Miliona lekë për kompani të dënuara, por godina 19 s’u ndërtua kurrë

Ndërtesa e prekur nga tërmeti i vitit 2019 duhej të ishte ndërtuar brenda vitit 2023, por sot trualli është i mbuluar nga inerte. Banorët janë të braktisur dhe pa zgjidhje të qëndrueshme strehimi.

Godina që shemben
Credits: shteg.org - Godina që shemben

Në Qytet Studenti në truallin e godinës nr. 19  i cili sot është i mbuluar nga inertet dhe mbetjet, nuk ka asnjë shenjë të rindërtimit të objektit që duhet të kishte përfunduar në vitin 2023 pasi vendimi për rindërtimin e kësaj godine është dhënë që në vitin 2021.

Kjo ndërtesë që pritej të përfundohej në vitin 2023, ka qenë projektuar për t’u kthyer në konvikt për studentët me kapacitet prej 200-300 studentësh.

Në vend të një godine të re për studentët, në truallin ku dikur ndodhej godina nr. 19 në Qytetin Studenti, sot gjendet vetëm një hapësirë e shkatërruar, e mbushur me inerte dhe mbeturina. Një objekt që do duhej të ishte streha e qindra studentëve, është kthyer në simbol të abuzimeve me fondet e rindërtimit dhe me shpresat e qytetarëve që i besuan institucioneve publike.

Evakuim i menjëhershëm

Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, godinat 15, 18 dhe 19 në Qytetin Studenti u shpallën të pabanueshme. Vendimi për shembjen e tyre u mor më 5 dhjetor 2019 nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, me kërkesë të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Instituti i Ndërtimit, me anë të një akti konstatimi e ka nxjerrë këtë godinë të pa banueshme pasi ka konstatuar dëme në strukturë dhe ka rekomanduar evakuimin e banorëve nga objekti.

Sipas një banori (banori donte të mbetej anonim) të godinës nr.19, godina nuk ka patur dëmtime në strukturë por vetëm disa dëmtime të suvasë.

Shumë prej banorëve të godinës nr. 19 pretendojnë se objekti nuk kishte dëmtime serioze. “Na premtuan që do të ndërtohej më e mira për studentët. Por gjithçka u zhduk bashkë me godinën,” – thotë një ish-banore, që sot jeton me qira në periferi të Tiranës.

Rreth 27 familje të kësaj godine u vendosën përkohësisht në banesa me qira, duke përfituar bonusin e qirasë nga Bashkia e Tiranës. Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, kishte premtuar që të gjithë banorët e prekur nga tërmeti do të strehoheshin përfundimisht në një kompleks të ri në zonën e Shkozës. Megjithatë, disa familje si ajo e banorit anonim kanë përfituar bonus vetëm për një vit, pas së cilës ndihma është ndërprerë pa shpjegim.

Miliona për miqtë

Mungesa e transparencës dhe përjashtimi nga programi i rindërtimit ka detyruar disa banorë të ndjekin rrugën gjyqësore. Ata kanë paditur Bashkinë Tiranë, duke u mbështetur në ligjin nr. 49/2012 “Për mbrojtjen civile”. Neni 41 i këtij ligji përcakton qartë se bashkia është përgjegjëse për kompensimin e personave të dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore.

Por kontestimet dhe paditë nuk penguan bashkinë të nisë procedurat e tendrave.

Procesi i shembjes së godinës 19 u krye përmes një procedure me negocim pa shpallje paraprake, me vlerë mbi 25 milionë lekë, dhe iu besua kompanisë “ARB & TRANS 2010” shpk. Kjo kompani ka qenë më parë në pronësi të Arben Malokut, ish-administrator i njësisë Zall-Herr dhe person i dënuar për ndërtime pa leje dhe përfitime të dyshimta nga tenderë publikë, ndërkohë që aktualisht pronësia i është transferuar babait të tij.

Në datat, 4 mars 2020 dhe 20 shtator 2020, sipas të dhënave të Spending Data, kjo kompani përfitoi shumat përkatëse për shembjen. Por ajo që është më shqetësuese, është se ndërtimi nuk ka nisur kurrë dhe, gjithsesi, në 8 shtator 2023 janë kryer pagesa për punë të pakryer në vlerën e 4.3 milionë lekëve të vjetra në favor të kontraktorit.

Për rindërtimin e godinës nr. 19, fituese u shpall kompania “R&T” shpk, me një kontratë të lidhur në nëntor 2021 në vlerën 304 milionë lekë pa TVSH dhe një afat realizimi prej 13 muajsh. Kontrata u firmos pas skualifikimit të dy operatorëve të tjerë për mungesë dokumentacioni.

