Mbi lojën e verës të dy pleqve…

177
Kreu i "Nisma Thurrje", Endri Shabani, Kreu i Lëvizjes "Shqipëria Behet" Adriatik Lapaj gjatë një ceremonie ku u njoftua krijimi i koalicionit zgjedhor "Nisma Shqipëria Bëhet"
Credits: LSA - Kreu i "Nisma Thurrje", Endri Shabani, Kreu i Lëvizjes "Shqipëria Behet" Adriatik Lapaj gjatë një ceremonie ku u njoftua krijimi i koalicionit zgjedhor "Nisma Shqipëria Bëhet"

Edi Rama dhe Sali Berisha janë ende sot mbas 35 vjetësh dy njerëzit më influentë në Shqipëri. Falë aftësisë së tyre sigurisht por edhe trashëgimisë së një kulture politike popullore të bazuar në nënshtrimin absolut ndaj pushtetit, ata ia dolën të kalërojnë pothuajse 35 vjet rresht Shqipërinë.

Duke qenë një vend i vogël influenca e tyre shtrihet kudo, deri te indet më të holla të shoqërisë dhe është shumë e lehtë për ta të lëvizin fije të padukshme për syrin e pastërvitur për të prodhuar ngjarje të cilat i shërbejnë pushtetit të tyre.

E tillë ishte edhe ngjarja e para pak ditëve, ku daja i Endri Shabanit u bë (jo aq papritur) protagonist i verës politike duke kërkuar mandatin e deputetit që i takon Lëvizjes Shqipëria Bëhet.

Nëse ndalon pak dhe analizon veprimin e Shabanit, nuk arrin të kuptosh se përse ai do e konsumonte një akt të tillë i cili nuk i sjell asnjë përfitim, përkundrazi, siguron alienimin e tij social e politik.

Nga ajo ditë e pas, me z. Shabani është e sigurtë se askush nuk do të dojë të bashkëpunojë më, jo vetëm për projekte politike por as për të shërbyer në kafen e lagjes. Sepse lehtësia me të cilën tradhtoi një shok me të cilin njihej e bashkëpunonte prej shumë vitesh, është një gjest që askush nuk e merr lehtë dhe nuk do donte ta përjetonte vetë.

Argumentet e tij nuk qëndrojnë. E para zotimi i z. Lapaj për ta lënë mandatin nuk ishte ndaj elektoratit të Nismës Thurje por ndaj elektoratit të tij dhe ishte bërë kohë para se të ngjizej koalicioni. Për sa kohë mandati i takon Shqipëria Bëhet (dhe i takon sepse me shifrat zgjedhore kandidatët e Shqipëria Bëhet e fitonin mandatin pa qenë fare në koalicion me Nismën Thurje e cila pati një numër shumë të vogël mbështetjeje me rënie nga 2021, të cilën e siguruan pikërisht sepse u pranuan në koalicion), atëherë llogarinë Adriatiku e ka me Partinë e tij dhe askush nuk ia kishte caktuar rolin e gardianit z. Shabani.

Po ashtu burrërinë z. Lapaj ka ku e tregon dhe nuk besoj se prova kalon nga z. Shabani.

Së dyti askush nuk u kishte dhënë rolin e siguresave kandidatëve të listës së mbyllur, ata ishin aty vetëm për të garantuar garën e listës së hapur, garanci të cilën e prishi z. Shabani.

Jam i sigurtë që doktoranti i Oksfordit e kupton fare mirë këtë, ashtu siç kupton se loja që nisi ishtë loose-loose. Pra humbje – humbje për të dyja palët, si për të ashtu dhe për z. Lapaj. Sepse nga kjo lojë z. Shabani nuk do e përfitojë mandatin dhe siç thamë më lart siguroi mbylljen e karrierës së tij në Shqipëri teksa i la z. Lapajt koston e përzgjedhjes së një familjari për tu futur në parlament, si edhe barrën e një gabimi fatal në përzgjedhjen e partnerit të koalicionit.

