Një atentat që dështoi për centimetra, një rrjet komunikimesh të koduara, plantacione kanabisi në Lezhë dhe qindra kilogramë drogë të trafikuar. Të gjitha bashkohen në një dosje voluminoze, me 6 të pandehur është dërguar për gjykim nga Prokuroria e Posaçme.
Të pandehurit e kësaj çështje, Albert Zaja, Edison Muçeku, i ekstraduar nga Anglia, Armando Ndreca dhe Elvis Ndreca, Dejvis Bajramaj dhe Adrian Pikli, i ekstraduar nga Gjermania, dyshohet të jenë autorë të veprave penale në atentatin e dështuar në ngarkim të Durim Bamit dhe Ervin Kodrës, sigurimin e mjeteve për vrasjen e Hamza Terziut dhe Durim Bamit si dhe të përfshirë në trafikim droge dhe armësh në Lezhë.
Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza për 6 personat për një sërë veprash penale, përfshirë vrasje të mbetura në tentativë, trafik armësh dhe droge, si dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Atentati i Tapizës, fillesa e një hetimi të gjerë
Më 4 nëntor 2020, një “Range Rover” me targa italiane u qëllua nga një automjet tip “Golf” në zonën e Tapizës. Shënjestra ishte Durim Bami, një emër i njohur për drejtësinë. Në makinë ndodhej edhe Ervin Kodra, kushëri i tij, i cili mbeti i plagosur. Bami shpëtoi pa lëndime.
Ngjarja, e klasifikuar fillimisht si “tentativë për vrasje”, do të shënonte pikënisjen e një hetimi më të gjerë. Sipas SPAK, atentati ishte porositur nga Ervis Martinaj, i zhdukur më vonë në rrethana të dyshimta, si pjesë e një hakmarrjeje brenda rrjeteve të paligjshme të lojërave të fatit dhe botës së krimit të organizuar.
Gjatë hetimeve, SPAK nisi të analizonte komunikimet përmes aplikacionit të koduar “Sky ECC”, të përdorur nga kriminelët për të shmangur përgjimet. Aty dolën emra, plane dhe bashkëpunëtorë.
Në mesazhet e gjetura, Albert Zaja dhe Edison Muçeku diskutonin logjistikën për atentate të tjera, mes tyre, për vrasjen e Hamza Terziut në Bulqizë. Mes muajve maj dhe korrik 2020, ata siguruan automjete, mjete të komunikimit dhe lëvizje përgjuese ndaj objektivit.
Zaja dhe Muçeku nuk ishin vetëm. Mes komunikuesve identifikohen edhe emra si Tori Xheçuka, Florenc Kelmendi dhe Ardit Gjokrosa. Këta të fundit ende nuk janë zyrtarisht në gjykim, por dosja e tyre është ndarë për hetime të mëtejshme.
Një tjetër emër që bie në sy në dosjen e SPAK është ai i Armando Ndrecës, vëllai i ish-deputetit socialist Eduard Ndreca. Ai akuzohet për organizim dhe financim të kultivimit të 243 kg kanabis në një zonë të thellë të Lezhës, gjatë tetorit 2020.
Në vitin 2024, një stan u kthye në “shtëpi bari”, me ndriçim dhe sisteme ujitjeje moderne. Gjatë kontrollit, u arrestuan dy persona, por Ndreca u lirua nga gjykata për mungesë provash. SPAK, megjithatë, ka vijuar me akuzën, duke pretenduar se ka rol organizativ në grupin kriminal.
Vëllai i tij, Elvis Ndreca, është gjithashtu në listën e të pandehurve, për sigurim të mjeteve për atentatin ndaj Durim Bamit.
Një tjetër linjë hetimi lidhet me dy persona të tjerë, Deivis Bajramaj dhe Adrian Pikli. Ata akuzohen për trafik armësh dhe municionesh, të cilat dyshohet se i kanë shitur edhe personave me precedentë penalë. Pikli u arrestua në Gjermani dhe u ekstradua në korrik 2024.
Hetimet mbi ta përfshijnë edhe veprimtari brenda territorit shqiptar, në bashkëpunim me grupe të tjera kriminale që kanë funksionuar në mënyrë të pavarur nga linja e atentateve, por brenda së njëjtës dosje penale.
Në këtë dosje, SPAK përfshin edhe një episod që fillimisht u duk i lidhur, vrasja e Shkëlzen Kastratit më 1 shkurt 2021 në Fier. Fillimisht, dy persona, Silvio Cara dhe Elmir Tufa, u morën të pandehur për këtë vrasje.
Por hetimet treguan se objektivi nuk ishte Shkëlzeni, por vëllai i tij, Kelmend Kastrati. Autorët kishin “gabuar shënjestrën”. Bazuar në komunikimet e Sky ECC, SPAK ka kërkuar pushimin e çështjes për Carën dhe Tufën, duke pranuar mungesën e provave për përfshirjen e tyre në organizimin ose ekzekutimin e atentatit.
Për këtë ngjarje është dënuar me 19 vjet burg Albert Zaja, ndërsa Elson Xheçuka, vëllai i një prej personazheve të përmendur në komunikimet e tjera është në kërkim.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.