“Mishi që vret”

Skandalet me mishin e kontaminuar, paaftësia institucionale dhe rënia e blegtorisë po minojnë sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik në Shqipëri.

273
Mishi që Vret
Credits: shteg.org

Në një kohë kur Shqipëria aspiron të hapë kapitujt 11 dhe 12 të negociatave me Bashkimin Europian, që lidhen me sigurinë ushqimore dhe shërbimin veterinar, realiteti në terren paraqet një situatë alarmante. Skandalet me ushqime të kontaminuara, mosfunksionimi i institucioneve përgjegjëse dhe rënia e sektorit të blegtorisë janë kthyer në pjesë të përditshme të jetës së konsumatorit shqiptar, i cili përballet gjithnjë e më shpesh me rreziqe serioze për shëndetin.

Rasti më i fundit në Shkodër, ku Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) bllokoi 124 kg mish të pasigurt dhe vendosi gjoba në vlerë totale prej 600,000 lekësh ndaj katër subjekteve, përfshirë edhe mbylljen e dy bizneseve të paregjistruara, është tregues i një tregu që operon në kundërshtim të plotë me ligjin dhe pa ndjeshmëri ndaj konsumatorit.

Një tjetër skandal ndodhi në Gramsh, ku rreth 70 fëmijë të një kopshti u helmuan nga bakteri Salmonella, pas konsumit të ushqimit të ofruar nga kompania “Nelsa shpk”, një subjekt me histori problematike lidhur me tenderë publikë dhe shkelje higjieno-sanitare. Pavarësisht incidenteve të mëparshme dhe mungesës së kushteve bazë si frigoriferë funksionalë, kjo kompani vazhdon të furnizojë institucione të ndjeshme si kopshte, çerdhe dhe spitale, ndërkohë që kontrata me Bashkinë e Gramshit për ushqimin e fëmijëve kap vlerën e 100 milionë lekëve.

Ekspertët e sigurisë ushqimore paralajmërojnë se mungesa e gjurmueshmërisë, kapacitetet laboratorike të pamjaftueshme dhe mosndëshkimi institucional po e thellojnë krizën. Institucione si AKU shpesh reagojnë vetëm pas denoncimeve publike, duke hapur rrugën për manipulime, abuzime me cilësinë dhe shkelje ligjore që rrezikojnë drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve – veçanërisht të fëmijëve dhe grupeve më të ndjeshme të popullsisë.

Importi  me rrezik, një praktikë e pandalshme

Në datat 21 dhe 22 qershor 2025, AKU në Shkodër bllokoi 124 kg mish që po tregtohej pa certifikatë veterinare dhe pa vulë kontrolli. Mishi, i destinuar për konsum njerëzor, nuk përmbushte asnjë standard ligjor. Katër subjekte u gjobitën me një total prej 600,000 lekësh, ndërsa dy prej tyre rezultuan të paregjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).

“Subjektet nuk kishin as dokumentacion as kushte higjienike minimale. Mishi ishte pa gjurmueshmëri dhe i therur jashtë çdo standardi,” deklaron njoftimi zyrtar i AKU-së.

Ky kontroll u zhvillua si pjesë e monitorimit të sëmundjes PPR te ruminantët e vegjël, por nxori në pah një treg mishi ku shkeljet janë rregull, jo përjashtim.

Më 20 maj 2025, 70 fëmijë të kopshtit nr. 1 në Gramsh u paraqitën në urgjencë me simptoma helmimi. Pavarësisht denoncimeve të prindërve, duhej të kalonin pesë ditë që rasti të bëhej publik. Hetimet konfirmuan praninë e bakterit Salmonella në ushqimin e shpërndarë nga kompania “Nelsa shpk”.

Sipas raportit të brendshëm të AKU-së, kuzhina e kopshtit nuk kishte frigorifer funksional për ruajtjen e mishit dhe bulmetit – një fakt shqetësues që ishte konstatuar edhe më parë.

Pavarësisht historikut problematik, “Nelsa shpk” vazhdon të fitojë tenderë publikë. Tenderi për ushqimin e kopshtit në Gramsh, me vlerë 100 milionë lekë, është vlerësuar nga OpenProcurement Albania si me “flamur të kuq”, për shkak të dyshimeve për abuzim me fondet publike. Pronësia e saj lidhet me Elsa Kamberin (Balla), vajza e një ish-zyrtari të arrestuar për korrupsion në vitin 2016.

Edhe pse Ministria e Bujqësisë mohon zyrtarisht praninë e mishit me ractopaminë në treg – një substancë e ndaluar në BE – analiza të kryera nga ISUV tregojnë se mishi i importuar jo rrallë është i kontaminuar. Shqipëria importon çdo vit dhjetëra mijëra tonë mish, përfshirë edhe nga Brazili, një vend i ndaluar në disa shtete fqinje si Kosova dhe Maqedonia e Veriut për përmbajtje të ractopaminës.

