Organizata e narko-trafikut në Lion, Francë, drejtohej që nga Shqipëria

Grupit iu sekuestruan 15 makina, 9 aparate celulare, 3 tableta, 1 kamera, dokumente dhe një sasi parash kesh në valuta të ndryshme euro, franga zvicerane dhe lekë. SPAK-u tha se një personi të tretë, me inicialet J.H, i dyshuar për lidhje me grupin, iu sekuestruan 20 mijë euro në një llogari bankare.

1223
Zabit Fisniku, i arrestuan më 1 Korrik 2024, pas një aksioni të koordinuar me autoritetet franceze
Credit: Policia e Shtetit

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të martën, më 3 korrik 2024, të lërë në burg Redian Dodën, Zabit Fisnikun dhe Fabi Isakun, të cilët u arrestuan një ditë më parë në Shqipëri pas një aksioni të koordinuar me autoritetet franceze, si të dyshuar për përfshirje në një organizatë ndërkombëtare të trafikut të drogës.

Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion deklaroi më 2 korrik 2024, se në bashkëpunim me autoritetet franceze kishte goditur një grup ndërkombëtar droge, i cili “drejtohej nga një shtetas shqiptar që jetonte në Shqipëri”. Megjithatë, SPAK-u nuk specifikoi se cili mes të arrestuarve Redian (i njohur edhe si Refik) Doda, Zabit (i njohur dhe si Artur) Fisniku apo Fabi Isaku, ishte i dyshuari në fjalë.

Zabit Fisniku po vuan dënimin pasi u gjend fajtor nga gjykata për trafikimin e qenieve njerëzore dhe në vitin 2005 Gjykata e kishte dënuar në mungesë me 16 vite burg. Ai u arrestua më 14 shkurt 2024 në Aeroportin e Rinasit dhe akuzat e reja për “grup i strukturuar kriminal” dhe “trafik narkotikësh” i janë komunikuar në burg.

Grupit iu sekuestruan 15 makina, 9 aparate celulare, 3 tableta, 1 kamera, dokumente dhe një sasi parash kesh në valuta të ndryshme euro, franga zvicerane dhe lekë. SPAK-u tha se një personi të tretë, me inicialet J.H, i dyshuar për lidhje me grupin, iu sekuestruan 20 mijë euro në një llogari bankare.

Hetimet për organizatën nisën nga autoritetet franceze në periudhën gusht-dhjetor 2022. Fillimisht ishin strukturat lokale të Albertville, një komunë me rreth 40 mijë banorë 150 kilometra në lindje të Lionit, ato të cilat raportuan aktivitetin e dyshimtë. Policia zbuloi se organizata kishte rrjet të shtrirë me dërgesa lënde narkotike “pothuajse ditore tek grupet e shitjes në qarqe të tjera si Rhone, Ain dhe Savojë”. Ato niseshin nga “një nënshtetas shqiptar që jetonte në periferi të Lionit”. Hetimet e mëvonshme në koordinim mes autoriteteve shqiptare, franceze dhe strukturat ndërkombëtare Eurojust dhe Europol provuan përfshirjen e të paktën 19 personave, disa prej të cilëve shqiptarë.

Gjatë operacionit të 2 korrikut për kapjen e një pjese të tyre, policia franceze sekuestroi një sasi lënde narkotike me vlerë mbi 1 milionë euro.

Erblin Vukaj
Gazetar |  + posts

Erblin Vukaj është gazetar i Rrjetit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në Shqipëri. Ai ka përfunduar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës. Vukaj ka punuar që nga viti 2012 në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion, ku ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ai ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.