Por teksa për Adriatikun këto janë mësime të cilat do i shërbejnë për të ardhmen, Endri ka firmosur fundin.

Atëherë pse z. Shabani e bëri këtë lëvizje vetëvrasëse?

Unë besoj se ka vepruar në kushtet e shantazhit nga binomi i pushtetit (Rama – Berisha) i cili ka informacion mbi shkelje ligjore e abuzim me fondet publike të bëra nga z. Shabani, informacione të cilat tashmë i disponojnë disa duar në Tiranë dhe besoj se herët ose vonë do të mbërrijnë edhe në dyert e drejtësisë e cila do të duhet të veprojë.

Por le ta lëmë Shabanin në hallin e tij e të kuptojmë se përse e bëri këtë binomi i pushtetit?

Halli imediat janë zgjedhjet e pjesshme vendore në disa bashki të vendit të cilat me gjasa do të zhvillohen në shtator ose tetor. Duke qenë se PD-ja pati një hemoragji të madhe në elektorat dhe partitë e reja lulëzuan, mbi të gjitha “Shqipëria Bëhet”,  atëherë goditja e këtij subjekti do të siguronte që lojtarët lokalë të cilët kishin filluar të flirtonin me këtë parti politike të bëhen hezitues duke i dhënë edhe pak kohë PD të luajë me ta.

Imagjinoni nëse në zgjedhjet e pjesshme vendore PD renditet e treta apo e katërta me kandidatët e saj. Ky do ishte fundi i saj politik sepse rrjedhja prej saj do të katalizohej edhe më shumë. Por fundi politik i PD-së për Ramën do të thotë që garën mos ta ketë më me personazhe të së shkuarës si Berisha, Noka etj por me të ardhmen që sot përfaqësohet nga Shqipëria Bëhet.

Kujtojmë se hemoragji në zgjedhjet e fundit nuk pati vetëm PD por edhe PS. Edhe pse ajo mori më shumë mandate (si pasojë e sistemit zgjedhor dhe tkurrjes massive të PD) në shifra relative elektorati i saj u tkurr dhe Edi Rama e di mirë këtë realitet.

E vërteta është se partitë e vjetra në Shqipëri po vdesin. Dhe ashtu si në jetë, edhe në politikë ti nuk ja bën dot me hile vdekjes, qameti mund ta vonosh pak atë.

Duke sulmuar Lëvizjen Shqipëria Bëhet, Rama-Berisha synojnë të vonojnë fuqizimin e saj në zgjedhjet e pjeshshme vendore e për rrjedhojë të frenojnë vdekjen e tyre politike.

Është në dorën e gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Shqipëria Bëhët, të gjithë atyre kandidatëve që u angazhuan, të gjithë atyre që i kanë mbeshtetur me vota dhe financiarisht në diasporë dhe në Shqipëri që sot në këtë moment të rëndësishëm për këtë forcë politike të tregojnë mbështetje, solidaritet dhe mbi të gjitha angazhim maksimal për të triumfuar në zgjedhjet vendore.

Ky është momenti historik që do tregojë nëse kjo forcë e ka stofën për të qeverisur vendin, apo këtë mission do të duhet ta kryejë dikush tjetër.

Besjan Pesha
+ posts

Besjan Pesha është një studiues i shkencave politike dhe njohës i mirë i politikës në rajonin e Ballkanit. Ai ka mbaruar Masterin për Shkenca Politike pranë Universitetit të Tiranës dhe ka një eksperiencë të gjatë si aktivist i shoqërisë civile, duke filluar me themelimin e Lëvizjes Mjaft e më pas me themelimin e Nismës Thurje.
Besjani gjithashtu ka një eksperiencë në politikën aktive si edhe në qeverisje ku ka shërbyer në disa pozicione të rëndësishme përgjatë viteve 2007-2013.
Së fundmi ai punon si konsulent politik në rajon dhe gjatë kohës së lirë kontribuon për shteg.org.