Mbikëqyrja e projektit i është besuar Institutit “Dekliada-Alb” shpk, një kompani e drejtuar nga Mehmet Hasalami, ish-zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës, i përfshirë gjithashtu në projekte koncesionare për ndërtimin e hidrocentraleve.

Sot, tre vite pas afatit të parashikuar për përfundimin e godinës, trualli ku ajo ndodhej vazhdon të qëndrojë bosh dhe i mbuluar nga pluhuri i harresës. Banorët ndihen të braktisur, ndërsa institucionet nuk japin shpjegime për vonesat dhe mospërmbushjen e kontratave të nënshkruara.

Veliaj nën akuzë

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke dalë nga ambientet e SPAK
Credits: LSA – Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj duke dalë nga ambientet e SPAK

Më 5 mars 2025, aktivistët Aurel Kujtimi dhe Andrea Bregu kanë dorëzuar një kallëzim penal në SPAK ndaj kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, dhe ish-drejtoreshës së RSU nr. 1, Anila Shehu. Në dokumentin zyrtar të depozituar në Prokurorinë e Posaçme, ata akuzojnë për shpërdorim detyre dhe abuzim me fondet publike, lidhur me ndërtimin e godinës nr. 19 në Qytetin Studenti – një objekt që, sipas tyre, “nuk ekziston as fizikisht, as ligjërisht”.

“Kjo është një aferë me dy dëme të rënda: i pari është dëmi financiar, ku janë shpenzuar miliona lekë pa u hedhur as themelet, dhe i dyti është dëmi simbolik dhe real ndaj hapësirës publike që iu premtua studentëve,” – deklaroi Aurel Kujtimi për mediat pas dorëzimit të kallëzimit.

“Godina nuk është ndërtuar. Kemi prova fotografike dhe video që e faktojnë këtë. Aty sot ka vetëm gropa dhe mbeturina ndërtimi. Dhe sërish, në datën 8 shtator 2023, janë ekzekutuar 4.3 milionë lekë për punime që nuk ekzistojnë askund,” – shtoi Andrea Bregu, duke theksuar se SPAK duhet të veprojë për të mos lejuar “boshllëkun të zëvendësojë drejtësinë”.

Një tjetër element i denoncuar nga aktivistët është edhe kontrata e mbikëqyrjes së punimeve, lidhur nga Bashkia Tiranë me Institutin “Dekliada-Alb” shpk, në pronësi të Mehmet Hasalamit – funksionar në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Si ka mundësi që një mbikëqyrës ka firmosur për një objekt që nuk është ndërtuar kurrë? Sipas ligjit, ai është përgjegjës për verifikimin e çdo situacioni ndërtimi. Në këtë rast, cili është situacioni që ai ka miratuar? Ajrin apo zhavorrin?” – nënvizoi Bregu.

Sipas aktivistëve, ky është vetëm një prej shumë rasteve ku fondet e rindërtimit janë përdorur për përfitime të dyshimta dhe ku transparenca ka munguar që në ditën e parë. Ata kërkojnë nga SPAK që të përshpejtojë hetimet dhe të marrë masa ligjore ndaj zyrtarëve të përfshirë.

“Sot është godina 19, nesër mund të jetë një shkollë, një rrugë, një spital. Nëse nuk ndëshkohet kjo aferë, çdo investim publik mbetet i pasigurt dhe i pambrojtur nga korrupsioni,” – përfundoi Kujtimi.

Nga ana e saj, Partia Demokratike ka mbështetur thirrjen e aktivistëve, duke e cilësuar këtë rast si “një model të qartë të shfrytëzimit të fatkeqësive për qëllime klienteliste”. PD i ka bërë apel SPAK-ut të çojë përpara me vendosmëri hetimet dhe të vendosë drejtësinë në vend, në emër të qytetarëve dhe interesit publik.

+ posts

Diplomuar në profilin "Shkenca Komunikimi", pranë Kolegjit Universitar "Beder".
Aktualisht studente në profilin "Mardhënie me Publikun", pranë Kolegjit Universitar "Beder".
Gjatë viteve të studimit, Xhensika është përfshirë në trajnime që kanë patur fokus gazetarinë cilësore.

Praktikante-gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri” - RRKOKSH.
Studente në fakultetin Ekonomik, dega Administrim biznesi në Universiteti i Tiranës.