Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë, e cila parashikon dërgimin e emigrantëve të refuzuar për azil në Shqipëri, ka mundësuar ardhjen e grupit të katërt të emigrantëve në vendin tonë. Rreth pasdites së 11 prillit, 40 emigrantët e parë nga ky grup u shoqëruan në Portin e Shëngjinit, ku pas verifikimeve, ata do të akomodohen përkohësisht në kampin e Gjadrit. Ky transferim është pjesë e një plani më të gjerë për të zhvendosur emigrantët që janë refuzuar për azil në Itali, duke i riatdhesuar ata në vendet e origjinës.
Të dëbuarit e kampit të Gjadrit

Anija “Libra” mbërriti në Shëngjin për herë të katërt, por këtë herë emigrantët që mbërritën do të dërgohen për riatdhesim. Ky grup prej 40 personash është i pari që ka marrë urdhër dëbimi nga territori italian, pas refuzimit të kërkesave të tyre për azil. Ata do të qëndrojnë në kampin e Gjadrit, i cili tashmë ka ndryshuar statusin e tij dhe është shndërruar në një qendër për të dëbuarit, sipas një drafti të ri të miratuar nga qeveria e kryeministres italiane, Giorgia Meloni.
Rregullat e Bashkimit Europian nuk e lejojnë transferimin e emigrantëve në një vend që nuk është as vendi i tyre i origjinës dhe as vendi i tranzitit. BE parashikon që qendra të tilla të mund të hapen vetëm pas vitit 2027, ndërkohë që Italia po e zbaton këtë masë menjëherë.
Pas marrjes së vendimit për ndryshimin e përdorimit të kampit, ish-kryeministrii Italian, Matteo Renzi vizitoi qendrën e pritjes së emigrantëve në Gjadër të Lezhës.
Ish-kryeministri italian tha se se kampi i Gjadrit duhet të përdoret si një qendër ku mund të vuajnë dënimin shqiptarët e dënuar nga drejtësia italiane, që sipas tij do të ishte lehtësim për sistemin e burgjeve italiane dhe do të ndihmojë të burgosurit shqiptarë të jenë më afër familjarëve.
“Mendojmë se është e drejtë që të vijmë këtu për t’u thënë italianëve shihni ku po shpenzohen paratë tuaja. Me anë të një marrëveshje me shtetin shqiptar, qendrat e Gjadrit dhe Shëngjin të kthehet në burg për shqiptarët të cilët vuajnë dënimin në Itali.” – deklaroi ish-kryeministri Renzi, dhe pse sipas përgjigjeve zyrtare që “shteg.org” disponon nga ana e shtetit shqiptar mungon informacioni për numrin e shqiptarëve të dënuar në Itali.
Ndërkohë, Italia ndaloi përkohësisht dërgimin e emigrantëve në Shqipëri duke lënë ambientet e paraburgimit bosh.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve tha për “shteg.org” se “nuk ishte në dijeni për numrin e të burgosurve në shtetin italian” dhe se “këto tema trajtohen në nivel ekzekutiv”.
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë deklaron se nuk administron statistika për numrin aktual të shqiptarëve të burgosur në Itali.
Ministria e Drejtësisë shqiptare u shpreh për “shteg.org” se aktualisht dy shtetet vijojnë bashkëpunimin në fushën e transferimit të shtetasve shqiptarë nga Italia në Shqipëri si dhe shtetasve italianë nga Shqipëria në Itali mbi bazën e Marrëveshjes Shtesë të Konventës Europiane të 21 Marsit 1983 “Për Transferimin e Personave të Denuar” ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë. Prej fillimit te zbatimit të kësaj marrëveshje, nuk ka patur problematike dhe për rrjedhojë nuk ka ftesa të ndërsjellta për ndryshim të saj.
Mirëpo, Ministria e Punëve të Jashtme pranon zyrtarisht se nuk kanë informacion nëse po negociohet një marrëveshje e tillë mes dy shtetve fqinjë, Itali-Shqipëri.
Në nëntor të 2023, Shqipëria dhe Italia nënshkruan një marrëveshje me qëllim menaxhimin e emigrantëve ilegalë të kapur në brigjet italiane.
Bazuar në këtë marrëveshje, emigrantët nisën të zbarkonin në portin e Shëngjinit dhe më pas shoqëroheshin për në kampin e posaçëm Gjadër, në Lezhë.
Qëndrimi në kamp synon strehimin e tyre përgjatë kohë së shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil nga autoritetet italiane.
Punimet për ndërtimin e këtij kampi nisën që prej marsit të 2024 i ndarë në disa faza punimesh. Në fazën e parë u bë shtrimi i rrugës nga fshati Kakarriq drejt Gjadrit dhe ndërtimi i një muri rrethues 7 metra të lartë për të garantuar sigurinë e kampit.
Sipas standarteve të përcaktuara kampi është projektuar për strehimin e 3000 emigrantëve në muaj dhe në zonën e paraburgimit me kapacitet prej 20 vendesh.
Në tetor të vitit 2024, porti i Shëngjinit priti grupin e parë të emigrantëve, 16 persona që kërkonin azil. Pas verifikimeve, vetëm 12 prej tyre u strehuan në kampin e Gjadrit, ndërsa katër të tjerët, dy minorenë dhe dy me probleme shëndetësore, u kthyen në Itali. Ky grup ishte i pari që kaloi nëpër procesin e riatdhesimit, pasi kërkesa për azil e tyre ishte refuzuar nga autoritetet italiane. Kjo ngjarje shënoi fillimin e një sfide ligjore, pasi më pas, Gjykata e Katanias, referuar Gjykatës Europiane të Drejtësisë, vendosi që emigrantët nga Bangladeshi dhe Egjipti nuk mund të qëndronin në Shqipëri, pasi vendet e tyre të origjinës nuk ishin të konsideruara si të sigurta.
Një javë më vonë, një grup tjetër emigrantësh mbërriti në Shëngjin, por fatet e tyre qenë të ngjashme. Edhe këta emigrantë u kthyen në Itali pas vendimit të Gjykatës së Romës për pezullimin e masës për ndalimin e tyre. Gjykata, duke iu referuar një vendimi të mëparshëm të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, argumentoi se për çdo rast të emigrantëve duhet të vendoset individualisht, dhe vendimi i autoriteteve italiane për të dërguar emigrantët në Shqipëri pa një shqyrtim të detajuar të kërkesës së azilit ishte në shkelje të legjislacionit evropian.
Gjatë fundvitit 2024 dhe fillimit të vitit 2025, qeveria italiane ndërmori disa masa për të përforcuar marrëveshjen me Shqipërinë. Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë Meloni për të zbatuar ligjin për “vendin e sigurt”, pas çdo kthimi të emigrantëve, gjykatat italiane e vazhduan pasivizimin e vendimeve, duke ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e veprimeve të kryera.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.