Këshilli i Ministrave ka miratuar kalimin e pronësisë së Stadiumit “Selman Stërmasi” nga klubi i futbollit të Tiranës tek Koorporata e Investimeve Shqiptare (KISH), duke lënë të paqartë rolin e këtij klubi në administrimin e stadiumit.
Tre muaj më parë “shteg.org” publikoi një artikull ku tregohej se një plan për ndërtimin e një qendre multifunksionale brenda stadiumit ishte në fazë përgatitore. Plani, që parashikon një skemë të Partneritetit Publik-Privat, duket të jetë një kopje e modelit të përdorur për ndërtimin e “Arena Kombëtare”, pas shembjes së stadiumit “Qemal Stafa”.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës më 9 shtator të këtij viti, Kryebashkiaku Erjon Veliaj bëri të ditur se ishin planifikuar investimet për stadiumin “Selman Stermasi” dhe për pallatin e sportit “Asllan Rusi”, ndërkohë që anëtarja e Këshillit Bashkiak, Ilda Zhulali, tha asokohe për “shteg.org”, se procesi që i hapte rrugë vendimmarjes për ndërtimin në zonat sportive ishte zhvilluar në kushtet e mungesës së transparencës dhe llogaridhënies.
Megjithatë, në Këshillin Bashkiak ishte mundësuar marrja e votave të nevojshme nga anatarët për t’i hapur rrugë këtij projekti, ndonëse në mungesë së anëtarëve jo-socialistë të Këshillit.
Një nga çështjet që mbetet e paqartë është pozicioni i klubit të futbollit Tirana, i cili ka administruar stadiumin për një periudhë të gjatë. Presidenti i Tiranës, Refik Halili, i pyetur nga “shteg.org” rreth dakordësisë për implemtenimin e këtij projekti, u shpreh se qytetit i duhet një stadium më i mirë se ai aktual, por nuk dha asnjë deklaratë rreth paqartësisë së pozicionit të Klubit të Futbollit të Tiranës duke u shprehur: “Nuk ka lidhje me mua ajo punë. S’e bëj unë garën, e bën shteti”.
Më herët Halili është shprehur për një televizion publik: “Do të ishte mirë që të kishte një plan për rijetëzimin e stadiumit ‘Selman Stërmasi’ dhe se është koha për një impiant të dytë në kryeqytet, pas Arenës Kombëtare”.
Klubi i Futbollit të Tiranës ka një kontratë përdorimi dhe bashkëpunimi me Bashkinë e cila ka një afat deri në vitin 2028, thënë ndryshe, edhe për 4 vite.
Megjithatë, KISH është e autorizuar të procedojë me hapjen e procedurave konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat. Ky projekt do të zhvillohet nëpërmjet një sipërmarrjeje të krijuar nga KISH, e cila do të negociojë me subjekte private për të lidhur kontratat e nevojshme për zhvillimin e pronave shtetërore që do të krijohen në kuadër të stadiumit të rinovuar.
Stadiumi “Selman Stërmasi”, që njihet ndryshe edhe si stadiumi “Dinamo”, u ndërtua mes viteve 1956-1959, dhe është rikonstruktuar për herë të fundit në vitin 2015. Prej disa muajsh, për shkak të amortizimit, aty nuk luhet më futboll, por përdoret vetëm për koncerte.
Bjorn Alija është gazetar pranë redaksisë shteg.org