Mbyllja e Tik-Tok (mos)zgjidhja e nxitjes së dhunës

Qeveria shqiptare po shqyrton mundësinë e mbylljes së Tik-Tok dhe Snapchat për Shqipërinë, si mënyrë për të pakësuar dhunën mes të rinjve. Ekspertët theksojnë se mbyllja e këtyre platformave nuk është zgjidhja më e mirë, duke sugjeruar kontrolle të përmbajtjes dhe edukim.

TikTok
Credit: shteg.org

Qeveria shqiptare ka ngritur shqetësimin për ndikimin e rrjeteve sociale në fenomenet e dhunës midis të rinjve. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, kanë propozuar mbylljen e TikTok dhe Snapchat, duke argumentuar se këto platforma nxisin sjellje të papërshtatshme. Ndërkohë, statistikat e raportimeve për dhunë fizike dhe virtuale mes adoleshentëve janë alarmante.

Ekspertët e teknologjisë dhe sociologjisë sugjerojnë se vendosja e filtrave për kontrollimin e përmbajtjes dhe edukimi i adoleshentëve do të ishin më efektivë sesa mbyllja totale e platformave. Ata paralajmërojnë se ndalimi i rrjeteve sociale mund të mos ketë efekt afatgjatë, pasi adoleshentët mund të gjejnë mënyra për t’i aksesuar ato ose të kalojnë në platforma alternative.

“Takimet këshilluese” zëvendësojnë “konsultimet publike”

Takime këshilluese Fier
Credit: Facebook – “Takime këshilluess” me prindërit dhe mësuesit në shkollën “Janaq Kilica”, Fier

Sipas legjislacionit shqiptar, me ”konsultim publik” kuptohet tërheqja e mendimeve dhe sugjerimeve të palëve të interesuara për përmbajtjen dhe përmirësimin e projektaktit, nga momenti i publikimit të projektaktit deri në miratimin përfundimtar të tij. Gjatë takimve që Kryeministri Rama dhe ministrja e Arsimit, Manastirliu kanë realizuar në gjimnazin “Janaq Kilica” të Fierit dhe në shkollën 9-vjeçare “Halit Coka” u janë drejtuar mësuesve dhe prindërve për një bashkëpunim më të ngushtë ndaj tyre.

Këto takime janë cilësuar në faqen zyrtare të Kryeministrit si “këshilluese”, ndërkohë që fjala u është dhënë edhe këtyre të fundit, të cilët kanë ngritur kanë ngritur problematika të ndryshme duke nisur nga mungesa e një ligji për bullizimin, kushtet infrastrukturore në shkollë dhee deri tek vendosja e filtrave në rrjetet sociale.

“Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave apo të ndërmarrim masë drastike për mbylljen e plotë të Tik Tok apo Snapchat. Dilemën do e hedhim për diskutim të gjerë në komunitetin e prindërve. Do të angazhohen të gjitha shkollat”, deklaroi Rama, dy ditë pas vrasjes së Martin Canit nga një tjetër bashkëmoshatar, nxënës i shkollës publike “Fan Noli”.

Ndërkohë, më 26 nëntor, përkrah Kryeministrit Rama, ministrja e Arsimit Olgerta Manastirliu deklaroi në gjimnazin “Sami Frashëri” se MAS ka nisur një tur të komunikimit publik me prindërit për të diskutuar për të gjitha proceset edukative dhe instrumentat e parandalimit të fenomeneve të dhunës kibernetike.

Qindra rastet e dhunës fizike dhe kibernetike midis adoleshentëve janë raportuar pranë institucioneve vendore dhe në organizatat jofitimprurëse.

Sipas Policisë së Shtetit, në të dy vitet e fundit shkollore raportohen 703 raste të konflikteve fizike midis nxënësve në shkolla, ndërkohë me qindra raste të dhunës janë raportuar edhe pranë “Alo 116”, Linja Kombëtare për fëmijët që ka për qëllim këshillimin e tyre dhe referimin e nevojave të tyre në institucionet përkatëse.

Sipas të dhënave zyrtare të “Alo 116”, përgjatë viteve 2009-2023 janë raportuar 739 raste të “problemeve, abuzimit dhe dhënës në shkolla” prej adoleshentëve, ndërkohë që 580 raste janë regjistruar në kuadër të pasigurisë në internet dhe në përdorimin e celularit.  

Gjatë deklaratës së tij Kryeministri Rama tha përballë prindërve në gjimnazin “Sami Frashëri” se mbyllja e platformës së Tik-Tok dhe Snapchat nuk është zgjidhje për problematikën e dhunës në shkolla, megjatë mbyllja e tyre do të pakësonte rastet e nxitjes së dhunës.

“[..]ideja për të ndaluar TikTok-un dhe/ose SnapChat si dy platforma që janë problematike, – të gjitha platformat janë problematike në fakt, por këto dyja janë problematike për arsye specifike”,-  tha Rama, ndërkohë që më 4 dhjetor ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu në kuadër të ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore deklaroi se në dialogjet e hapura me prindërit në shkollat e vendit, pjesa më e madhe e këtyre të fundit janë pro mbylljes së platformës së Tik-Tok.

“Ne kemi nisur një dialog të hapur me prindërit në të gjitha shkollat e vendit. Deri tani janë organizuar 170 konsultime, ku kanë marrë pjesë mbi 5 mijë prindër. Shumica e tyre janë dakord për mbylljen e platformës TikTok, e cila në shumicën e rasteve promovon sjellje të pahijshme dhe modele të këqija që nxisin dhunën,” tha Manastirliu.