Në mars 2025, kompania AMG Food importoi 27 ton fileto pule të infektuar me Salmonella. Rezultatet e analizave u vonuan 10 ditë dhe produkti u shpërnda në 154 pika. Rasti, tani në hetim nga Prokuroria e Tiranës, ngre pikëpyetje serioze mbi kapacitetet dhe përgjegjësinë e institucioneve si AKU dhe ISUV.

Dështimet institucionale 

AKU gjatë kontrolleve
Credits: shteg.org – AKU gjatë kontrolleve

Institucionet përgjegjëse për sigurinë ushqimore funksionojnë me kapacitete të kufizuara. Nga mungesa e analizave të plota dhe vonesat në nxjerrjen e rezultateve, deri tek marrja e mostrave në kushte jo të përshtatshme, sistemi është thellësisht problematik. Avokati i kompanisë AMG, Gentian Rumano, deklaroi se mostrat janë marrë në temperatura të papërshtatshme, duke bërë që analizat të mos jenë të vlefshme sipas standardeve ndërkombëtare.

Gjurmueshmëria e produkteve është gati e pamundur për shkak të përdorimit të faturave fiktive. Edhe pse për vitin 2025 janë premtuar 2.6 miliardë lekë për sigurinë ushqimore, analizat laboratorike dhe marrja e mostrave mbeten nën standarde.

Për të përmirësuar situatën, qeveria vendosi të bashkojë AKU-në, Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe sektorin e Akuakulturës në një strukturë të vetme inspektimi. Megjithatë, vendimi nuk është zbatuar ende. Inspektimet në terren mbeten joefektive.

Sipas AKU-së, në vitin 2024 janë realizuar 30 mijë inspektime, por rastet e abuzimeve nuk janë ulur. Sistemi RASFF i BE-së regjistroi 70 raste alarmi për Shqipërinë në pesë vitet e fundit, përfshirë produkte me pesticide që janë kthyer mbrapsht nga shtete si Kroacia.

Vetëm ISUV dhe AKU kanë kapacitet për të kryer analiza mbi mostrat ushqimore, ndërsa ISUV ka mbi 1900 teste të akredituara nga BE. Në vitin 2024, më shumë se 1000 mostra u dërguan për analizë – 9% e tyre dolën të pakonsumueshme dhe me pesticide të rrezikshme për shëndetin.

Ekspertët, si Ndoc Faslia, theksojnë se dështimi institucional lidhet edhe me ndërhyrjet politike dhe mungesën e investimeve për laboratorë të specializuar, të cilët janë thelbësorë për një sistem efikas kontrolli ushqimor.

Kriza e blegtorisë 

Kriza e sigurisë ushqimore nuk lidhet vetëm me importet problematike, por edhe me rënien e blegtorisë vendase. Në pesë vitet e fundit, numri i deleve dhe dhive është reduktuar me 40%, ndërsa ai i lopëve me 35%. Kostoja e lartë e prodhimit dhe mungesa e subvencioneve kanë detyruar shumë fermerë të heqin dorë nga kjo veprimtari.

Eksperti Ndoc Faslia thotë se prodhimi vendas nuk është konkurrues dhe vetëm 15% e fermerëve përfitojnë nga skemat vjetore të subvencioneve. “Kostoja e prodhimit është 40% më e lartë se në vendet e tjera, çka e bën të pamundur konkurrimin,” thotë ai.

Shqipëria financon tre herë më pak për hektar apo për krerë blegtoral krahasuar me vendet e rajonit. Gjysma e aplikimeve për mbështetje refuzohen, duke lënë jashtë sistemit mijëra fermerë.

Qeveria ka premtuar ndryshime për vitin 2025, përfshirë një buxhet prej 400 milionë lekësh për subvencione. Skema përfshin mbështetje prej 5000 lekësh për çdo viç, me synim nxitjen e kooperativave blegtorale.

Por të dhënat tregojnë se vetëm një numër i vogël fermash do përfitojnë. Vetëm 11% e fermave kanë mbi 50 krerë bagëti, ndërsa 36% kanë 1-5 krerë. Kjo do të thotë se shumica janë ferma të vogla, të paafta për të përmbushur kërkesat e tregut.

“Unë kam rreth 10 lopë dhe disa viça. Kam aplikuar për subvencione këtë vit, por jam ende në pritje,” tregon Maliqi, një banor i fshatit Lapardha në Berat. Ai thotë se të vetmet të ardhura që pret janë 5000 lekët për krerë, të pamjaftueshme për të mbajtur në këmbë aktivitetin e tij. “Nëse nuk i marr këtë vit, do i shes edhe ato që kam dhe nuk merrem më me blegtori,” përfundon ai.

Keisi Topi
+ posts

Praktikante-gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.