Pas 6 viteve hetime dhe nëntë muajve në paraburgim të ish-Presidentit Ilir Meta, SPAK ka vendosur mbylljen e hetimeve dhe pritet dërgimi në gjyq i dosjes Meta-Kryemadhi.
Të hënën e fundit të korrikut u vendos kalimi për gjykim i dosjes në të cilën u përfshinë tre hetime në një, afera CEZ-DIA, kontratat e lobimit të LSI në SHBA dhe hetimi pasuror.
SPAK nisi t’iu komunikojnë të pandehurve dhe avokatëve të tyre mbylljen e hetimeve, ndërsa zyrtarizohet si e pandehur mes të akuzuarve edhe nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi.
Ish-çiftit Meta-Kryemadhi iu komunikuan tre akuza: “korrupsion pasiv”, “pastrim parash”,” fshehje pasurie”.
Ndonëse pritej që nga IEVP “Jordan Misja”, ish-presidenti Meta të paraqitej në SPAK për t’u njohur me akuzat, ai bëri të ditur që nuk kishte marrë një njoftim zyrtar për ditën e sotme.
“Nuk kam patur as ftesë as shkresë zyrtare nga SPAK deri sot në ora 08:30, kur një gardian më komunikoi verbalisht se në orën 09:50 më kërkonin në SPAK pa asnjë lloj sqarimi” – shkrujti në rrjetin social Facebook, Ilir Meta.
Mbrojtësi ligjor i zgjedhur prej tij, Kujtim Cakrani bëri me dije se kominikimi i akuzave ish-Presidentit do t’i bëhet nga prokurorët ditën e hënë.
Ndërsa, Monika Kryemadhi u paraqit në mesitën e ditës së sotme në ambietet e SPAK, ku njoh zyrtarisht me akuzat penale.
“Firmosëm ato fletët që s’jemi dakord! Do të shkojmë në gjykatë të fillojmë procedurat. Mendoj që është një proces që duhet durim, s’kemi ç’të bëjmë” – deklaroi Kryemadhi.
Për sa i përket nënës së saj, deputetja Kryemadhi e cilësoi akuzën të pa drejtë, pasi sipas saj, e ëma përfshihet në këtë proces vetëm për shkak të lidhjes nënë e bijë.
“Mamaja ime akuzohet se më ka ndihmuar mua, pastruese e veprës penale pra. Akuzohem për fshehje pasurie. Vepër penale nuk ka. LSI ka deklaruar pagesat. Nëse kam kaluar vlerën 5 mln lekë të dhuratës, le të më çojnë në Gjykatë” shprehu ish-bashkëshortja e Metës përpara ambienteve të SPAK.
Fatime Kryemadhi është marrë disa herë në pyetje gjatë fazës së hetimeve, për shkak se SPAK thotë se ka ndihmuar ish-çiftin të pastrojë paratë.
Një ditë më parë u paraqit në SPAK edhe mikesha e Kryemadhit, Ema Çoku të cilës iu komunikua akuza e “pastrimit të parave”.
Në emër të saj rezulton kompania “B.S.K.”, me objekt realizimi i projekteve dhe import-eksport të artikujve të veshmbathjes si dhe tekstileve të ndryshme.
Po ditën e djeshme iu komunikua akuza e “korrupsionit pasiv” edhe ish-drejtuesit të AKEP-it, Pirro Xhixho i cili dyshohet se ka shfrytëzuar autoritetin e tij ku në zbatim të porosive të marra nga çifti Meta-Kryemadhi ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin në shkelje të ligjit.
Ilir Meta që prej 21 tetorit 2024 ndodhet në arrest me burg, ndërsa ndaj Kryemadhit Gjykata ka vendosur “detyrim paraqitje”, të dy të akuzuar për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Kryemadhi-Meta, tashmë ligjërisht të divorcuar, akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët.
Hetimi ndaj Metës dhe Kryemadhit ka si pikënisje aferën CEZ-DIA, një marrëveshje e vitit 2009 mes kompanisë çeke CEZ dhe asaj shqiptare DIA, për mbledhjen e borxheve të energjisë. SPAK dyshon se marrëveshja është përdorur për të përfituar në mënyrë të paligjshme rreth 6.5 milionë euro, nga të cilat Meta dyshohet se ka marrë pagesa të konsiderueshme.
Akuzat përfshijnë gjithashtu ndërhyrje në tregun e fibrave optike gjatë vitit 2014, ku çifti Meta-Kryemadhi dyshohet se ka favorizuar një kompani të huaj për të hyrë në tregun shqiptar, duke përfituar financiarisht përmes kartave krediti të padeklaruara. Ish-drejtuesi i AKEP, Pirro Xhixho, akuzohet për ndihmë në këtë proces në kundërshtim me ligjin.
SPAK gjithashtu ka hetuar kontratat e lobimit të lidhura nga Meta si kryetar i LSI-së me kompani amerikane gjatë viteve 2016–2017. Një shumë prej 463 mijë dollarësh dyshohet se nuk është deklaruar dhe nuk është pasqyruar në bilancet zyrtare të partisë në KQZ.
Ndërkaq, një tjetër pistë hetimi lidhet me blerjen e një apartamenti me vlerë 310 mijë euro në emër të nënës së Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, e paguar tërësisht në cash. SPAK dyshon se kredia e përdorur ishte një mbulesë për pastrimin e parave që vinin nga aktiviteti i paligjshëm i çiftit.
Akuzat për mosdeklarim pasurie përfshijnë edhe shpenzime mjekësore të padeklaruara gjatë viteve 2013–2019 në vlerën e 106 mijë euro, nga të cilat 86 mijë janë paguar në cash.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.