Mbyllja e Tik-Tok nuk është zgjidhje

Rastet e raportimit të dhunës fizike dhe asaj virtuale midis adoleshentëve janë më të shpeshta në qytetet e mëdha të vendit, sipas shifrave zyrtare që “Alo 116” ka vendosur në dispozicion të “shteg.org”.

Konkretisht, në 6 vitet e fundit, 2018-2023, në Tiranë janë regjistruar 8471 raste të raportimit të dhunës tek fëmijët dhe adoleshëntët. Ndërkohë, që nga qyteti i Durrësit janë raportur 2728 raste të dhunës dhe në qytetin e Fierit 2642 raste.

Alo 116
Credit: Alo 116 – Rastet e denoncuara të formave të ndryshme të dhunës nga adoleshentët (2018-2023)

Sipas ekspertëve, për të minimizuar hapësirën nxitëse online të dhunës, nuk është e nevojshme mbyllja përfundimtare e rrjetit social Tik-Tok por vendosja e filtrave gjatë përdorimit nga adoleshentët.

Eksperti i Teknologjisë së Informacionit, Said Duleviç thotë për “shteg.org” se forma më e mirë të të minimizuar hapësirat e nxitjes së dhunës do të ishte vendosja e filtrave dhe kontrollimi i përmbajtjes së videove që do të postohen në rrjetin social.

“Kjo do shumë staf, menaxhim dhe monitorim, ku mendoj që Shqipëria s’i ka kapacitetet ndaj shkojnë tek zgjidhja e lehtë që e mbyllin komplet, por nuk mendoj që kjo zhduk problemin e dhunës apo problemeve sociale”, – thotë Duleviç duke shtuar se mbyllja e Tik-Tok me anë të një vendimi nuk do të thotë se ky rrjet social do të mbyllet përfundimisht.

“Tik-tok mund të rihapet me VPN ose kollaj zëvendësohet me një app tjetër që ngjashëm”, – përfundon Said Duleviç.

Ndërkohë, profesori i sociologjisë, Zyhdi Dervishi thotë për “shteg.org” se për të mos nxitur dhunën në rrjetet sociale platformat kompjuterike duhet të filtrojnë komentet me gjuhë vulgare dhe imazhet e papërshtatshme.

“Në këtë mënyrë hiqet pjesa helmuese e rrjeteve sociale dhe mbetet ajo pjesa e mirë e komunikimit për çështje pune, mesazh, opinionesh etj”,- thotë sociologu, duke shtuar se duhet ndaluar dhe përdorimi i gjuhës vulgare dhe sharëse në parlamentin e vendit.

Konsultimet e qeverisë ndër vite

Rregjistri Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike
Credit: Screenshot – Rregjistri Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike

Nuk është hera e parë që kryeministri Rama ndërrmerr nisma të ndryshme duke futur në mes “konsultimin publik” dhe dhënë shifra si për pjesëmarrjen e tyre ashtu edhe në verdiktet e dhëna. Në fund të vitit 2021, pak muaj pasi mori mandatin e tretë qeverisë, kryeministri Edi Rama lajmëroi se do të ndërrmerrte nismën “Këshillim Kombëtar” përsa i përket 12 nismave që sipas tij do të merrej mendimi i publikut.

Më 19 janar të vitit 2022 nisi “Këshillimi Kombëtar” i cili përfundoi më 31 mars të po atij viti. Drejtorja e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Cano, bëri publike në një konferencë për shtyp rezultatet e Këshillimit Kombëtar. Sipas saj, në pyetësor morën pjesë 563.195 persona të cilët iu përgjigjën 12 pyetjeve.

“U përdorën 3 metoda, dërgimi i zarfit në cdo familje, përmes faqes onlinë këshillimi kombëtar.al dhe tendat e ngritura në 61 bashki. 340 mijë e kanë dhënë mendimin përmes postës, 127 mijë përmes faqes online dhe 95 mijë në tenda”-tha ajo. Vetë kryeministri Rama e cilësoi si një lloj referendumi dhe se do të “zbatonte verdiktin qytetar”.

Tre nga pikat kryesore të këtij pyetsori ishin: 1-legalizimi i kanabisit mjekësor; 2-nisma “Ballkani i Hapur” dhe amnistia fiskale. Për të trija këto pyetje Rama tha se ishin përgjigjur pozitivisht mbi 60 % e shqiptarëve.

Dy vite më pas, nismat kryesore për të cilën Rama tha se do të “zbatonte me përpikmëri” verdiktin qytetar, kanë rënë. Bëhet fjalë për “aminstinë fiskale” e cila hasi në refuzimin e fortë të BE-së dhe SHBA-ve, pasi dyshonin se po tentohej “pastrimi i parave” dhe nisma e dytë ajo e “Ballkanit të Hapur”, u mbyll nga vetë Rama.

Askush nuk i certifikoi këto “Këshillime Kombëtare”, ndërsa vihet në pykëpyetje edhe vërtetësia e “konsultimi publik” të fundit që sipas qeverisë prindërit janë shprehur për mbylljen e të paktën dy platformave të rrjeteve sociale.

+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.

Sebi Alla është gazetar me një ekperiencë të gjatë në median e shqiptare.

Alla ka punuar që nga viti 2000 në median e shkruar, ku ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi si dhe ka kryer një sërë hulumtimesh.

Gjithashtu ai ka punuar si redaktor dhe kryeredaktor në disa media të shkruara në Shqipëri.

Alla ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës.