Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili kishte kërkuar lirimin nga qelia, ku ndodhet prej datës 21 tetor 2024.
Togat e zeza kanë lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” të dhënë nga Apeli i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), ndaj kryetarit të Partisë së Lirisë, më 19 nëntor 2024.
Ilir Meta kishte kërkuar lirimin nga qelia duke argumentuar se është drejtues i forcës së dytë opozitare në vend dhe se situata e krijuar në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit e kërkonte një trajtim më të lehtë.
“Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur: Lënien në fuqi të vendimit nr. 59 (87-2024-333) datë 19.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, – thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.
Ilir Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie lidhur me dosjet e bashkuara Cez-Dia, lobimin e ish-LSI në SHBA dhe shpenzimet e familjes së tij.
Për këtë, Gjykata e Posaçme dhe Apeli i GJKKO kanë caktuar masën “arrestit në burg”, duke bërë që ish-kryetari i Partisë së Lirisë (PL) të mbahet i izoluar në paraburgimin “Jordan Misja” në kryeqytet, apo siç njihet ndryshe, 313-ta, që prej afro 4 muajsh.
Në reagimin e tij pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Ilir Meta ka deklaruar: “Ky është një hap tjetër i një procesi të padrejtë. Pavarësisht se kaluam edhe një pengesë fiktive, siç është Gjykata e Lartë që në fakt nuk ekziston, ky vendim do të na çojë më shpejt drejt Gjykatës së Strasburgut. Pa diskutim, do të fitojmë, ashtu siç kemi fituar edhe në Komisionin e Venecias kundër Ramaformës.”.
Edhe Monika Kryemadhi, e cila ka masë sigurie “detyrim paraqitje”, ka depozituar rekurs, duke e konsideruar masën të paligjshme.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.