zbardhur vendimin, duke bllokuar kështu punimet për rritjen e kapacitetit të përpunimit të plehrave të kryeqytetit.

Dokumentet tregojnë se institucionet janë përfshirë në një korrespondence të gjatë prej një viti pa mundur ende të gjejnë një zgjidhje të situatës së përpunimit të plehrave në vend.

Shkresat nxjerrin në pah vështirësitë në koordinimin ndërmjet institucioneve, duke përfshirë dhe mosmarrëveshjet për procedurat e ndjekura, siç është vendosja e pozicionit kadastral të landfillit në përputhje me kërkesat ligjore.

Sipas planit kombëtar të menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri 2010-2025, i përgatitur nga qeveria shqiptare me asistencën e Bashkimit Evropian, në Bashkinë e Tiranës prodhohen çdo ditë 1.5 kilogram mbetje për banor ose 547 kilogram mbetje në vit.

Refuzimi i qeverisë

Integrated Energy BV SPV
Credit: shteg.org – Integrated Energy BV SPV

Rreth një vit më parë, më 1 dhjetor 2023, shoqëria “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k depozitoi një aplikim elektronik për Leje Ndërtimi për “Zgjerimin e kapacitetit të depozitimit të mbetjeve të ngurta në zonën 13 të Bashkisë Tiranë”. Arsyeja e aplikimit për këtë leje vinte si pasojë e ezaurimit të kapaciteteve të landfillit të Sharrës sipas shoqërisë dhe rrezikimit të mos pranimit në vazhdimësi të mbetjeve të ngurta.

Në qershor të këtij viti, 2024, shoqëria, e cila ndodhet nën urdhër-sekuestro nga Gjykata e Posaçme, dërgoi një kërkesë për informacion në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit (AZHT) lidhur me procedurën e zbardhjes së lejes. Kërkesa u bë nga Arjan Baci, administratori shtetëror i Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, pasi kapacitetet e groposjes së plehrave në vaskat e landfillit të Sharrës ishin drejt ezaurimit.

Pavarësisht marrjes së lejes për zgjerimin e kapaciteteve depozituese të mbetjeve të ngurta, prej muajsh ky vendim nuk është zbardhur, çka ka penguar nisjen e punimeve.

Më 2 prill të këtij viti, 2024 Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT) miratoi dhe la si detyrë zbardhjen e lejes së ndërtimit të zgjerimit të landfillit të Sharrës, zbardhja e së cilës deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk është realizuar.

Vendimi me objekt “Zgjerim kapaciteti të depozitimit për mbetjet e ngurta, zona 13, Bashkia Tiranë” e cili do të kërkonte minimalisht 90 ditë pune si dhe një ndryshim të tipit A të Lejes së Mjedisit, për të përfshirë edhe zgjerimin e kapacitetit të depozitimit të mbetjeve.

Megjithatë, që nga dita e miratimit, leja ende nuk është zbardhur, çka shkakton shqetësim te njësitë e vetëqeverisjes vendore të qarqeve Tiranë dhe Durrës, të cilat vazhdonin të depozitonin mbetje në Zonën e Trajtimit të Mbetjeve.

Punonjës pranë landfillit, nën kushtet e anonimatit thanë për “shteg.org” se deri ditën e publikimit të shkrimit nuk është realizuar asnjë punim shtesë dhe landfilli nuk është zgjeruar.

Përfshirja e institucioneve të ndryshme, si Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar, ka nxjerrë në pah vështirësitë në koordinimin ndërmjet palëve të përfshira, duke përfshirë dhe mosmarrëveshjet për procedurat e ndjekura, siç është vendosja e pozicionit kadastral të landfillit në përputhje me kërkesat ligjore.

Agjensia e Zhvillimit të Territorit i kërkon shoqërisë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k vendosjen e pozicionit kadastral në plan vendosjet e konfirmuara të ASHK-së si dhe darkordësinë nga Komiteti Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar, gjë e cila nuk u pranua nga Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe Komitetin Ndërinstitucional, pasi kjo procedurë nuk përfshihet në kompetencat dhe përgjësitë e saj.

Bashkia Tiranë deklaroi se zbardhja e lejes së ndërtimit nuk është në kompetencat e tyre por të Këshillit Kombëtar të Territorit, kurse nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Agjencia e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara refuzuan të përgjigjeshin lidhur me çështje.

Landfilldi i Sharrës dhe inceneratori që nuk ekziston

Kontrata për trajtimin e mbetjeve urbane në Tiranë u nënshkrua më 31 gusht 2017 mes Ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë “Integrated Energy BV SPV”, e regjistruar në Hollandë. Sipas kësaj kontrate, projekti përfshinte rehabilitimin e venddepozitimit të mbetjeve në Sharrë, si dhe ndërtimin e një landfilli dhe një inceneratori për prodhimin e energjisë elektrike.

Gjatë prezantimit të projektit, kryeministri Edi Rama e përshkroi atë si një model evropian, që synonte një Shqipëri më të pastër përmes mbledhjes, përpunimit dhe prodhimit të energjisë me zero ndikim negativ për mjedisin dhe shëndetin publik. Megjithatë, zhvillimet që pasuan treguan një realitet ndryshe.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) zbuluan dyshime për korrupsion lidhur me Inceneratorin e Tiranës. Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të identifikuar si pronarët de facto të kompanisë, akuzohen për falsifikim faturash dhe përvetësim të paligjshëm të më shumë se 409 milionë lekëve nga buxheti i shtetit. Sipas hetimeve, përmes kompanive të ndërmjetme, ata fshehën pronësinë dhe dhanë ryshfete ndaj ish-ministrit Arben Ahmetaj.

Si rezultat, më 7 dhjetor 2023, u lëshuan 12 urdhër-arreste. Mes të ndaluarve ishin Namik Simixhiu, Drejtori i Pastrimit të Mbetjeve Urbane në Bashkinë e Tiranës, Bledar Karoli nga Ministria e Mjedisit, dhe Jetmir Llapaj nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Gjithashtu, Taulant Tushe, Drejtor i Punëve Publike në Bashkinë Tiranë, u vetëdorëzua. Masa e “arrestit me burg” u ekzekutua për ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako, të cilët tashmë janë dënuar për aferat e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit.

Një sërë zyrtarësh të tjerë, përfshirë Pëllumb Abeshin, Alba Thomain, Valbona Ballgjinin, Sidita Koplikun, Etleva Kondin dhe Sidita Tolën, të cilët kanë qenë pjesë e komisionit për dhënien e koncesionit, u vendosën në “arrest shtëpie”. Ndërkohë, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto mbeten në kërkim ndërkombëtar, së bashku me Erjon Muratajn, një tjetër anëtar i komisionit.

Më 28 korrik 2023, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë urdhëroi sekuestron preventive mbi kompaninë dhe asetet e saj, duke ia deleguar administrimin Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.

+ posts

Ajla Starja është gazetare në redaksinë shteg.org

Ka përfunduar studimet për inxhinjeri mjedisi dhe është angazhuar në projekte për qëndrueshmërinë ekonomiko-mjedisore, politikat ambientaliste pjesë e Agendës 2030. Përgjatë karrierës ka qënë Youth Delegate e UNITE 2030 Cohort 6 New York, Ambassador e Happy Earth, Volunteer e Red Cross dhe pjesëmarrëse në tematikë kërkimore të Summer Camp Research of Rostock Germany.

Bjorn Alija është gazetar pranë redaksisë shteg.org