Kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli zyrtarisht hapjen e fushatës për zgjedhjet parlamentare të 2025 më 11 prill, qytetarët shqiptarë ishin tashmë të njohur prej muajsh me mesazhet, premtimet dhe fytyrat që do të kërkonin votën e tyre. Zyrtarisht, një muaj për fushatë; praktikisht, një vit.
Në harkun kohor prej shtatorit 2024 deri në prill 2025, janë zhvilluar 13 takime në vende të ndryshme të Evropës dhe SHBA, ku kryeministri Edi Rama dhe zëvendësja e tij Belinda Balluku janë shfaqur përkrah mbështetësve dhe komuniteteve shqiptare, duke mbajtur fjalime që përmbanin thirrje të qarta për votë, edhe pse shpesh të kamufluara si angazhime “për Shqipërinë e ardhshme”.
Nga Athina në Milano, Londër e New York, këto takime janë shoqëruar me pamje të realizuara me cilësi profesionale, shpërndarë masivisht në rrjetet sociale, duke tejkaluar kufijtë e një komunikimi institucional.
Pavarësisht se Kodi Zgjedhor përcakton një muaj fushatë deri në momentin e datës së zgjedhjeve, nga vëzhgimet e kryera nga “shteg.org” rezulton se fushata për grupet politike ka nisur më herët, duke shkelur disa nga nenet e Kodit Zgjedhor.
Një nga nenet e shkelura është ai i numrit 84, i cili ndalon institucionet publike të bëjnë reklama, përveç rasteve kur ato lidhen me ndërgjegjësimin e zgjedhësve për procesin zgjedhor. Megjithatë, pavarësisht këtij kufizimi ligjor, Partia Socialiste ka përdorur ekranin e vogël të celularëve për të shpërndarë video të punimeve që janë ende në fazë zhvillimi.
Viti i fushatës zgjedhore
Në një sallë të tejmbushur në Athinë, më 12 maj 2024, Edi Rama mbajti atë që do të konsiderohej fillimi i heshtur i fushatës elektorale të socialistëve. Në prani të mbi 5,000 shqiptarëve të emigracionit, kryeministri nuk fliste ende për zgjedhje, por për “rilidhjen me rrënjët” dhe “kontributin e diasporës në zhvillimin e Shqipërisë”.
Por mes duartrokitjeve dhe flamujve kuqezi, mesazhi politik ishte i qartë. “Nuk ka Shqipëri të fortë pa një diasporë të organizuar. Shqipëria e 2030 do të jetë një vend i zgjedhjes së lirë,” tha Rama, në atë që shumë e panë si një fjalim elektoral të koduar.
Ky ishte i pari nga nëntë takime me diasporën shqiptare që Rama do të zhvillonte në një hark kohor njëvjeçar.
Sipas vëzhgimeve të “shteg.org”, Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në nëntë takime të ndryshme me emigrantët shqiptarë në Greqi, Itali dhe SHBA.
Vetëm dy javë pas tubimit të Athinës, më 26 maj, destinacioni ishte Milano. Këtë herë, mes inxhinierëve të rinj dhe sipërmarrësve shqiptarë në Itali, Rama fliste hapur për kthim të trurit dhe shanse të reja në vend. “Nuk ju kërkoj të vini për të votuar, ju kërkoj të vini për të ndërtuar,” tha ai, në një apel që e kapërcente politikën.
“Ka vdekur njëherë e përgjithmonë, siç ka vdekur një herë e përgjithmonë çdo shans që hijet e të shkuarës të rikthehen mbi kalë për ta shaluar në drejtim të paditur fatin evropian të Shqipërisë.” – u shpreh Rama.
Në muajt që pasuan, kryeministri vijoi me takime në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë një event të madh në Nju Jork në tetor.
I pyetur se çfarë mund të bëjnë shqiptarët e Amerikës për të kontribuar, ai u përgjigj: “Duhet të bëhen garant me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Duhet të bëhen garantët që Shqipëria nuk kthehet mbrapa”.
Në tubimet e tij, Rama ka dhënë mesazhin e qartë se ndërtimi i një sistemi të drejtësisë të pakapur ku askush nuk është i paprekshëm, është arsyeja pse duhet të votohet Partia Socialiste për një mandat të katërt.
