Lirohet me kusht Ervin Salianji, opozita flet për dënim politik

Ish-deputeti demokrat lë qelinë pas 9 muajsh burg për ‘Dosjen Babale’, ndërsa Berisha dhe avokati i tij e quajnë procesin të motivuar politikisht.

170
Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji
Credits: LSA

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, është liruar sot nga qelia, më 8 korrik 2025, pas vendimit të marrë nga Gjykata e Fierit. Salianji po vuante një dënim me 1 vit burg për akuzën e kallëzimit të rremë, në lidhje me çështjen e njohur si “Dosja Babale”.

Trupa gjykuese vendosi lirimin me kusht të tij, pas një raporti pozitiv nga Shërbimi i Provës dhe dakordësisë së dhënë nga prokuroria. I pranishëm në seancë ishte edhe vetë Salianji.

Në muajt e mbetur të dënimit, ai do të jetë i detyruar të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës dhe të mos kryejë ndonjë vepër penale tjetër, si pjesë e kushteve për lirinë me kusht.

Dënimi i tij çoi në humbjen e mandatit të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, ku kishte shërbyer për dy legjislatura, pas zgjedhjeve të vitit 2017 dhe 2021. Në bazë të ligjit të dekriminalizimit, Salianji nuk mund të rikandidojë për funksione publike për të paktën pesë vjet pas përfundimit të dënimit, çka e përjashton nga kandidimi deri në vitin 2030.

Ndërkohë, avokati i tij, Ledio Braho, e përshkroi vendimin si “një element minimal drejtësie”, duke e cilësuar të gjithë procesin si të motivuar politikisht.

Reagim për lirimin pati edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili gjatë një konference për shtyp u shpreh se arrestimi dhe dënimi i Salianjit ishte politik dhe i diktuar nga qeveria.

“Dua të dënoj me forcë të madhe dënimin politik të deputetit Ervin Salianji nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj, krerë të organizatës së narkoshtetit. Ervini vuajti 9 muaj në burg jashtë çdo ligji dhe kushtetute, vetëm sepse denoncoi Geron Xhafën,” deklaroi Berisha.

Çështja për të cilën u dënua Salianji lidhet me publikimin në maj të vitit 2018 të një audio-përgjimi, në ambientet e selisë së PD-së, ku pretendohej se Agron (Geron) Xhafaj, vëllai i atëhershëm i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, bisedonte me shtetasin Albert Veliu (i njohur si “Babale”) për çështje të trafikut të drogës.

Pas publikimit të materialit, Agron Xhafaj paditi për kallëzim të rremë, duke pretenduar se audio ishte e sajuar. Më pas, ai u ekstradua drejt Italisë për të vuajtur një dënim të mëparshëm për trafik narkotikësh.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.