Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës pritet të dalë më 12 Mars 2025, përballë Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të kundërshtuar masën e “arrestit në burg”, ku qëndron prej 10 Shkurtit kur oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit e shoqëruan në paraburgim pas vendimit të miratuar nga Gjykata.
Prokuroria e Posaçme nisi hetimet ndaj Veliajt në korrik 2023, pas një denoncimi anonim që rrëfente lidhjet mes kryebashkiakut me biznesmenin Gentjan Sula, pronar i kompanisë së ndërtimit “Agi Kons”, e cila ka fituar disa tenderë publikë.

Midis organizatave që janë financuar nga Bashkia Tiranë dhe kanë kryer pagesa për shoqatat e Xoxës, Kongresi Rinor Kombëtar qëndron në krye.

Dorian Grei: “Ti po flet për skandal, Herri, dhe nuk ka asnjë bazë për skandal.”
Lord Henri: “Baza e çdo skandali është një siguri e pamoralshme.”
Portreti i Dorian Greit, Oscar Wilde

Në vitin 2022, Ministria e Kulturës mbështet “Harabelin” për projektin “Digjitalizimi i artit bashkëkohor në Shqipëri”, në vlerën 1,000,000 lekë.
Nga veprimet paraprake, SPAK konstatoi miqësinë e vjetër mes Veliajt dhe biznesmenit si dhe përfitimet që familja e tij kishte marrë nga Sula.
Vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj, posedonte një vilë në Qerret të ndërtuar nga kompania “Agi Kons”, ndërsa bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, ka deklaruar një apartament në rezidencën “Kodra e Diellit”, gjithashtu e ndërtuar nga e njëjta kompani.
Pas hetimeve paraprake dhe grumbullimit të provave, më 8 shkurt 2024, Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal për veprën e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa më 27 dhjetor 2024 hetimi u zgjerua duke përfshirë edhe akuzat për “Korrupsion aktiv”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale” dhe “Fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurisë”.
Më 16 janar 2025, në regjistrin e veprave penale u shtua edhe akuza për “Deklarata të rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, ndërsa më 24 janar 2025 u shtua vepra penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Si pjesë e hetimit, SPAK ka dokumentuar një seri të gjatë transaksionesh që tregojnë rrjedhjen e parasë nga Bashkia e Tiranës, përmes kompanive kontraktore dhe sponsorizimeve, tek OJF-të dhe kompanitë e kontrolluara nga Ajola Xoxa.
Sipas prokurorisë, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, janë në qendër të një skeme të mirë-organizuar për të përfituar rryshfete dhe për të pastruar para nëpërmjet kompanive kontraktore dhe organizatave joqeveritare (OJF) që merrnin fonde nga Bashkia e Tiranës.
Prokurorët pretendojnë se Veliaj ka përfituar të paktën 1.1 milionë euro në nëntë raste të ndryshme, duke përdorur pozicionin e tij për të siguruar kontrata publike dhe leje ndërtimi për biznesmenë të ndryshëm.
Nga qelia e burgut Erion Veliaj, apo dhe nëpërmjet avokatëve të tij, ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i cilësuar ato si një komplot politik të orkestruar nga kundërshtarët e tij.
Veliaj ka akuzuar prokurorin e çështjes, Ols Dado, për konflikt interesi dhe ka pretenduar se procesi është i motivuar politikisht.
Duke përdorur faqen e tij në Facebook kryebashkiaku ka sulmuar prokurorin Dado, duke e portretizuar atë si një person me armiqësi personale dhe të lidhur me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Madje, Veliaj publikoi një transkript të rremë të përballjes gjyqësore, duke i vënë në gojë prokurorit Dado fjalë që ai nuk i kishte thënë, sipas GJKKO-së.
Ndërsa avokatët e Veliajt, nëpërmjet deklaratave publike pretendojnë se procesi hetimor ndaj kryebashkiakut është iniciuar mbi një kallëzim anonim dhe të dhëna të pasakta, pa prova apo indicie të mjaftueshme që të krijojnë dyshimin e arsyeshëm ligjor.
Në mbrojte të Veliajt, për arrestimin e tij ka dalë dhe kryeministri Edi Rama i cili jo rrallë herë ka sulmuar Prokurorinë e Posaçme duke e përshkruar si një organ represioni që intimidon dëshmitarë dhe shkel të drejtat e njeriut.
Rama ka hedhur edhe akuza ndaj gjyqtarit që vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Erion Veliajt duke e quajtur atë një gjyqtar si “kamikaz i Berishës” dhe ka sugjeruar se Veliaj po mbahet në burg “pa gjyq”, duke hedhur dyshime mbi pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Sulmet ndaj prokurorit Dado dhe GJKKO-së janë konsideruar nga ekspertët e komunikimit si një përpjekje për të shmangur vëmendjen nga akuzat dhe provat e gjetura nga prokuroria për kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Sipas tyre, kjo strategji e përdorur nga Rama nëpërmjet daljeve publike dhe Veliaj nga qelia e burgut, është një strategji që synon të krijojë justifikime para mbështetësve socialistë dhe t’i mobilizojë ata në prag të zgjedhjeve e 11 majit 2025.
RRKOKSH (Rrjeti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri), organizata juaj kryesore mediatike investigative e angazhuar për të hedhur dritë mbi krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjithë Shqipërinë. Nëpërmjet platformës sonë online në shteg.org, ne ofrojmë një gazetari të plotë dhe me ndikim që synon jo vetëm të informojë, por edhe të nxisë ndryshimet shoqërore.