Plarent Ndreca, deputet i Partisë Socialiste është një tjetër zyrtar i lartë ndaj të cilit Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuzat e shpërdorimit të detyrës gjatë kohës që ai punonte në administratën shtetërore.
Në përfundim të hetimeve, të nisura në korrik të 2021, Ndecës iu komunikua akuza ditën e sotme (25 Tetor) përmes avokatit të tij.
“Të pandehurit, Plarent Ndreca, i është komunikuar, përfundimi i hetimeve për procedimin penal nr.240/2021 për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, – thuhet në njoftim që shpërndau zyra e shtypit e Prokurorisë së Posaçme.
Ndreca akuzohet për abuzim me një tender për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës që mbante pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.
Sipas KLSH-së, gjatë kontrollit u gjetën mospërputhje dhe devijime ligjore, si pasojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në procedurat e prokurimit publik, të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve në tendera.
Gjithashtu ka pasur edhe rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit.
“Nga procesi i auditimit kanë rezultuar mospërputhje dhe devijime ligjore të cilat kanë cenuar barazinë e pjesëmarrësve dhe operatorëve ekonomik në këtë procedurë dhe njëkohësisht rritje të paargumentuar të vlerës së kostove të ndërtimit dhe kostove të projektimit në procedurën e prokurimit me objekt “Studim, Projektim i disa objekteve të Policisë së Shtetit”, ku përfshihen Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, Komisariati i Policisë Nr.4 Tiranë, Komisariati i Policisë Pogradec, Komisariati i Policisë Mirditë” – thuhet në njoftimin e KLSH-së së datës 30 korrik 2021.
Procedurat janë kryer kur kjo ministri drejtohej nga Sandër Lleshaj.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.