Përveç takimeve të karakterit politik, më 2 mars 2025, Rama mori pjesë në Panairin e Punës në Selanik.
Nën sloganin “Puno dhe jeto aty ku ke zemrën”, ai promovoi mundësitë e punësimit në Shqipëri dhe rritjen e pagave. Në një moment simbolik, ndërsa në sfond dëgjohej një gotë që thyhej, ai e interpretoi atë si “rënia e syrit të bufit”, një referencë ironike ndaj ish-kryeministrit Berisha.
“Kështu do bjerë në tokë syri i bufit të kënetës. Por nuk flas për 11 majin, se nuk kemi ardhur këtu të bëjmë fushatë elektorale.”
Nga postimet në rrjetet sociale, rezulton se Kryeministri ka qenë i pranishëm në mbi 30 takime elektorale në të gjithë vendin gjatë muajve prill dhe maj 2025.
Megjithatë, ai nuk ka qenë i vetmi përfaqësues i së majtës që ka zhvilluar takime të shumta me karakter zgjedhor.
I ndjekur nga Balluku

Ndërsa Rama shfaqej në metropolet ndërkombëtare, Belinda Balluku zgjodhi të nisë fushatën nga baza, qarku i Fierit.
Ajo filloi takimet më 5 tetor 2024 dhe deri në fund të fushatës, kishte mbajtur plot 80 takime në këtë qark.
Në vizitat e para, Balluku preferoi format më intime. Takime në familje, vizita në kompani apo dhe me punonjës të administratës publike. Nga 49 takime parazgjedhore, ajo u pa se shkoi në 9 në shtëpi të familjeve fshatare e qytetare dhe 27 në ndërmarrje private.
“Këtu nuk vij për të kërkuar vota, por për të dëgjuar zërin tuaj,” do të shprehej ajo më 17 nëntor në një takim me punëtorë fasonerie në Patos.
Por Balluku nuk u kufizua vetëm në Fier. Ajo realizoi 4 takime me diasporën shqiptare, si në Londër, dy herë në Athinë dhe në Milano.
Në këto tubime Balluku fliste për sfidat e qeverisë, por edhe ambicien për t’i kthyer shqiptarët në vend.
“Nuk dua t’ju flas si ministre, por si dikush që vjen nga familje emigrantësh,” tha Balluku në Londër, në një fjalim emocional që u përhap gjerësisht në rrjetet sociale.
Kur fushata mori formalisht dritën jeshile më 12 prill 2025, Balluku intensifikoi aktivitetin në Fier. 31 takime brenda 25 ditësh, nga takime në njësitë administrative deri te mitingjet me dhjetëra simpatizantë, e shndërruan atë në një nga zërat më të zëshëm të fushatës.
“Kjo nuk është thjesht një fushatë për vota, por për besim. Po u kthyet shpinën atyre që punojnë, do të kthejmë vendin pas.” – deklaronte në Roskovec ndërsa në Lezhë, ministrja Balluku u paraqit pranë punimeve për një segment rrugor.
“Punët flasin vetë dhe këto nuk janë premtime, por projekte në zbatim” – deklaronte Balluku.
Edhe pse takimi nuk u quajt miting, në të ishin të pranishëm dhjetëra qytetarë, drejtues vendorë dhe figura të PS-së, ndërkohë që në pamjet e publikuara shihej shpërndarje e materialeve informative me logon e qeverisë dhe një slogan: “Punët nuk ndalen” – një frazë që është ripërdorur në thuajse çdo takim elektoral të majit.
Në fushatë çdo ditë të vitit
Kodit Zgjedhor, në nenin 84, e ndalon qartësisht përdorimin e fondeve publike dhe premtimeve për projekte të papërfunduara gjatë fushatës. Por aktivitetet e Ballukut dhe të kabinetit qeveritar tregojnë një tjetër realitet.
Në 27 nga takimet e dokumentuara, Balluku është shfaqur në qendra publike si spitale, shkolla dhe qendra për të moshuar, ku ka bërë deklarata për investime në infrastrukturë, përmirësim shërbimesh dhe premtime të reja. Ajo ka folur për projektin e Unazës së Madhe, rikualifikime urbane, subvencione për bujqit, lehtësime për bizneset, të gjitha të maskuara si angazhim qeveritar, por të shpërndara përmes kanaleve të saj personale në rrjete sociale.
