Metamorfoza, të pandehurit kërkojnë gjykim të shkurtuar

Teksa mbrojtja kërkon gjykim të shkurtuar dhe ndarje të çështjes, SPAK shprehet kundër, duke theksuar ndikimin negativ në ecurinë e procesit.

393
Metamorfoza
Credits: shteg.org - Metamorfoza

Gjykata e Posaçme ka nisur shqyrtimin gjyqësor për të akuzuarit në dosjen “Metamorfoza”, katër muaj pas përfundimit të fazës paraprake dhe kalimit të çështjes për gjykim themeli.

Në seancën e fundit ishte i pranishëm fizikisht vetëm i pandehuri Edmond Preka, ndërsa të tjerët u përfaqësuan nga avokatët, duke mos penguar vijimin e procesit.

Avokati Arben Nela, mbrojtës i ish-prokurorit Xhevahir Lita, kërkoi gjykim të shkurtuar për klientin e tij, kërkesë që u pasua nga mbrojtësit e të pandehurve të tjerë: ish-polici Ardit Hasanbegaj, Astmer Bilali, ish-zyrtari i policisë Oltion Bistri dhe Behar Bajri. Avokati i Bistrit kërkoi gjithashtu edhe ndarjen e çështjes.

Avokati Gurali Braimllari, përfaqësuesi i Pëllumb Gjokës, deklaroi se nuk kërkojnë më gjykim të shkurtuar, pavarësisht kërkesës së bërë më herët në seancën paraprake, duke e lidhur këtë me pritshmëritë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi provat Sky ECC. Sipas tij, ndarja e çështjes është e papërshtatshme pasi Gjoka akuzohet për vepra penale në bashkëpunim me të tjerët.

E njëjta tërheqje nga kërkesa për gjykim të shkurtuar u bë edhe nga avokatja e Edmond Prekës.

Nga ana tjetër, SPAK, i përfaqësuar nga prokurori Arben Kraja, kundërshtoi prerazi ndarjen e çështjes, duke theksuar se një veprim i tillë do të dëmtonte ecurinë e procesit dhe vlerësimin e provave, të cilat, sipas tij, janë të qarta dhe të harmonizuara me të dhëna të tjera, përfshirë ato të aplikacionit të koduar SkyECC.

Të pandehurit në këtë dosje përballen me akuza të rënda për përfshirje në një grup të strukturuar kriminal. Pëllumb Gjoka akuzohet për vrasjen me paramendim të Gjin Ndojit më 9 gusht 2020 në Shkodër, si dhe për përgatitjen e vrasjeve të tjera ndaj Kleant Musabelliut, Dorjan Dulit dhe Ibrahim Licit. Ai përballet gjithashtu me akuza për korrupsion aktiv dhe mbajtje të paligjshme të armëve.

Behar Bajri dhe Edmond Preka akuzohen si bashkëpunëtorë në vrasjen e Gjin Ndojit dhe në sigurimin e kushteve për vrasje të tjera. Astmer Bilali dhe Ardit Hasanbegaj përballen me akuza të ngjashme, për sigurimin e kushteve për vrasje në kuadër të një grupi kriminal. Ish-shefi i Operacionales Oltion Bistri akuzohet për korrupsion pasiv, zbulim të të dhënave sekrete dhe pastrim parash. Ndërsa ish-prokurori Xhevahir Lita akuzohet për korrupsion pasiv ndaj funksionarëve të drejtësisë.

Për personat ende në kërkim, mes tyre edhe Ervis Martinaj – i zhdukur që nga gushti i vitit 2022.

Sabina Nika
Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.