Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me autoritetet zvicerane, ka goditur një rrjet të mirëstrukturuar kriminal që dyshohet se operonte në fushën e pastrimit të parave të drogës, përmes sistemit informal të transferimit financiar të njohur si “Hawala”.
Të dhënat zyrtare tregojnë se ky rrjet, i udhëhequr nga shtetasi Ervis Ferizaj, funksiononte që prej vitit 2020 dhe kishte arritur të qarkullonte miliona euro nga aktivitetet kriminale në Europë drejt Shqipërisë.
Në kuadër të hetimeve, SPAK ka sekuestruar pasuri të paluajtshme dhe shoqëri tregtare, përfshirë njësi biznesi në Tiranë, një vilë në Lalëz dhe dy kompani ndërtimi. Po ashtu janë gjetur dhe sekuestruar shuma të mëdha parash në valutë të huaj, ndër to 77,160 franga zvicerane dhe afro 68 milionë lekë – të cilat konsiderohen produkt i veprimtarisë kriminale. Përveç Ervis Ferizajt, janë ndaluar edhe bashkëpunëtorët e tij, Burim Ferizaj dhe Përparim Kalbaj, ky i fundit me precedentë penalë.
Sipas SPAK, skema ka funksionuar përmes një strukture të mirëkoordinuar që përfshinte persona të ndryshëm në Zvicër e Shqipëri, ku pagesat kryheshin pa asnjë ndërmjetësim bankar. Hetimet kanë dokumentuar se për çdo shumë të transferuar, grupi përfitonte një komision prej 6%, ndërsa vetë transaksionet nuk linin gjurmë, duke e bërë të vështirë ndjekjen financiare.
Një rrjet i padukshëm që lëviz miliona pa gjurmë

Në dukje një sipërmarrës i rregullt, Ervis Ferizaj ishte një nga drejtuesit e një skeme të sofistikuar kriminale që prej vitesh funksiononte mes Zvicrës dhe Shqipërisë.
Më 20 korrik 2024, në një operacion të koordinuar ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe zvicerane, u ekzekutua urdhri i ndalimit për shtetasin Ervis Ferizaj, i cili ndodhej në Zvicër. Në të njëjtën kohë, në Tiranë, Policia e Shtetit ndaloi Burim Ferizajn dhe Përparim Kalbajn, të dy të dyshuar si pjesë e të njëjtit rrjet kriminal.
Por arrestimet ishin vetëm maja e ajsbergut. Në Shqipëri, autoritetet sekuestruan pasuri të konsiderueshme të lidhura me aktivitetin e tyre kriminal, që nga kompani e deri te vila luksoze dhe shuma të mëdha parash.
Në njoftimin e saj zyrtar, SPAK shpjegon se grupi i drejtuar nga Ferizaj kishte ngritur një strukturë të tërë financiare paralele, përmes së cilës “personat nën hetim kanë organizuar dhe bërë të mundur funksionimin e një sistemi informal të transferimit të parave, të njohur si ‘Hawala’.”
Ky sistem tradicional, që funksionon jashtë rrjetit bankar dhe pa dokumentacion formal, i mundësonte grupit të shmangte çdo gjurmë të transaksioneve.
Në thelb, sistemi përfshinte dy pika, një në Luzern të Zvicrës dhe një në Tiranë. Trafikantët e drogës dorëzonin fitimet e tyre në Zvicër te bashkëpunëtorët e grupit. Ata, nëpërmjet komunikimit të koduar, njofton për shumën dhe emrin e marrësit në Shqipëri. Më pas, në Tiranë, Ervis Ferizaj dhe dy bashkëpunëtorët e tij dorëzonin të njëjtën shumë përfituesit, pa pasur nevojë për transport fizik të parave.
Kështu, miliona euro lëviznin në mënyrë të padukshme, të paverifikueshme nga autoritetet.
Transfertat bëheshin përmes zyrave të këmbimit valutor, agjencive turistike dhe kompanive të transferimit të parave që grupi kontrollonte ose përdorte në të dy vendet.
Sipas SPAK, grupi merrte një komision prej 6% për çdo shumë të transferuar – një përfitim i madh, duke marrë parasysh volumin e transaksioneve.
Që nga viti 2020, drejt Shqipërisë janë dërguar miliona euro, përmes qindra rasteve të veçanta të organizuara përmes rrjetit “Hawala”.
SPAK thekson se hetimet për sasinë e saktë të parave të transferuara janë ende në vijim.
“Janë mbledhur prova që vërtetojnë funksionimin e një grupi të strukturuar kriminal, me aktivitet të përqendruar në pastrimin e produkteve të veprës penale përmes skemave të informalitetit financiar,” – thuhet në njoftimin zyrtar.
Hetimet zbuluan se aktiviteti i rrjetit nuk kufizohej vetëm në transferimin e parave. Ervis Ferizaj, Burim Ferizaj dhe Përparim Kalbaj dyshohet se ishin gjithashtu të përfshirë në tregtimin aktiv të lëndëve narkotike në disa kantone të Zvicrës. Ata përdornin persona të tretë për shpërndarjen e drogës me pakicë, ndërsa vetë siguronin furnizimin dhe rrugët e transportit.
Në këtë rast, paratë që buronin nga trafiku i drogës në Europë dorëzoheshin në Zvicër, ndërsa në Shqipëri, përmes një rrjeti të besuar, dorëzohej një shumë e barabartë marrësve të paracaktuar.
“Personat e interesuar për transferimin e parave dorëzonin paratë që kishin origjinë kriminale tek bashkëpunëtorët e grupit me banim në Zvicër. Bashkëpunëtorët njoftonin menjëherë Ervis Ferizajn në Tiranë, i cili bashkë me Burim Ferizajn dhe Përparim Kalbajn dorëzonin të njëjtën shumë tek marrësit e paracaktuar.” – njofton prokuroria.
Sipas SPAK, ky sistem u përdor që prej vitit 2020, në qindra raste të veçanta, për të sjellë në Shqipëri miliona euro të ardhura nga trafikimi i lëndëve narkotike.
Për çdo transfertë që kryhej përmes “Hawala-s”, grupi përfitonte 6% të shumës, e cila ndahej më pas në mënyrë të barabartë mes drejtuesve në Shqipëri dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Zvicër.
“Qëllimi i kësaj veprimtarie ka qenë realizimi i fitimeve. 6% e shumës që transferohej merrej nga personat nën hetim si komision për shërbimin e kryer.” – thekson SPAK.
Emri i Përparim Kalbajt është lakuar edhe më herët për veprimtari të paligjshme. Në vitin 2018, ai u arrestua për shpërndarje kokaine në zonën e Bllokut në Tiranë. Një vit më vonë, pika e tij e transferimit të parave në zonën e “Don Boskos” në Tiranë u godit nga një shpërthim me tritol, një mesazh i qartë për konfliktet e brendshme në rrjetet e krimit të organizuar.
Rasti i Ferizajt nuk është i izoluar. Autoritetet shqiptare dhe të huaja kanë dokumentuar edhe skema të tjera të ngjashme, apo raste ku transferta prej qindra mijëra eurosh janë kryer në mënyrë të paligjshme për të paguar trafik ndërkombëtar droge, përfshirë një transfertë prej 505,650 dollarësh amerikanë për blerjen e 500 kg kokainë në Ekuador, me pagesën që kalonte përmes këtij sistemi informal nga Shqipëria drejt Amerikës së Jugut.
Po ashtu, në një tjetër rast të hetuar në bashkëpunim me autoritetet italiane, një rrjet shqiptar që vepronte në Durrës, i njohur si grupi i “Visiti i Pojës” i cili i shpëtoi arrestimit gjatë operacionit “ura” në bashkëpunim me antimafien e Barit.
Hetimet zbuluan se ky grup kishte kryer 32 transfertash përmes Hawala-s, ku në një rast të vetëm, sipas hetimeve shuma arrente në 332,000 euro.
“Hawala” ka funksionuar për shekuj në Azi dhe Lindjen e Mesme, dhe operon jashtë rrjeteve bankare zyrtare dhe mbi bazën e besimit të ndërsjellë. Është i përdorur gjerësisht në vende ku sistemi bankar është i kushtueshëm, joefikas ose i paarritshëm, por sot është kthyer në një mjet të fuqishëm për grupet kriminale që kërkojnë të shmangin gjurmët dhe rregullat bankare.
Ata që nuk respektojnë marrëveshjet e nënkuptuara konsiderohen si të pabesë dhe përjashtohen nga rrjeti, një dënim që vlen më shumë se çdo ndëshkim ligjor për ta.
Për shumë emigrantë që dërgojnë para në vendet e tyre të origjinës, Hawala është shpesh alternativa më praktike. Në vende ku sistemi bankar është i kushtueshëm ose i paarritshëm, hawala ndihmon në qarkullimin e fondeve me shpejtësi, kosto të ulët dhe pa burokraci. Madje, në disa raste, tregtarët nuk aplikojnë tarifa për emigrantët, për t’i nxitur të përdorin këtë kanal joformal.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.