Në secilin postim, përveç përmbajtjes informuese, vihet re përdorimi i sloganeve si “Shqipëria 2030”, “Vetëm përpara”, dhe shpesh shfaqen flamuri shqiptar apo ai i BE-së, simbole që i japin komunikimit një peshë të identitetit kolektiv dhe euro-integrues, por gjithashtu krijojnë një imazh që përforcon propagandën e fitores.
Frikësimi nga rikthimi i së shkuarës, ishte një qasje e përdorur shpesh në retorikën e kryeministrit Rama.
Në çdo dalje publike, ai ka folur për “rrezikun e kthimit mbrapa” si një kërcënim politik për qytetarët, duke e lidhur fitoren e Partisë Socialiste me “vazhdimësinë e reformës në drejtësi”, “sigurinë ekonomike”, dhe “mbrojtjen e rendit demokratik”, deklarata këto në kundërshtim me Kodin Zgjedhor sipas të cilit asnjë ent publik nuk mund të angazhohet në promovim të veprimtarisë qeveritare në mënyrë që të ndikojë votuesit gjatë fushatës.
Ekspertë të marrëdhënieve me publikun dhe monitorimit të zgjedhjeve e konsiderojnë këtë sjellje si shkelje sistematike të standardeve demokratike, ku kufiri mes qeverisjes dhe fushatës është zhdukur.
Në analizat e tyre, ata theksojnë se kemi të bëjmë me një “fushatë të përhershme”, që përdor administratën publike si makineri promovimi, ndërkohë që opozita nuk ka mundësi të barabarta në qasjen te publiku apo mediat.
Por ajo që e veçoi fushatën e këtij viti, sipas Jonila Godoles, drejtoreshën e Insitutit për Demokracie, Media dhe Kulturë, ishte inteligjencës artificiale dhe i podcast-it si format i ri për komunikimin politik.
“Risia e këtyre zgjedhjeve nuk ishin as programet politike dhe as mitingjet masive, por aplikimi i inteligjencës artificiale dhe i podcast-it si format i ri për komunikimin politik në rrjetet sociale,” thotë Godole.
Por pavarësisht këtij transformimi teknologjik, ajo që shqetëson profesoreshen e komunikimit politik ishte mungesa e debatit real.
“Më vjen keq që nuk pati një debat thelbësor mbi vlerat ideologjike dhe vizionin që partitë kanë për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare.” – thotë Godole sipas së cilës daljet televizive vazhduan për inerci, pa prodhuar ndonjë efekt të matshëm.
“Emisionet e debateve nuk prodhuan asnjë format të ri ku të ishte në qendër përballja e votuesve me kandidatët për deputetë, por vazhduan me skemat e vjetra, ku janë politikanët ata që vendosin se cilët analistë dhe moderatorë do të kenë përballë.”
Në këtë sfond, një pyetje themelore ngrihet: a patën forcat e reja politike një shans të vërtetë për garë?
Në një fushatë të dominuar nga dy forcat e mëdha poltike la këto forca të reja në periferi të vëmendjes publike.
“Ndërsa dy partitë e mëdha merreshin me njëra-tjetrën sa me batuta, aq me akuza, forcat e reja politike kishin një shans të mirë për të shpalosur programet e tyre në mediat sociale, gjë që e bënë, edhe pse jo plotësisht. Dy parti të reja si “Bashkë” dhe “Mundësia” u përpoqën më shumë të profilizohen duke adresuar tema të ndjeshme për qytetarët, si pensionet, rrogat minimale, politikat fiskale apo reduktimi i administratës shtetërore. Megjithëse dominimi mediatik dhe dixhital i partive kryesore i la forcat e reja disi në periferi, zgjedhjet e sivjetme mendoj se shënojnë fundin e tranzicionit të gjatë politik ku dominonin vetëm dy parti kryesore pa dallime ideologjike mes tyre. E ardhmja do t’u takojë koalicioneve dhe një qeverisjeje pluraliste me më shumë se një parti.” – thotë Jonila Godole.