Mbyllja e TikTok në Shqipëri, vendimi i qeverisë sfidohet në Gjykatën Kushtetuese

Gazetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile kërkuan pranë Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e vendimit për mbylljen e “Tik-Tok”.

471
TikTok mbyllet
Credits: shteg.org

Përfaqësues të Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë, BIRN Albania dhe Qëndresës për Fuqizimin Ligjor paraqitën në Gjykatën Kushtetuese, këtë të martë (25 mars 2025) kërkesën për shfuqizim të vendimit të Këshillit të Ministrave për mbylljen 1-vjeçare të “TikTok”.

Sipas tyre, ky vendim cenon lirinë e shprehjes, duke dëmtuar të drejtën e qytetarëve për akses në informacion.

Vendimi u kundërshtua, 12 ditë pasi u miratua nga Këshilli i Ministrave, me arsyetimin se kufizon lirinë e shprehjes dhe të drejtën për informacion.

“Ne mendojmë se pikë së pari vendimi për të mbyllur një rrjet social është tërësisht arbitrat, joproporcional dhe i rrezikshëm. Ne e kuptojmë shqetësimin që vjen nga rrjetet sociale, bullizmi online dhe dhuna online janë një shqetësim global dhe jo lokal, por zgjidhja për këtë nuk janë mbyllja e rrjeteve sociale”, – thotë për “shteg.org”, Isa Myzaraj, drejtues i Asosacionit të Gazetarëve Shqiptarë.

Ai shton se precedenti që krijohet me mbylljen e “Tik Tok”-ut, është një rrezik për demokracinë, pasi sipas tij, kushdo në të ardhmen mund të ndjekë këtë rrugë, duke mbyllur të tjera rrjete sociale e duke fikur edhe internetin. “Duke na kthyer dekada pas, në errësirën e diktaturës”, vazhdon ai.

“Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut është e shprehur qartë se mbyllja e rrjeteve sociale bie ndesh me Konventën e Të Drejtave të Njeriut që Shqipëria e ka ratifikuar. Ne kemi detyrime kushtetuese dhe ndërkombëtare që duhen zbatuar për të mbrojtur vlerat demokratike në shoqërinë tonë!”.

Çështja përballë kohës

​Më 18 nëntor 2024, pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë, ndodhi një ngjarje tragjike ku 14-vjeçari Martin Cani humbi jetën pas një konflikti me bashkëmoshatarin e tij. Opinioni publik pati reagime të forta dhe solli në vëmendje nevojën për masa më të forta në parandalimin e dhunës dhe bullizimit mes të rinjve në strukturat arsimore. Nga ana tjetër, Qeveria shqiptare ngriti shqetësimin e ndikimit të mediave sociale në fenomenin e shkaktuar, duke argumentuar se platforma të tilla si “Tik Tok” dhe “Snapchat” inkurajojnë sjellje të papërshtatshme. 

Pak ditë pas ngjarjes tragjike, Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit Olgerta Manastirliu, nisën fillimisht të organizonin “takime këshilluese”, të njoftuara në faqet e tyre zyrtare, nëpër gjimnaze e shkolla 9-vjeçare të vendit si gjimnazi “Sami Frashëri”, Tiranë, shkollën 9-vjeçare “Halit Coka” e më tej. Sipas deklaratave të Kryeministrit, vendimi i prindërve ishte pro mbylljes së këtij rrjeti social.​

Më pas, Kryeministri Edi Rama shpalli më 6 mars 2025 vendimin për mbylljen për një periudhë 12-mujore të platformës “TikTok” në Shqipëri.

“Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTok-ut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe e dyta, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike, ndërkohë që ne jemi në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të na paraqitur qoftë një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe, qoftë disa risi në shërbim të mësimeve e të studimeve”, ka reaguar Kreu i Qeverisë, në një postim në platformën “X”.

Zbatimi i këtij vendimi nisi më 13 mars, ku fill ju kërkua kompanive të internetit nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, masa për të bllokuar aksesin e platformës “TikTok” në Shqipëri.

Megjithatë, edhe pas masave të marra, duket se problematikat e këtij rrjeti social e gjejnë ende veten në përdorim në Shqipëri.

“Të të them te drejtën, kam shumë prindër që më shkruajnë herë pas here, që fëmijët e tyre bullizohen. Tani jo tekstualisht nga “TikTok”-u ose në “TikTok”, por për mosmarrjen e masave nga shkollat, me termat “nuk kemi çfarë t’u bëjmë bullizuesve”, “nuk kemi rregulla, mënyrë apo pasoja që ata mund të marrin për veprimet e tyre”, thotë sociologia Marsida Simo, ndërkohë që larg përdorimit të këtij rrjeti social nuk kanë qëndruar as politikanë dhe kandidatë të Partisë Socialiste.

Qëndresa Qytetare publikoi në faqen e tyre zyrtare në Facebook, më 24 mars, një vëzhgim të përdorimit të platformës “TikTok”, për fushatë elektorale nga kandidatë dhe drejtuesë politikë të Partisë Socialiste. Ata përmendin Ervin Demon, drejtues i qarkut Berat, Ardit Bidon, kandidat për deputet në Vlorë, Edvin Prence, kandidat i Durrësit, Ylli Shehu, Roy Bashaj dhe Glindxhet Madhi, kandidatë në Tiranë.

Desada Sadiku
+ posts

Gazetare me përvojë në raportimin e kronikës së zezë dhe çështjeve politike në Shqipëri.
Gjithashtu, ajo ka qenë pjesë e “Investigative Journalism Lab” pranë “Albanian Center for Quality Journalism” (ACQJ).
Në SHBA ka marrë leksione të gazetarisë investigative në Kolegjin e Bostonit.

Desada ka përfunduar studimet në “Media Leadership and Management” dhe “Political Journalism” dhe ka qenë e angazhuar në projekte dhe internship-e që fokusohen në gazetarinë cilësore dhe hetimore.