Loran Dusha përfundon në burg për aferën e inceneratorit të Fierit

Ish-administratori i ekstraduar nga Zimbabve akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre ndërsa Gjykata e Posaçme vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Loran Dushën.

419
Ish-administratori i inceneratorit të Fierit, Loran Dusha
Credits: shteg.org

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Loran Dushën, ish-administrator i inceneratorit të Fierit, i cili u ekstradua në Shqipëri dy ditë më parë nga Zimbabve, pas një periudhe të gjatë në kërkim ndërkombëtar.

Sipas Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Dusha akuzohet për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, shpërdorim detyre dhe pastrim parash, vepra të kryera në bashkëpunim. Arrestimi i tij është pjesë e hetimeve të zgjeruara mbi aferën e inceneratorëve, ku janë përfshirë zyrtarë dhe administratorë të lartë të kompanive që përfituan miliona euro fonde publike.

Në vitin 2022, GJKKO i kishte caktuar masën “arrest në burg” në mungesë, ndërsa në shtator 2023 ai u shpall një nga 21 të pandehurit në këtë çështje, për të cilën gjykata ka dhënë dënime deri në 4 vjet e 8 muaj burg.

Hetimet tregojnë se në cilësinë e administratorit të një kompanie private, Dusha ka përfituar në mënyrë të paligjshme fonde publike përmes faturave dhe pagesave fiktive, duke raportuar punime dhe shërbime që në realitet nuk janë kryer.

Sipas të dhënave në OpenCorporate, kompania në zotërim të Loren Dushës, (ECOALB FR), rezulton në gjendje aktive.

Aferat e incenratorëve  në Shqipëri

Afera e inceneratorëve, në Tiranë, Fier dhe Elbasan, u ka kushtuar deri më sot taksapaguesve shqiptarë rreth 150 milionë euro, ndërsa një numër i lartë zyrtarësh publikë janë nën akuzë ose janë shpallur fajtorë për veprat penale të korrupsionit, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të produkteve të veprës penale.

Mes të dënuarve janë ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti socialist, Alqi Bllako si dhe tre administratorët e kompanive të inceneratorëve, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, ndërsa ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ndodhet në arrati.

Inceneratori i Fierit dhe kompania koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” u sekuestruan me urdhër të SPAK në mars të vitit 2022 dhe administrohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Konfiskuara dhe Sekuestruara, AAPKS.

Hetimet për inceneratorin e Fierit u mbyllën dhjetor 2022. Sipas akuzave të SPAK për inceneratorin e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.