Dështon seanca e parë për “Dosjen Partizani”, Berisha mungon në gjykatë, gjyqtarja kërkon dorëheqjen.
Seanca e parë në themel për çështjen penale të njohur si “Dosja Partizani” dështoi këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), pas mungesës së disa prej të pandehurve, përfshirë ish-kryeministrin Sali Berisha. Ndërkohë, një nga gjyqtaret e çështjes ka kërkuar dorëheqjen për shkak të një lidhjeje familjare me një deputete të opozitës.
Trupa gjykuese vendosi të shtyjë seancën për më 21 korrik, pasi konfirmoi se Berisha nuk ishte njoftuar zyrtarisht për zhvillimin e saj. Fletëthirrja ndaj tij, sipas gjykatës, ishte lënë në duart e dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi, por ky i fundit deklaroi se nuk e kishte njoftuar personalisht.
Probleme me njoftimet
Në sallën e gjyqit u paraqitën vetëm dy të pandehur, Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja. Sipas avokatëve, Berisha nuk ka marrë njoftimin me kohë dhe për këtë arsye mungesa e tij ishte e justifikuar.
Mungesa e Berishës në sallë u shoqërua me debate mbi mënyrën se si i ishte komunikuar fletëthirrja për seancën. Sipas trupës gjykuese, dokumenti ishte dorëzuar nga oficeri gjyqësor tek dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili ndodhej në sallë.
I pyetur nga gjykata nëse e kishte njoftuar personalisht Berishën, Malltezi deklaroi se nuk kishte dijeni. “Unë nuk e kam njoftuar vetë dhe nuk e di nëse ai e ka marrë njoftimin.”
Përpara nisjes së seancës, Jamarbër Malltezi reagoi për mediat duke e cilësuar të gjithë procesin si të motivuar politikisht. “SPAK nuk guxon ta thërrasë Edi Ramën, ndonëse ka 8 firma në këtë procedurë. Ndërsa Berisha nuk ka asnjë,” deklaroi Malltezi.
Ai shtoi se gjatë hetimeve kanë kërkuar Ramën si dëshmitar, por kërkesa është injoruar.
“Kjo është një gjueti shtrigash. Nga zhvillimi i pronës kemi ndihmuar 42 familje, kemi ndërtuar çerdhe dhe kopsht. Ndërsa Rama i fal tokat me zero lekë dhe i lë miqtë pa taksa,” u shpreh ai.
Edhe Berisha reagoi përmes një postimi në Facebook, ku theksoi se nuk ka asnjë firmë në dokumentet e privatizimit, duke e cilësuar procesin si “një piramidë mashtrimi” që, sipas tij, udhëhiqet nga qeveria aktuale.
“Kapja dhe përdorimi i drejtësisë si armë politike është tipar i regjimeve autokratike. Ky është një proces politik, fund e krye një piramidë mashtrimi, i urdhëruar nga Edi Rama,” shkroi ai.
Përveç Berishës, në sallë mungonin edhe të pandehurit e tjerë Fatmir Bektashi, për arsye shëndetësore, si dhe përfaqësuesit ligjorë të shoqërisë “Homeplan” sh.p.k., ndonëse kjo e fundit kishte qenë e pranishme në seancat paraprake.
Të vetmit të pranishëm në sallën e gjyqit ishin Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ngritur akuza për korrupsion dhe pastrim parash ndaj tetë të pandehurve, përfshirë Berishën dhe Malltezin. Çështja lidhet me privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani” në Tiranë dhe ndërtimin e pallateve mbi të.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm që shoqëroi seancën ishte dhe lajmi kërkesës për dorëheqje nga gjyqtarja Elsa Ulliri, e cila është pjesë e trupës gjykuese.
Burime nga GJKKO bëjnë me dije se Ulliri i ka paraqitur kërkesën drejtuesit të gjykatës Erjon Bani, rreth dhjetë ditë më parë. Në arsyetimin e saj, ajo ka sqaruar se është kushërirë me deputeten demokrate Andia Ulliri, duke ngritur dyshime për konflikt interesi.
Gjykata ka bërë të ditur se informacioni zyrtar mbi këtë kërkesë do të jepet gjatë seancës së ardhshme, më 21 korrik:
“Trupi gjykues do të relatojë në seancë nëse është paraqitur ndonjë kërkesë për dorëheqje, si dhe vendimmarrja përkatëse nëse ka pasur,” thuhet në njoftimin zyrtar të GJKKO.
Kalimi për gjykim i çështjes së njohur si “Dosja Partizani” ndodhi vetëm dhjetë ditë më parë, pas një procesi paraprak që zgjati shtatë muaj, i mbushur me shtyrje të njëpasnjëshme dhe debate të forta ligjore.
Më 19 maj, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vendosi ta kalojë çështjen për shqyrtim në themel, pas një seance të tensionuar ku mbrojtja e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe e bashkëpandehurve kërkoi rrëzimin e provave dhe përjashtimin e gjyqtares. Kërkesat u refuzuan nga trupa gjykuese, duke i hapur rrugën vijimit të procedurës penale.
Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe të pandehurit e tjerë akuzohen për “korrupsion pasiv i kryer në bashkëpunim”, në lidhje me privatizimin dhe ndërtimin e 17 pallateve në ish-kompleksin sportiv “Partizani”, një aferë për të cilën SPAK pretendon se i ka sjellë përfitime mbi 5 milionë euro dhëndrit të ish-kryeministrit.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.