Mori 2000 euro për legalizimin e një shtëpie, dënohet punonjësi i Kadastrës Fier

Gjykata e Posaçme dënoi ish-punonjësin e Kadastrës së Fierit, pasi mori rryshfet për legalizimin e një prone. Ndërkohë, një nga të pandehurit shmangu dënimin falë bashkëpunimit me drejtësinë.

43
Rryshfet në Kadastrën e Fierit
Credits: shteg.org - Rryshfet në Kadastrën e Fierit

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim ditën e mërkurë pranë Gjykatës së Posaçme çështjen penale të Endri Ngresit, ish-punonjësit të Kadastrës Fier dhe të dy pandehurve të tjerë, Ardjan Kumanakut dhe Afërdita Vidhit.

SPAK njoftoi në 30 janar të këtij viti se punonjësi i AShK-së Fier në atë kohë, Endri Ngresi mori një shumë monetare në vlerën e 2000 eurove, nga Ardjan Kumanaku dhe Afërdita Vidhi. Qëllimi i këtij rryshfeti ishte pajisja me dokumente legalizimi të shtëpisë së Vidhit në Fier. 

Referuar njoftimit të SPAK, Gjykata e Posaçme vendosi të deklaronte fajtor Endri Ngresin për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, duke e dënuar me tre vite burgim. Ish-punonjësit të Kadastrës iu vendos masa e sigurimit “arrest në shtëpi”.

Shtuar dënimit, Ngresit iu hoq po ashtu, edhe e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë kohore prej pesë vitesh.

Ndërkohë, i pandehuri Ardjan Kumanaku u dënua me një vit burgim, për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim.

Për të njëjtën vepër penale u deklarua fajtore edhe Afërdita Vidhi, por gjykata e përjashtoi nga dënimi, sipas parashikimit të nenit 52/a të Kodit Penal.

Neni 52/a i Kodit Penal flet se si nëse një individ mund të ketë premtuar apo ka dhënë shpërblim ose përfitime të tjera, mund të përfitojë përjashtim nga vuajtja e dënimit ose ulje të tij. Përsa kohë, nëse bën një kallëzim dhe ndihmon në procedimin penale të këtyre veprave penale.

Desada Sadiku
+ posts

Gazetare me përvojë në raportimin e kronikës së zezë dhe çështjeve politike në Shqipëri.
Gjithashtu, ajo ka qenë pjesë e “Investigative Journalism Lab” pranë “Albanian Center for Quality Journalism” (ACQJ).
Në SHBA ka marrë leksione të gazetarisë investigative në Kolegjin e Bostonit.

Desada ka përfunduar studimet në “Media Leadership and Management” dhe “Political Journalism” dhe ka qenë e angazhuar në projekte dhe internship-e që fokusohen në gazetarinë cilësore dhe hetimore.