Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara të Elvin Merlikës. Ky i fundit dyshohet për veprën penale të: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Indrit Dokle, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Pasuritë e sekuestruara të Merlikës dhe personave të lidhur me të, për të cilat SPAK kërkon konfiskimin, janë 2 shoqëritë “Zeus Garden” sh.p.k., “London Eye” sh.p.k.” në pronësi 100% të Elvin Merlikës dhe 49% të kuotave të shoqërisë “M.S.G Security” sh.p.k.
19 pasuri të paluajtshme prej të cilave: 8 apartamente në Tiranë me sipërfaqe totale 592.38 m2; 3 ngastra tokë-arë në Fushë-Kuqe Kurbin, me sipërfaqe totale 10 mijë e 342 m2; truall dhe masiv pyjor në Priskë të Tiranës, secila pasuri me sipërfaqe 6026 m2; 2 garazhe dhe 1 bodrum në Tiranë; si dhe 9 automjete të markave të ndryshme.
Në përfundim të hetimit pasuror rezulton se pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe për pasojë prezumohet se janë rezultat i veprimtarisë kriminale të personave të hetuar dhe të personave të lidhur me ta.
Indrit Dokle ka qenë i dënuar me burg përjetë për një sërë vrasjesh e krimesh të rënda dhe fitoi lirinë në vitin 2020 falë një vendimi të Gjykatës së Krujës të bazuar në raportet pozitive të Shërbimit të Provës e të drejtuesve të burgut, si dhe nga neglizhenca e prokurorisë.
Elvin Merlika është i shpallur në kërkim, i dyshuar si i përfshirë në veprimet kriminale të zbërthyera gjatë operacionit “Plumbi i Artë”.
Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) po kryen hetime të mëtejshme ndaj shtetasit Elvin Merlika, i dyshuar për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Indrit Dokle, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Emri i tij është pjesë e deklarimeve të dhëna nga “i penduari i drejtësisë”, Nuredin Dumani, falë rrëfimeve të të cilit u ndërmor operacioni “Plumbi i Artë”. Në janar të vitit 2023, Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e prokurorëve Altin Dumani, Doloreza Musabelliu dhe Behar Dibra, për vendosjen nën sekuestro të pasurive të Elvin Merlika dhe familjarëve të tij të afërt, nën dyshimet se janë krijuar nga aktiviteti kriminal.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.