Luftë ndaj dezinformimit apo censurë ndaj medias?

Prej gjashtë muajsh, Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Dezinformimin, i përbërë vetëm nga përfaqësues të mazhorancës kanë zhvilluar disa mbledhje dhe takime për çështjet e “dezinformimit të qëllimshëm”, duke prekur specifikisht rolin e medias. A ekziston rreziku i ndërhyrjes së qeverisë në censurimin e mediave, kryesisht atyre on-line, nën pretendimin e “dezinformimit” që nxiten nga shtete jo mike?

1191
Liria shprehjes
Credits: Respublika

Në fillim të vitit 2024 mazhoranca socialiste nisi procedura për ngritjen e një komisioni parlamentar, u cili ka ngritur shqetësimet tek organizatat mediatike por dhe mes komunitetit të gazetarëve.

Socialistët në nismën e tyre shfrytëzuan miratimin e një rezolute të Parlamentit Europian më 8 shkurt të 2024-ës dhe ngritjen e një komiteti të ngjashëm që lufton dezinformimin e ndërhyrjen e huaj edhe në Komisionin Evropian. Pjesë e argumenteve të socialistëve për ngritjen e komisionit ishte një marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe SHBA-së e cila nuk është bërë publike.

Megjithatë, kjo nismë e mazhorancës nuk e mori mbështetjen e opozitës.

7 deputetë të Partisë Demokratike votuan kundër, ndërsa 56 të tjerë të pranishëm në sallë nuk morën pjesë në votim, duke refuzuar më pas edhe uljen në tryezën e punës që drejtohet tashmë prej 4 muajsh nga socialisti Erion Braçe.

Komisioni i Posaçëm për Dezinforimin, pritet që më 25 qershor të 2025-ës, të hartojë një raport me propozime për masa institucionale dhe ndryshime ligjore të cilat do t’i përcillen Kuvendit të Shqipërisë.

Puna e komisionit ka ngritur dyshime të ekspertëve dhe organizatave mediatike, të cilët e shohin nismën si një përpjekje të mazhorancës që paralelisht me luftën ndaj ndikimit keqdashës të vendeve të huaja, kryesisht nga Rusia, të kontrolloj fjalën e lirë, e për rrjedhojë do të rriste censurën në media.

Hije dyshimi mbi “Dezinformimin”

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Dezinformimin
Credit: Kuvendi i Shqipërisë – Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Dezinformimin

Më 11 prill të këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë miratoi vetëm me 73 votat e socialistëve ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar, misioni i të cilit ishte koordinimi dhe mbikëqyrja e të gjitha veprimeve institucionale, për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit, që më pas u “pagëzua” si komisioni i “Dezinformimit”.

Ndaj nismës parlamentare të mazhorancës qeverisëse, reagoi Këshilli Shqiptar i Medias sipas të cilit kompetencat e këtij komisioni ngrinin pikëpyetje për qëllimin e vërtetë të krijimit. Këshilli Shqiptar i Medias e shihte Komisionin si një përpjekje të mazhorancës për të rritur kontrollin ndaj medias.

“Një Komision i cili ngrihet jo për të hetuar diçka që “ka ndodhur”, por për të hetuar diçka që “do të ndodhë” përgjatë një viti që nga krijimi, krijon dyshime të forta që mund të përdoret për të cenuar lirinë e medias, nën petkun e hetimeve për dezinformimin” – thuhej në deklaratën e Këshillit Shqiptar të Medias të bërë publike më 4 prill, disa ditë para miratimit në parlament.

Këshilli, më shumë se dezinformimin sheh si shqetësuese për lirinë e medias, lidhjet okulte të politikanëve, partive e qeveritarëve me pronarët e medias, mungesën e transparencës së fondeve, si dhe propagandën.

“Shqipëria ka probleme shumë më të mëdha që cenojnë lirinë e medias, e që kanë nevojë për ndërhyrje urgjente, si psh lidhjet okulte të politikanëve, partive e qeveritarëve me pronarët e medias, mungesa e transparencës së fondeve shtetërore që shkojnë drejt mediave, mos-aplikimi i ligjit për të drejtën për informimi, etj. Dezinformimi, për nga rëndësia që ka në publikun shqiptar mund të zgjidhet pasi të zgjidhen këto probleme madhore.” – thuhej në deklaratë.

Këshilli i Medias nuk ishte organizata e vetme e cila u shqetësua me nismën parlamentare të mazhorancës socialete.

Edhe rrjeti ndërkombëtar “Safejornalist”, që monitoron vazhdimisht peizazhin mediatik në Shqipëri, shprehu shqetësime për implikime të mëtejshme të komisionit në lirinë e medias.

“Urgjenca në formimin e komisionit, mungesa e një procesi konsultativ me palët e interesuara, mungesa e konsensusit nga opozita dhe miratimi i shpejtë më 3 prill 2024, në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë, ngre shqetësime në lidhje me qëllimin dhe objektivat e komisionit”, shkruhej në letrën e hapur drejtuar kryetares së atëhershme të Kuvendit Lindita Nikollës.

Kritike ishte edhe deputetja e Partisë Demokratike Flutura Açka. “Do të jetë një arsye për të kontrolluar ndoshta më shumë median në Shqipëri, por edhe për të lënë pas dore punën e disa institucioneve të tjera të rëndësishme që i mbulojnë këto fusha. Kush na garanton që nuk do të ketë një ndryshim tjetër Kushtetues në funksion të zgjedhjeve të ardhshme”, tha deputetja Açka.

Pretendimet e organizatave mediatike u rrëzuan që ditën e  par të punës së Komisionit, më 26 qershor. “Dua të theksoj se ky komision nuk ka për qëllim të përndjekë as individë, as organizata, as fjalën e lirë, por do të njohë, të mbledhë të dhëna, të analizojë gjetje … për t’iu përgjigjur në mënyrë të tillë, të organizuar, një luftë të organizuar të shteteve jo mike dhe qëllime të tyre malinj”, – dekaroi Erion Braçe.

Të shqetësuar nga mediat online

Takim i shoqërisë civile me Komisionin e Dezinformimit
Credit: Kuvendi i Shqipërisë – Takim i shoqërisë civile me Komisionin e Dezinformimit

17 institucione publike që lidhen drejtpërdrejtë me fushëveprimin e Komisionit të Dezinformimit, nisën punën për të analizuar dhe evidentuar problematikat me të cilat përballen sa i takon rrezikut që vjen nga dezinformimi i qëllimshëm, apo edhe ndërhyrjet keqdashëse me qëllim de-stabilitetin dhe cenimin e sigurisë së vendit nga të tretë.

Siparin e dëgjesave me institucionet e hapi Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu i cili kërkoi ndryshime ligjore sa i takon çështjes së dezinformimit. “Ne i kemi të gjitha instrumentet për identifikimin e burimeve dezinformuese apo koordinimin me partnerët tanë. Kjo dikton nevojën e menjëhershme për të gjetur disa hapa ligjorë e teknikë, që besoj ky komision do të na japë mundësinë t’i ndërtojmë.” – tha Vëngu. 

Me një qëndrim më radikal gjatë raportimit të Ministrit Vëngu, ishte deputetja socialiste Mimi Kodheli, anëtare e këtij komisioni. Kodheli kërkoi që të ketë një reagim të menjëhershëm, institucional dhe shkresor, ndaj të deklaratave që thuhen në emisione televizive. Duke shfrytëzuar deklaratën e një emisioni, të cilin ajo nuk e përmendi, ish Ministria e Mbrotjes kërkoi që çdo institucion të krijonte dosjet e tyre specifike, për çdo rast që ato etiketoheshin sipas saj, gabimisht nga media.

“Shpeshherë kam dëgjuar gazetarë që thonë se nuk jemi të zotë si Forca të Armatosura … dhe e thonë apriori. Ky është një dezinformim i rrezikshëm, i frikshëm. Sepse një gazetar që drejton një emision me shikueshmëri të lartë, me kulmin e papërgjegjshmërisë … i vë një epitet dhe një damkë forcave më të mira që shërbejnë për sigurinë e vendit dhe më gjerë. Ky dezinformim që vjen nga brenda duhet të ketë “file-in” e vetë … të ketë një nukël e cila ka një përgjigje serioze shkresore dhe të verifikueshme për çdo çështje që baltos Ministrinë e Brendshme apo Forcat e Armatosura”, tha Kodheli.

