Me ligj arsimi është i depolitizuar, por jo për letrën nga Erion Veliaj

Më 7 mars Kryebashkiaku Erion Veliaj postoi 32 foto të mësuesve, të cilët duke buzëqeshur lexonin letrën e urimit të dërguar prej tij, ndërkohë që ekspertë të arsimit thonë për “shteg.org” se mësuesit ndodhen nën presionin e politikës.

462
Me ligj arsimi është i depolitizuar, por jo për letrën nga Erion Veliaj
Credits: shteg.org

Ndonëse në nenin 8 të ligjit për arsimin parauniversitar theksohet se sistemi arsimor është i depolitizuar, më 7 Mars, Kryetari i Bashkisë Tiranë publikoi 32 foto të ndryshme të mësuesve të shkollave publike, duke lexuar letrën e tij të urimit.

Në këtë letër, Veliaj bënte një paralelizëm mes arrestimit të tij dhe qëndrimit në burg të ish-politikanit Pjetër Arbnori, megjithëse rrethanat e rasteve janë të ndryshme. Eksperti i arsimit, Isa Halilaj, deklaron për “shteg.org” se postimi i fotove të mësuesve me letrën në duar pasqyron presionin politik mbi ta, ndërsa problematika serioze si infrastruktura e shkollave publike në zonat rurale mbeten të pazgjidhura.

Një letër nga burgu

Një muaj pas arrestimit në krye të detyrës, Kryebashkiaku Erion Veliaj është mjaft aktiv në rrjetet e tij sociale, ku përveç se posteve që kanë të bëjnë me arrestimin e tij, ai publikon edhe ngjarje të ndryshme nga qyteti i Tiranës, në të cilat nuk mungojnë fotografitë e tij me të moshuarit, me ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, shkrimtarin Ismail Kadare etj.

Pjesë e postimeve të kryebashkiakut janë dhe festat apo datat e caktuara të historisë, siç është 7 Marsi. Gjatë Ditës së Mësuesit, Veliaj publikoi në rrjetet e tij sociale 32 fotografi në të cilat shfaqeshin mësues të shkollave të Tiranës teksa lexonin letrën e dërguar dhe të firmosur prej tij.

Në letrën e tij Veliaj bën një paralelizim midis qëndrimit të tij në burg, dhe atij të ish-politikanit Pjetër Arbnori. Duke iu referuar letrës që Arbnori ia dha mamasë së tij pasi u arrestua në burgjet e sistemit komunist për 25 vite, Veliaj thekson se do të dalë me nder, ndonëse midis arrestimit të Veliajt dhe atij të ish-politikanit Pjetër Arbnori rrethanat dhe akuzat janë të ndryshme.

Postimi i Veliajt në rrjetin social “Facebook” ka marrë 1,4 mijë like, ndërkohë që numëron 114 komente dhe 238 shpërndarje.

Sipas të dhënave që përdoruesit e këtij rrjeti social kanë publikuar në profilin e tyre, disa prej tyre janë punonjës të administratës publike në Drejtorinë e Tatime dhe në Bashkinë Tiranë, ndërkohë që në profilin nuk mungojnë shpërndarjet e postimeve të institucioneve.

Pavarësisht fotografive në të cilët mësuesit duken të lumtur teksa lexojnë në grup letrën e Kryebashkiakut, zëvendëspresidenti i Sindikatës së Mësuesve Isa Halilaj thotë për “shteg.org” se publikimi i fotografive të tilla janë të panevojshme kur në fshatrat e Tiranës shkollat nuk janë të përshtatshme për arsim, ndërkohë që mësuesit ndihen nën presion të propagandës politike.

“Gjithnjë mësuesit ndihen në presionin e propagandës politike, por arsimi ka nevojë për ndërhyrje konkrete dhe mbështetje”, – thotë Halilaj duke shtuar se presioni ndihet edhe në frikën që mësuesit kanë për të ngritur zërin e tyre për problematika që ndikojnë drejtpërdrejtë në karrierën e tyre.

“Mësuesit kanë frikë të flasin edhe të shprehen. Në disa raste kam kërkuar që ata të shprehen në media dhe të gjithë hezitojnë. Kjo vjen për shkak të frikës jo për arsye tjetër”, – thotë ai duke shtuar, – Para nja jave i kërkova një mësueseje të tregonte rastin e vetë për diplomat, sepse jemi në një moment tani, që diplomat e ciklit të ulët nga viti 1992-1998 ministria po i trajton si bachelor, ndaj u kërkova disa mësueseve për të treguar rastin e tyre dhe nuk pranuan” – thotë Halilaj ndërkohë që shton se problematikat në sistemin arsimore fillojnë që nga infrastruktura e shkollave.

Ndonëse në qendër shkollat kanë infrastrukturë më të mirë, në fshatrat shumë pranë Tiranës  ende klasat nuk janë kthyer në mjedis shkollor për nxënësit.

“Në bashkinë e Tiranës investimet janë në qendër dhe nuk i kemi në zonat periferike. Shumë afër Tiranës ndodhen shkolla të parestauruara, në Picallë dhe Arbanë që janë shkolla që nuk ngjajnë për shkolla. Kjo është detyra e kryetarit të bashkisë, të sigurojë kushte të mira  për shkollat”,- thotë Halilaj, i cili shton se problematike për arsimin e në Shqipëri mbetet dhe mbyllja e programeve të mësuesisë, çka mund të çojë vendin tonë drejt një të ardhmeje pa mësues.

“Këtë vit buxheti për arsimin është 2.4% e GDP-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto), ndërsa vendet e Bashkimit Evropian e kanë mbi 5% dhe pastaj shfaqen problematika, si rroga që nuk janë të kënaqshme për mësuesit. Kemi progame për mësuesi që po mbyllen, se të rinjtë nuk e duan më arsimin. Nuk po stimulohen të rinjtë drejt këtij profesioni dhe nëse do të vëzhdojmë me këtë trend shumë shpejt nuk do të kemi mësues,” – përfundon eksperti i arsimit.

Për gazetarin Elvin Luku, shfaqja e postimeve në rrjetet sociale nuk është i vetmi mekanizëm që Kryebashkiaku përdor për të shpërndarë propagandën e tij. Ai thotë për “shteg.org” se prej vitesh Kryebashkiaku ka ndërtuar një makineri PR-i (stafi të Marrëdhënieve me Publikun) çka ka mundësuar shpërndarjen e aktiviteteve të tij dhe të Bashkisë Tiranë në pjesën më të madhe të mediave.

“Shpeshherë ky pasqyrim ka qenë në formën e propagandës, pasi mediat nuk i filtronin dhe verifikonin njoftimet për shtyp, por i publikonin ato të pandryshuara, duke marrë çdo fakt si të mirëqenë. Kjo makineri vijon të funksionojë edhe tashmë që kryebashkiaku është në qeli”, – thotë ai duke shtuar se dërgimi i letrave në adresë të mësuesve të ciklit parauniversitar është një dëshmi e “makinerisë propagandistike” të Bashkisë Tiranë, e cila vijon të funksionojë pavarësisht që arrestimit të Veliajt.

Dallandyshe Xhaferri
+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.