Punonjës policie, gazetarë, por dhe qytetarë mbeten të plagosur si pasojë e përplasjeve të shkaktuara mes protestuesve dhe forcave të policisë gjatë protestës së thirrur nga opozita pasditen e 7 tetorit 2024.
Një ndër protestuesit pësoi djegie të shumta në gjymtyrët e poshtme, dhe pamjet nga momenti kur ai është i rrethuar nga flakët kanë bërë xhiron e rrjetit. Më vonë ai identifikua si Kujtim Ymeri dhe në një intervistë telefonike për “Syri Tv” deklaroi se po merr mjekim për djegie të shkallës së tretë dhe bashkë me të në dhomë është edhe një punonjës policie.
Ndër të lënduarit që morën trajtim mjekësor ishin 19 persona, prej të cilëve ishin 12 punonjës policie, 2 përfaqësues të medias dhe 8 protestues.
Tensionet e para u shënuan para selisë së qeverisë, kur pati një përplasje mes drejtuesve të opozitës dhe forcave të policisë që kishin rrethuar godinën kryeministre.
Policia e Shtetit deklaroi se kishte angazhuar rreth 1 mijë efektivë për të garantuar sigurinë, por numri i lartë i uniformave blu nuk pengoi aspak protestuesit të lëshonin një sëri bombash molotov në drejtim të godinës kryeministrore.
Policia përdori lëndë lotsjellëse për të sprapsur turmat, e cila më pas lëvizi nga kryeministria në drejtim të qendrës.
Gjatë rrugës, protestuesit i vunë flakën një stacioni autobusi, si dhe disa kazanëve të mbeturinave. Ndalesa e rradhës ishte selia e Partisë socialiste, ku një shi bombash molotov u lëshuan drejt godinës, ndërsa një banderolë e madhe me një foto të kryetarit dhe kryeministrit socialist Edi Rama, e vendosur në fasadën hyrëse, mori flakë. Policia ndërhyri për të shuar zjarrin si dhe përdori sërish gazin lotsjellës. I njëjti skenar u përsërit pak më pas, disa qindra metra më larg, pranë ndërtesës së ministrisë së Brendshme e pak minuta më vonë dhe drejt Bashkisë së Tiranës, ku policia përdori dhe pompat e ujit për të larguar protestuesit.
Disa orë pas protestës të opozitës, policia ka arrestuar një person dhe ka proceduar penalisht 3 të tjerë. Gjithashtu janë shpallur në kërkim edhe 9 persona të tjerë. Mes tyre është shpallur në kërkim edhe ish-komandanti i FNSH Shkodër, Hivzi Bushati.
Akuzat që rëndojnë ndaj tyre janë shkatërrim i pronës me zjarr, kundërshtim dhe mosbindje të policisë, goditje për shkak të detyrës, prishje e rendit dhe qetësisë publike.
Vendimi për organizimin e protestës u mor nga Partia Demokratike, pasi Gjykata e Apelit dënoi me një vit burgim deputetin e saj Ervin Salianji.
Opozita ka njoftuar se ajo po nis një betejë pa kthim e cila synon sipas saj, të garantojë votën e lirë të shqiptarëve, duke këmbëngulur në një qeveri teknike që të organizojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Protesta e 7 tetorit 2024 shënon një moment kritik në politikën shqiptare, duke theksuar ndarjet e thella mes opozitës dhe qeverisë, për të tërhequr sado pak vëmendje për realizimin e kërkesave të saj në rrëzimin e qeverisë Rama dhe krijimin e një qeverie teknike e cila do të organizojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2025.
Gazetare në “Rrjetin e Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri”- RRKOKSH.
Studente në fakultetin e historisë dhe filologjisë, Universiteti i Tiranës.