Një hetim i thelluar i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me BKH-në, Interpol Tiranën dhe autoritetet britanike dhe kolumbiane, ka zbuluar një rrjet të sofistikuar kriminal që trafikonte armë nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar. Skema përfshinte kamuflimin e armëve në mobilie dhe transportin e tyre me furgonë drejt destinacioneve të parapërcaktuara në Angli.
SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme kërkesën për gjykim për dosjen penale Nr. 60/1 të vitit 2024, ku të pandehur janë shtetasit Adulla Hoxhaj, Almir Gjidiaj, Admir Tutaj, Alban Gjidiaj, Rifat Avdiaj dhe Bojken Turtulli. Ata përballen me akuza të rënda për trafik armësh, drejtim dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, si dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit në sasi të mëdha.
Armë të fshehura në mobilie
Më 10 prill 2023, një furgon me targa britanike ndaloi në pikën doganore të Portit të Durrësit. Asnjë pasagjer, vetëm një tavolinë druri në pjesën e pasme. Skaneri sinjalizoi anomali, një detaj teknik që do të çonte në zbulimin e një rrjeti të gjerë kriminal me tentakula nga Shqipëria në Britaninë e Madhe, e deri në Kolumbi.
Në brendësi të tavolinës u gjetën të fshehura 8 armë zjarri, municion dhe pajisje ndihmëse.
Armët, kryesisht të markave “Glock”, “Browning” dhe “Herstal”, ishin futur brenda mobilieve me porosi dhe të fshehura në mënyrë profesionale nga mjeshtër të fushës në periferi të Tiranës.
Më 10 prill 2023, në Portin e Durrësit, një furgon mallrash me targa britanike, KS 15 MZN, u ndalua për kontroll rutinë. Ngarkesa dukej e zakonshme – mobilie druri me destinacion Anglinë. Por një tavolinë, në pamje të parë e padëmshme, zgjoi dyshime pas sinjalit të skanerit doganor.
Gjatë kontrollit fizik, brenda saj u zbuluan të fshehura 8 armë zjarri, 4 karikatorë dhe 201 fishekë kalibri 9 mm. Ajo që dukej si një tentativë e rastësishme trafikimi, shënoi pikënisjen e një hetimi kompleks që do të zbulonte një rrjet të organizuar kriminal me lidhje nga Shqipëria deri në Mbretërinë e Bashkuar.
Ajo që në fillim u duk si një incident i izoluar, çoi në zbardhjen e një skeme ndërkombëtare trafiku armësh, të ndarë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Pas një viti ndjekjesh, përgjimesh dhe kontrollesh në disa qytete të vendit, hetuesit arritën të identifikonin një rrjet të ndarë në dy nëngrupe: një në Shqipëri dhe një tjetër në territorin britanik.
Grupi dyshohet se funksiononte me role të qarta, sigurimi i armëve, modifikimi i mobilieve për fshehje, transport ndërkombëtar dhe shpërndarje në Angli, ku armatimi përfundonte në duart e rrjeteve kriminale.
Në përfundim të hetimeve njëvjeçare, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njoftoi se ka çuar për gjykim dosjen penale nr. 60/1 të vitit 2024 ndaj shtatë të pandehurve të akuzuar për trafik ndërkombëtar armësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
“Rezulton se grupi kriminal ka funksionuar përmes dy nëngrupesh, një në Shqipëri dhe një në Britaninë e Madhe, me koordinim të drejtpërdrejtë mes drejtuesve të tyre,” – thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë.
Sipas dokumenteve të SPAK, skema e trafikut ishte e sofistikuar. Armët siguroheshin në Shqipëri, ku përdoreshin ambiente të posaçme dhe mjeshtër të fushës së mobilimit për t’i fshehur në produkte druri, si tavolina apo komodina. Më pas, dërgoheshin drejt Britanisë përmes kompanive të transportit ndërkombëtar.
“Gjatë hetimeve është provuar se armët nuk ishin të destinuara për vetëmbrojtje, por për rrjete kriminale të strukturuara, me prezencë në Mbretërinë e Bashkuar,” – thekson SPAK në kërkesën për gjykim.
Gjurmët çuan deri në Tropojë, ku u identifikua një bazë operative e përdorur për ruajtjen dhe përgatitjen e armëve për trafik.
Në këtë bazë, gjatë një operacioni të zhvilluar në gusht 2024, u sekuestruan 25 armë zjarri (24 pistoleta dhe 1 kallashnikov), 409 fishekë, 49 karikatorë, pajisje optike dhe lazerike për armë, veshje ushtarake, pranga, si dhe para cash.
Të njëjtat burime sqarojnë se grupi kishte siguruar edhe identitete të rreme për dorëzuesit dhe pritësit e mallrave në Angli.
Në Shqipëri, rrjeti drejtohej nga Adulla Hoxhaj, i cili menaxhonte logjistikën, koordinimin me prodhuesit e mobilieve dhe ndihmësit. Mes tyre, figuron Rifat Avdiaj, Bojken Turtulli dhe Franko Gjalpi, ky i fundit tashmë i dënuar nga GJKKO dhe Gjykata e Apelit.
Në Britaninë e Madhe, drejtimin e kishte Almir Gjidiaj, në bashkëpunim me të vëllain Alban Gjidiaj dhe bashkëpunëtorin Admir Tutaj, që merrnin “porositë” dhe i shpërndanin në rrjetet kriminale lokale.
Në gusht 2024, gjatë një operacioni të koduar “Inkorporimi”, u arrestuan në Tiranë Adulla Hoxhaj, Bojken Turtulli dhe Rifat Avdiaj. U zbuluan 25 armë zjarri, shumica pistoleta dhe një kallashnikov si dhe sasi të konsiderueshme municioni, pajisje optike, mjete komunikimi dhe veshje ushtarake. Të gjitha të fshehura në një bazë të ndodhur në Tropojë, që shërbente si pikë përgatitore për trafikun ndërkombëtar.
Pas zbulimeve të bëra në Shqipëri, SPAK shpalli në kërkim ndërkombëtar Almir dhe Alban Gjidiajn. Në korrik 2025, operacioni i koduar “Kartagjena”, i zhvilluar në Kolumbi në bashkëpunim me Interpolin dhe autoritetet vendase, çoi në arrestimin e Almir Gjidiaj në një hotel luksoz në ishujt Rosario. Ai tentoi arratisjen nga oborri i hotelit, por u kap nga policia kolumbiane.
Pak ditë më vonë, edhe Alban Gjidiaj u arrestua në veri të Londrës. Gjykata angleze pranoi kërkesën për ekstradimin e tij me kusht, ndërsa procesi pritet të vijojë më 26 shkurt të vitit që vjen.
Gjatë kontrolleve në datat 10 prill dhe 1 gusht 2024 në Shqipëri, hetuesit sekuestruan një sërë sendesh që përforcuan provat për funksionimin e grupit si një strukturë e organizuar kriminale. Në total, u zbuluan 32 armë zjarri, 409 fishekë, 49 karikatorë, 2 thika, 1 palë pranga, pajisje lazerike dhe optike, automjete si dhe para cash.
“Kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal, ku secili anëtar kishte rol të përcaktuar, që nga sigurimi i armëve, modifikimi dhe transporti, deri te dorëzimi në destinacion.” – thuhet në njoftim e SPAK, sipas të cilit ky aktivitet nuk ka qenë sporadik, por i përsëritur, sistematik dhe me natyrë të qëndrueshme.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.