Verifikim faktesh, kryesisht ndaj mediave online, kërkoi edhe Kryetari i Komisionit të Dezinformimit, Erion Braçe, në një seancë dëgjimore me drejtuesen e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqin, por që kjo e fundit tha se nuk është në juridiksionin e AMA-s.

“Portalet nuk janë brenda fushës tonë të veprimit. Platformat e shpërndarjes së videove janë përmbajtje e prodhuar nga përdoruesi i thjeshtë, nuk kanë përgjegjësi editoriale. Dhe këtu fillon i gjithë problemi ligjor. Nuk jemi ne autoriteti që e ndan të vërtetën nga gënjeshtra”, deklaroi Krasniqi.   

Në një tjetër seancë dëgjimore, më 23 tetor, shqetësimin e dezinformimit përmes mediave online e ngriti edhe kreu i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, Igli Tafa.

“Për portalet ka një boshllëk në rastet kur ne ndeshemi me dezinformim. E vetmja gjë që bëjmë është nxjerrja e një deklarate zyrtare, dhe dalja në media për të sqaruar situatën dhe për të informuar publikun. Nuk ka një mekanizëm që të penalizojë apo të parandalojë këtë gjë, pasi portalet janë plotësisht të pavarura, japin atë që duan të japin. Arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse nuk ka një rregullator të portaleve që të vendosë diktaturë, në thonjëza, për të ruajtur stabilitetin”, shpjegoi ai.

Por për kryetarin e komisionit, Erion Braçe shqetësuese për median online përveç dezinformimit është dhe funksionimi i tyre në informalitet të plotë.

“Duam të dimë kush janë të regjistruar dhe kush jo. A janë të regjistruara në tatime mediat online apo jo? Sepse në faqet e tyre unë shoh aktivitet tregtar, si operojnë këta?”, – iu drejtua Erion Braçe Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj gjatë raportimit të tij në komision më 6 nëntor.

DPT-së dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit që raportuan në të njëjtën ditë në komision, Braçe u kërkoi të hartojnë një listë më të gjitha portalet dhe mediat online të regjistruara ose jo, me qëllimin për të formalizuar tregun mediatik online.

“Media online në ketë vend funksionon në një terren totalisht ilegal, e paregjistruar dhe thuajse e hapur ndaj lajmeve që përbëjnë dezinformim të pastër dhe me pasoja të rënda për sektorët strategjikë të vendit dhe qoftë për interesat e vendit. Këto janë dy problematikat që kemi hasur deri më tani. Fluksi i informacionit që është keqdashës në këtë vend vijon e rritet, ne jemi dhe para zgjedhjeve”, tha Erion Braçe.

Cenimi i lirisë

Liria e medias
Credit: CC BY-SA – Liria e medias

Koloreto Cukali, drejtues i Këshillit Shqiptar të Medias ka bindjen e plotë se dezinformimi luftohet me edukim mediatik dhe jo me nisma parlamentare që më shumë ngre shqetësime mbi cenimin e lirisë së medias.

Ky komision është ngritur për të cenuar lirinë e medias dhe herë pas herë kthehet aty, siç është kërkesa për të krijuar një listë me portalet e regjistruara, sepse nuk duhet fare për objektin e këtij komisioni.” – thotë Koloreto Cukali.

Sipas tij, propaganda është problematike më e madhe që konstatohet në median në vend.

“Shqipëria ka një problem shumë të madh me propagandën më tepër se me dezinformimin. Dezinformimi në nivel informativ vjen nga Bashkia e Tiranës dhe qeveria, që janë dezinformuesit më të mëdhenj dhe e kanë ngritur dezinformimin në nivel propagande. Kjo është propagandë dhe nuk shoh njëri të shqetësohet në atë komision për propagandën, që është dezinformim në nivel sipëror”, shpjegon Cukali.

Ndërsa për kryetarin e Unionit të Gazetarëve Aleksandër Çipa, shqetësimi për dezinformim përmes portaleve është real, por nuk mund të bëhet përgjithësues.

“Listimi dhe regjistrimi i mediave online duhet të jetë një proces natyral që nuk mund dhe nuk duhet të cenojë asnjë komponent të lirisë së medias dhe të shprehjes publike” – thotë Çipa.

