Në Shkodër “është haram të shesësh votën”

Beteja për 11 deputetë në qarkun e Shkodrës zhvillohet mes ndihmave të PSD-së, kontrollit institucional të PS-së dhe krizës së PD-së, ndërsa SPAK heton blerjen e votave, duke ekspozuar përplasjen mes bamirësisë dhe ligjit.

Është haram të shesësh votën
Credits: shteg.org

Kur hyn në Shkodër këtë pranverë, ndjesia e parë nuk është ajo e një qyteti në prag zgjedhjesh. Fushata nuk brohoret, nuk shpërthen me mitingje, nuk të shurdhojnë altoparlantët. Ajo është e përmbajtur, thuajse nën zë, por që “ulërit” derë më derë.

Billboard-ët, megjithatë, janë aty. Në hyrje të qytetit, flamuj dhe postera të vendosur mbi gardhe llamarine, godina apo dhe institucione janë dëshmitarë të betejës për qytetin.

“Pagat si në Gjermani, çmimet si në Tiranë”, “Jena me ty”, apo “Është haram të shesësh votën”.

Teksa Partia Demokratike vijon të përballet me krizën e saj të brendshme dhe me një bazë gjithnjë e më të demoralizuar, kandidatët e Partisë Socialiste, të mbështetur pa zhurmë nga Benet Beci, i cili po konsolidon çdo ditë e më shumë kontrollin institucional të bashkisë, kanë më shumë shanse për fitore.

Duket se beteja e dy forcave politike është me Partinë Socialdemokrate e cila ka ndërtuar një rrjet ndikimi të heshtur, por efektiv, që funksionon përtej retorikës publike. Në vend të mitingjeve, ka shpërndarje ndihmash; në vend të premtimeve politike, ka ndërhyrje konkrete në problemet personale të qytetarëve.

Në vigjilje të zgjedhjeve

Ora shënon 8 e mëngjesit e datës 9 prill dhe në autostradën që dërgon udhëtarët drejt kryeqendrës së Veriut, Shkodër duket se mirëseardhjen e urojnë vetëm posterat politike që diktojnë votuesit kë të votojnë.

Në hyrje të qytetit, shumë pranë godinës së Fakultetit të Infermierisë, shkruhet me të mëdha.

“12 vjet çmimet si në Gjermani, pagat si në Afrikë” ndërsa pak metra më larg posterit të PD-së ndodhet posteri i një kandidati për deputet, i cili në dialektin gegë u bën thirrje qytetarëve të zgjedhin përfaqësuesin e duhur për të ngritur zërin e tyre.

Ndërsa në xhaminë “Ebu Bekr” me fjalë të mëdha shkruhet: “Është harám të shesësh votën”. Është vendosur në mënyrë të kujdesshme, për të tërhequr vëmendjen e kalimtarëve, ku sa syresh ndalin, disa qeshin, disa ngrenë vetullat, e të tjerë ecin tutje sikur asgjë nuk është aty.

E gjithë hyrja e qytetit duket si një ekspozitë me ngjyra, slogane dhe figura që garojnë për pak vëmendje.

Në qytet atmosfera duket e qetë, me qytetarët që shijojnë kafen e mëngjesit ose kalojnë kohën në parqe, ndërsa bisedat politike janë të pranishme në diskutimet e përditshme.

Një ish-mësues në pension, i cili nuk ka besim në asnjë parti politike, shpreh pakënaqësinë e tij për politikanët, duke thënë se të gjithë gënjejnë. 

“Unë nuk votoj, nuk i besoj asnjërit. Ja sot lexova që nuk ja kanë hequr non-gratën Berishës. Rrejnë këta, rrej dhe unë” – thotë mësuesi pensionit.

Megjithatë, mendimet janë të ndara mes qytetarëve.

Nga ana tjetër, Roberti, një i ri nga Vau i Dejës, thotë me entuziazëm se mbështet Kryetarin e Partisë Social-Demokrate, Tom Doshin.

Ai shprehet i bindur se imazhi i Doshit është deformuar nga media dhe se ky i fundit është një bamirës i madh për komunitetin por edhe për të.

Roberti tregon se Kryetari i PSD-së ka dërguar për kurim në Itali një fëmijë të të njohurit të tij të diagnostikuar me leucemi aktute.

“E ka çuar me lekët e veta dhe s’ka kërkuar asgjë”, – tregon i riu pa harruar të shtojë edhe ndikimin e tij në Vaut të Dejës’.

“Ai ka marrë shumë të rinj nga zona dhe i ka punësuar në bizneset e veta në Tiranë” – vazhdon ai duke theksuar se, pavarësisht të mirave, bamirësi më i madh nuk i ka kërkuar askujt votën.

Zërat për ndihma të tilla qarkullojnë gjithandej në qytet. Nuk është e vështirë të gjesh njerëz që flasin për “dreka falas”, “ndihmë për ilaçe”, “karburant për të sëmurët” apo “punë për djalin”.

Emri i Tom Doshit përmendet në mënyrë të natyrshme, sikur të ishte një figurë që nuk i përket vetëm politikës, por një institucion më vete. Shumë prej tyre nuk e identifikojnë më me Partinë Socialdemokrate, por me një format të veçantë mbështetjeje.

Shkodra është zona në të cilën Doshi numëron prej vitesh një numër të madh mbështetësish.

Gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017 partia e tij u shfaq si e treta më e fortë në Shkodër, ndonëse Doshi ende nuk ishte njohur me vendimin e Drejtësisë pasi akuzohej për veprat penale: “Kallëzim i rremë”, “Deklarata e rreme përpara Prokurorit” dhe “Kanosja për deklarime a dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”.

PSD luajti një rol të rëndësishëm me ndikimin e tij te elektorati për marrjen e fitores së Bashkisë Shkodër nga socialistët, të cilët kishin si kandidat Benet Becin.

Sipas drejtuesit ekzekutiv të Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi nëse Shqipëria do të kishte ligje për rregullimin e partive, PSD-ja nuk do të ekzistonte më.

“Nëse hapni faqen e internetit të PSD-së nuk ka të dhëna mbi kryesinë dhe strukturat vendimmarrëse, apo ndonjë njoftim për mbledhje ku diskutohet dhe merren vendime. Doshi është kryetar i PSD-së, është biznesmen, është pronar i partisë dhe ka një listë të personalizuar të siguruar përmes njohjeve të tij”, – thotë Krasniqi, ndërkohë që në prag të zgjedhjeve, ndryshe nga një muaj më parë ku në faqen zyrtare të PSD-së lexuesit njiheshin me disa prej kandidateve dhe takimet e Doshit, aktualisht është fshirë gjithçka përveç premtimeve të PSD-së në rast se fiton zgjedhjet.

Programi i saj pasqyrohet me nga një paragraf të shkurtër për çdo sektor ekonomik, pa qartësuar se si do të zbatohen.

Selia e PSD-së në Shkodër ndodhet në një rrugicë pak të njohur. Një ndërtesë e thjeshtë, me një tabelë të zbehur plastike, ku shkruhet emri i partisë. Porta është e mbyllur, por pas një trokitjeje, hapet nga një punonjëse. “S’ka asnjë këtu. Të gjithë janë në Tiranë,” thotë ajo, pa shumë fjalë.

Pak më tej, pranë qendrës së qytetit, selia e Partisë Socialiste është më e organizuar, por gjithsesi e qetë. Një zyrtar lokal pranon se pjesa më e madhe e drejtuesve janë gjithashtu në Tiranë.

Në zyrën e Partisë Demokratike, një djalë i ri është i vetmi person në godinë. Ai shpjegon se aktiviteti zhvillohet në terren, “s’jemi shumë aktivë këtu”.

Zgjedhjet, siç duket, nuk ndodhin më në zyra apo forume politike, por në kafene, në rrugë dhe në rrjete klienteliste.

Mes imazhit të bamirësisë dhe dyshimeve për blerje votash

Fushata e Partisë Social-Demokrate
Credits: shteg.org – Fushata e Partisë Social-Demokrate

Në Shkodër, një nga qarqet më të mëdha dhe më të rëndësishme në veri të vendit për zgjedhjet e 11 majit 2025, politika nuk është vetëm garë. Është pjesë e jetës së përditshme, shpeshherë e padukshme, e ndërthurur me ndihmë ekonomike, me kujdes shëndetësor, me kafe të paguara dhe me ndere të mbajtura mend. 

Në mungesë të zyrave të hapura dhe mitingjeve madhështore, fushata ndodh në heshtje, në krahun e një dere, në një telefonatë, në një drekë, në një borxh që s’kërkohet mbrapsht, por që mbahet mend kur të vijë dita e votimit.

Prej vitesh, Tom Doshi është identifikuar në Shkodër dhe veçanërisht në Malësinë e Madhe me veprimtari bamirëse. Ndihma ekonomike për familje në nevojë, mbështetje për të sëmurët dhe aksione sociale që kanë forcuar perceptimin e tij si “ndihmues i popullit”. Ky imazh i ka shërbyer Doshit për të ndërtuar një bazë elektorale të qëndrueshme.

Megjithatë, së fundmi, ky imazh është vënë nën trysni serioze nga një sërë hetimesh të nisura nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), që sugjerojnë një tjetër realitet pas fasadës së bamirësisë.

Ardian Hysa, kryetar i PSD-së për Malësinë e Madhe, dyshohet se është pjesë e një skeme për blerje votash dhe mbledhje kartash identiteti, me qëllim për të ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit 2025.

Përgjimet e siguruara nga SPAK dokumentojnë biseda ku Hysa ofron ndihmë ekonomike në këmbim të votës, si dhe komunikime ku flitet për mbledhje kartash ID, një taktikë e dyshuar për të penguar qytetarët të votojnë.

Gjykata e Posaçme ka autorizuar kontrolle ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të dyshuar, duke sekuestruar pajisje dhe dokumente që mund të shërbejnë si prova në hetim.

Sipas SPAK, Ardian Hysa dyshohet se ka qenë aktiv në fushatë duke ofruar para për vota. Dyshohet se shumat janë marrë nga përfaqësues të tjerë të PSD-së që veprojnë në qarkun e Shkodrës.

Në përgjimet zyrtare të SPAK dokumentohet një bisedë mes Hysës dhe qytetarit Florenc Tonin Kalaj, i cili i kërkon ndihmë në këmbim të votës së tij dhe të familjarëve të tij.

“Për zotin tash se di unë, janë pak vota e burr si i thonë, i kam të atyne që janë njerëz të mi, a kupton? Po unë për Zotin e kam i fije të vështirë me shku vetë prej problemit që kam, a kupton?… Po se di në qoftëse bëhet naj gjë, si i thonë asaj fjalës me mujt me marrë atë letrën…” – thuhet në dosje.

Nga përmbajta e këtyre komunikimeve sipas Prokurorisë së Posaçme – “krijohet arsyeshëm bindja se shtetasi Ardian Hysa në bashkëpunim me shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, janë të përfshirë në veprimtari të kundra-ligjshme në fushën e zgjedhjeve dhe konkretisht, përveç dhënies apo premtimit të përfitimeve të kundra-ligjshme, në këmbim të votës, ata gjithashtu janë angazhuar duke marrë karta identiteti të qytetarëve të ndryshëm, me qëllim që keta të fundit të mos marrin pjesë në votimet e 11 Majit 2025”.

Sipas dosjes, këto prova kanë bindur prokurorinë se Ardian Hysa, në bashkëpunim me të tjerë, jo vetëm premtonte përfitime në këmbim të votës, por po angazhohej edhe në një skemë për të mbledhur karta identiteti që qytetarët të mos mund të votonin më 11 maj 2025. Bazuar mbi këtë, Gjykata e Posaçme urdhëroi kontroll personal për Ardian Hysën, kontroll të banesës, biznesit dhe automjetit të tij (një servis dhe një Mercedes E300, 1991) dhe kontroll personal dhe kontroll banese për Florenc Tonin Kalajn, me qëllim sekuestrimin e celularëve, dokumenteve, kartave ID dhe çdo materiali që mund të shërbejë si provë në hetim.

Në vendim thuhet se “Krijohet bindja se Ardian Hysa premton përfitime të parregullta ndaj shtetasve të ndryshëm, duke kërkuar në këmbim votimin për një subjekt të caktuar politik.”

PSD, nga ana tjetër, ka mohuar përfshirjen në çdo veprim të paligjshëm, duke insistuar se nuk është gjetur asnjë material inkriminues gjatë kontrolleve dhe duke e cilësuar hetimin si një sulm politik.

Ajo thekson se nuk ka asnjë provë konkrete që lidhet me strukturën e partisë si organizatë.

Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar se në rang kombëtar janë regjistruar deri më tani 54 kallëzime për krime zgjedhore, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme i përket zonave të ndjeshme politikisht si Tirana, Elbasani dhe Shkodra.

Ndërsa votimi afrohet, Shkodra mbetet një fushëbetejë kyçe, ku gara për mandate është ashpërsuar, nën hijen e hetimeve penale dhe tensioneve të shtuara politike.

KZAZ nr. 02, që mbulon 106 qendra votimi me rreth 71 mijë zgjedhës, beteja zhvillohet për 11 mandate deputetësh.

Në zgjedhjet e kaluara Partia Socialiste mori 3 mandate, ndërsa Partia Demokratike mori 5 mandate dhe LSI mori 1 mandat, të Agron Çelës që kaloi më vonë me Partinë Socialiste.

Këtë vit gara është edhe më e ashpër. Si Partia Socialiste ashtu edhe Partia Socialdemokrate  kërkojnë të përfitojnë nga çarja e Partisë Demokratike, për të fituar një mandat më shumë sesa në zgjedhjet e 2021.

+ posts

Dallandyshe Xhaferri është gazetare në "Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri" - RRKOKSH. Ajo ka studiuar Gazetari në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” dhe ka marrë pjesë në shkëmbime studentore në Poloni dhe SHBA. Në Poloni, ka ndjekur një semestër në "Journalism and Management" në Universitetin "Papa Gjon Pali II", ndërsa në SHBA ka marrë leksione mbi gazetarinë në Kolegjin e Bostonit. Gjatë katër viteve të fundit, ajo ka punuar si gazetare në organizata të ndryshme me fokus gazetarinë cilësore dhe ka qenë e angazhuar në projekte të IFES, East West Management Institute dhe Rana Labs.

Gazetare |  + posts

Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.