Drejtuesi i Prokurorisë së rrethit Sarandë, Kledian Llaho është pezulluar nga detyra pas hetimeve të nisrura ndaj tij me dyshimin së është i përfshirë në afera korruptive.
Sipas SPAK, më datë 6 janar, emri i Llahos është regjistruar si person nën hetim, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë në drejtësisë”.
Ndaj drejtuesit lokal të prokurorisë, Gjykata e Posaçme vendosi masën e sigurimit “pezullim i ushtrimit të një detyrë ose shërbimi publik, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve”.
Në njoftim sqarohet se Llaho dyshohet se ka kërkuar përfitime të parregullta materiale, me qëllim përfitues të drejtpërdrejtë vjehrri i tij.
“Ka dyshime për veprime të kundraligjshme edhe në raport me persona të tjerë”, thekson SPAK dhe shton se Llaho në cilësinë e prokurorit dyshohet se ka abuzuar me funksionin e tij në çështjen penale nr.774 të vitit 2021 dhe të çështjes me nr.720 të vitit 2024” – thuhet në njoftim.
Ndërkohë, në Këshillin e Lartë të Prokurorisë është duke u shqyrtuar një kërkesë e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për masë disiplinore ndaj prokurorit Llaho, lidhur me zvarritjet e hetimeve në një çështje dhe se me dashje nuk ka zbatuar një vendim gjykatë.
Më 10 janar 2025, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë, ILD paraqiti rezultatet e hetimit disiplinor ndaj prokurorit Llaho, në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e e tij duke pasuar zvarritje në një çështje penale dhe moszbatim të detyrave të caktuara nga gjykata.
Përfaqësuesit e ILD-së paraqitën konkluzionet e hetimit disiplinor ndaj prokurorit të Sarandës, Kledian Llaho, duke e akuzuar atë për zvarritje dhe moszbatimin e detyrave gjyqësore. ILD kërkon uljen e pagës së Llahos me 40% për një vit.
Megjithëse nga ana e prokurorit Llaho, konstatimet dhe kërkimet e ILD-së u cilësuan të pabazuara, ndërkaq dhe proçesin disiplinor ndaj tij e konsideroi fyes.
Seanca dëgjimore e ILD-së u mbajt bazuar në ankesën e një qytetareje për zvarritje të procedimeve të Prokurorisë së Vlorës në vitin 2018.
ILD ka konkluduar se prokurori Llaho, përveç zvarritjeve të pajustifikuara të akteve procedurale, nuk ka zbatuar as vendimet e gjykatave që kanë rrëzuar kërkesën e tij për pushimin e çështjes duke i kërkuar kryerjen e veprimeve të reja hetimore konkrete.
Sipas hetimit të ILD, prokurori ka kryer shkelje disiplinore me dashje direkte, duke mos ndërmarrë veprime të detyrueshme për një periudhë mbi dy vjet.
Gjetjet e ILD janë kontestuar nga Kryetari i Prokurorisë së Sarandës, me argumentin se nuk ka prova për sa ai akuzohet.
Sipas prokurorit, në periudhën kur ILD konstaton moskryerje të veprimeve ka qenë dhe situata e pandemisë COVID-19.
“Hetimi është i pabazuar në ligj dhe në prova dhe kërkoj që të rrëzohet unanimisht nga këshilli”, ka deklaruar Llaho.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.