Por institucionet ndërkombëtare duket se shqetësim kryesor kanë dezinformimin që vjen nga ndërhyrjet e huaja, një shqetësim madhor në shumë vende, dhe sipas tyre Shqipëria nuk është imune.

“Prezenca e OSBE-së në Shqipëri mbështet planet për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të këtij problemi, duke përfshirë ngritjen e komisionit të posaçëm. Është thelbësore që komisioni i posaçëm parlamentar të funksionojë në mënyrë të hapur, përfshirëse dhe transparente, me pjesëmarrjen aktive të të gjithë aktorëve politikë, përfshirë edhe opozitën.” – thuhet në një deklaratë që “shteg.org” mori nga zyra e shtypit të OSBE-së në Shqipëri.

Krahas mbështetjes, OSBE kërkon që lufta ndaj dezinformimit të mos çojnë në kufizime të panevojshme të lirisë së medias.

“Është jetike që profesionistët e medias, ekspertët dhe organizatat e shoqërisë civile të konsultohen gjatë gjithë këtij procesi, për t’u siguruar që çdo veprim apo rregullore e propozuar të jetë e mirinformuar dhe të mos mbytë debatin publik apo të kufizojë rolin e gazetarisë së pavarur. Qëllimi përfundimtar duhet të jetë promovimi i transparencës, mbrojtja e lirisë së medias, mbështetja e gazetarisë etike dhe ruajtja e një mjedisi demokratik të shëndetshëm.” – përfundon deklarata e OSBE.

E ndërsa institucionet ndërkombëtare bëjnë thirrjen ndërmarrjen e hapave që garantojnë lirinë e medias në vend, raportet e fundit tregojnë se Shqipëria nuk ka bërë aspak përparime në drejtim të lirisë së shprehjes dhe medias.

Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato, teksa i dorëzoi personalisht kryeministrit Rama progres raportin, foli me shqetësim për lirinë e shprehjes dhe mbivendosjen e interesave të medias, biznesit dhe politikës.

“Një tjetër fushë e rëndësishme, është liria e shprehjes dhe për fat të keq komisioni nuk vëren asnjë progres në këtë fushë dhe sa i përket çështjeve afatgjata që kanë qenë shqetësuese sidomos mbivendosja e interesave të medias, biznesit dhe politikës dhe kushtet e problematike të punës së gazetarëve. Shpresoj që çelja e grup-kapitullit të parë të negociatave të jetë një mundësi e mirë për autoritetet shqiptare që të realizojnë këto reforma”, – deklaroi ai.

Akoma dhe më shqetësues ishte raporti i organizatës ndërkombëtare “Reporterët pa Kufij” i cili publikon në 3 majin e çdo viti indeksin e lirisë së shtypit në botë. 

Në këtë raport, për vitin 2023 vendi ynë renditet i parafundit në Europë, duke lënë pas vetëm Turqinë. Shqipëria u rendit në vendin e 99-të nga 96-ta që renditej një vit më parë (2022), duke u përkeqësuar me 3 vende.

Edhe raporti i përvitshëm mbi pluralizmin në media nga Qendra për Pluralizmin dhe Lirinë e Medias, CMPF, në Institutin Evropian Universitar në Firence për vitin 2023 e vendos Shqipërinë në listën e vendeve në ‘rrezik të lartë’ sa i takon situatës në media.

Raporti përpilohet për 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe 5 vendet kandidate, përfshi Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Turqinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Siguria fizike e gazetarëve nuk është gjithmonë e garantuar, kushtet e punës mbeten të këqija ndërsa autoriteti i medias nuk është i pavarur nga ndikimi politik. Tendencat e punësimit dhe të të ardhurave nëpër sektorë të ndryshëm të medias në përgjithësi janë negative apo stacionare, ndërsa ndikimi politik dhe ekonomik nga pronarët e medias minon mundësinë për raportim të ekuilibruar dhe të pavarur”, thuhet në raport.

Raziela Myslymaj
+ posts

Raziela Myslimaj është gazetare në televizionin Report TV, ku mbulon zhvillimet dhe aktualitetin politik në vend.
Më herët ka punuar në televizionin Euronews Albania dhe MCN TV ku është angazhuar jo vetëm në trajtimin e temave politike, por edhe në çështje sociale.
Ka mbaruar studimet për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës.