Kryetari i Bashkisë së Devollit dhe tre zyrtarë të tjerë të kësaj bashkie janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Posaçme me dyshimin se kanë shkelur ligjin duke licencuar subjekte në tregun e karburanteve.
Hetimet ndaj zyrtarëve lokalë nisën në 2020 pas akuzave të ngritura nga një tjetër kompani e cila pretendonte se ishte dëmtuar ekonomikisht nga vendimet administrative të kryetarit dhe stafi të bashkisë së Devollit.
Pas katër vitesh hetime SPAK ngriti akuza ndaj Duros për “Shpërdorim detyre” pasi rezultoi se zyrtarët lokal pajisën shoqërinë tregtare “Genci Petrol” sh.p.k me autorizim për tregtimin me pakicë të karburanteve, gazit të lëngshëm të naftës dhe vajrave lubrifikante, duke shkelur ligjin.
Duro është kryebashkiaku i 22-të nga radhët e Partisë Socialiste të vendosur nën akuzë nga Prokuroria e Posaçme dhe nëse ai gjendet fajtor nga gjykata rrezikon një dënim prej 7 vitesh heqje lirie.
Konflikti për tregtinë e karburantit

Jorgo Kapurani merret me tregtinë e naftës që në fillim të viteve 90-të.
Pika e tij e karburantit në afërsi të doganës së Kapshticës, duket se është kthyer në një mollë sherri mes biznesmenit dhe tregtarëve të tjerë por që çoi në dyert e SPAK edhe zyrtarët vendorë.
Konflikti duket se ka nisur gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013 kur në afërsi të pikës së tij të karburantit u ngritën dhe dy pika të tjera. Fillimisht një pikë karburanti e zotëruar nga shoqëria “Nipec shpk” në pronësi të Mihallaq Pacilit dhe më pas pika tjetër e quajtur “Genci Petrol” në pronësi të Genci Çakërit.
“E vetmja leje që subjektet disponojnë janë për godinat 2 dykatëshe hotele dhe me një prapa shtesë në funksion të karburantit, ndërkohë që nuk kanë leje për depozita e naftës”, shkruan Kapurani në kallëzimin e dorëzuar në SPAK.
Dokumentet tregojnë se aso kohe Komuna e Bilishtit i pajisi me leje përdorimi të dy subjektet, vendim ky që u kundërshtua nga Kapurani me pretendimin se leja e përdorimit ishte dhënë në kundërshtim me ligjin.
Në tetor të 2019 procedurat administrative të ndërtimit të dy karburanteve janë verifikuar edhe nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit. Inspektorët konstatuan se dy pikat e karburantit ishin të ndërtuara pa leje ndërtimi dhe ushtronin veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjin. Kompanitë u gjobitën për shkeljet e konstatuara ndërsa u lëshua dhe një urdhër për shembjen e objekteve.
Vendimet administrative të Inspektoratit ankimohen nga palët. Ndërkohë që më 27 Gusht të 2019-s Komuna e Bilishtit vendos rinovimin lejes së ushtrimit të aktivitetit për “Genci Petrol”.
“Leja u rinovua dhe pse kishte një vendim për prishje objekti. Madje në atë periudhë, kryetari i Bashkisë na sugjeroi që t’i shisnim karburantin Genci Cakërrit”, thotë Kapurani për Shteg.org.
Gjatë licencimit kompania nuk kishte aktin e kontrollit, lejen e shfrytëzimin për stacionin e karburantit dhe autorizimin për hyrje-daljet në rrugë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), ndërkohë që vendimi i prishjes së objektit nga IKMT-ja ende ishte në fuqi.
“Për të marrë lejen për të zhvilluar biznesin e karburantit në Shqipëri, duhet të plotësosh disa pika mjaft të rëndësishme. Kriteri i distancave të rrugëve dhe nga subjektet e tjera. Nuk lejohet në kryqëzime. Duhet të kesh leje nga Enti Kombëtar i Rrugëve për hyrje-dalje në autostrada. Leje ndërtimi. Leje mjedisore. Taksa e karburantit që është 10 milionë lekë të vjetra për bashkitë e vogla, ndërsa 30 milionë lekë në 5 vite për bashkitë e mëdha si Tirana, Durrësi, Vlora, Shkodra, Elbasani, etj. Kriteret bazë tatimore”, – shpjegon Eduart Ndokaj, njohës i hidrokarbureve për “shteg.org”.
Por dhe pse kompanisë i mungonin së sërë dokumentesh edhe në vitet e mëvonshme, “Genci Petrol” i është rinovuar leja sërish më 23 qershor të 2020.
Këtë radhë ishte kryetari i Bashkisë së Devollit, Eduard Duro që së bashku me nëpunësit e tij, Gazmend Haxhija dhe Gazmend Malo dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë lëshuan firmat për ushtrimin e aktivitetit të kompanisë së karburanteve. Bashkia e Devollit pretendon se ka vepruar në përputhje me ligjin.
“Vendimi i vitit 2019 lëshuar nga IKMT-ja ishte për shtesat dhe jo për karburantin, për ndërtim pa leje, pasi ky objekt ishte funksional që nga viti 2013” – shpjegoi zyra e shtypit të Bashkisë Devoll.
Ndërsa për kryetarin e bashkisë, e gjithë akuza është ngritur nga një biznesmen gjobëvënës.
“Çështja ka mbaruar hetimet dhe do të shkojë në gjykatë. Jam denoncuar nga një biznes gjobëvënës dhe dallaveraxhi që nëpërmjet presioneve rriti çmimin e shitjes së pikës karburantit të falimentuar. Unë jam besimplotë te drejtësia” – tha për “shteg.org” kryebashkiaku Eduard Duro.
Transaksionet e kryera mes dy biznesmenëve të karburantit rezultojnë të kryera gjatë kohës që Prokuroria e Posaçme po kryente hetimet ndaj zyrtarëve lokal.
Kapurani i shet pikën e tij të karburanteve kundërshtarit të tij me të cilin “luftonte” dhe kërkonte drejtësi tek institucionet që nga vitit 2015.
Shitja duket si një manovër për të pezulluar hetimet por dhe pse palët gjejnë “qetësi” në dhjetor të 2024 Prokuroria e Posaçme mori zyrtarisht të pandehur Kryebashkiakun e Devollit dhe zyrtarë e tjerë duke i akuzuar për shpërdorim detyre në procedurat e ndjekura në licencimin e shoqërisë “Genci Petrol”.
Eraldo Harlicaj aktualisht punon si gazetar në emision televiziv “Inside Story” në Top Channel. Ai ka një eksperiencë të mëparshme si gazetar në disa media shqiptare.
Ka mbaruar studimet në Universitetin Barleti me degën Marketing dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.